Në seancën e 13-të të këshillit komunal, këshilltarët e BDI-së me pankarta protestuan në lidhje me programin e Komunës së Tetovës për menaxhimin e tokës ndërtimore. Megjithatë kjo pikë e rendit të ditës kaloi me 16 vota. Sipas këshilltarit Berat Murati, Komuna e Tetovës po e shet tokën ndërtimore me një euro për metër katror.
“Patëm një debat të ashpër dhe shumë demokratik, ku protestuam edhe me mjete demokratike për ndalimin e shitjes së pronës publike, shitjen e pronës së Komunës së Tetovës. Mirëpo, siç e shikoni edhe ju, ata (VLEN-i) i fituan ato 16 vota për… për shitjen e pronës publike me një vlerë prej 1 euro, për shembull për Saraqinën, me vlerë prej 38.000 euro për një sipërfaqe prej 38.000 metrash katrorë, që është skandaloze. Ata arsyetohen se është veç çmimi fillestar dhe, me sa duket, ai më sfidoi mua personalisht, si dhe partinë time. Unë do ta sfidoj dhe do ta vërejmë se ajo pronë veçmë është shitur. Mirëpo, i mbetet kohës që ta vërtetojmë”, tha Berat Murati – këshilltar i BDI-së.
Këshilltari Agron Arifi nga “Më mirë për Tetovën” thotë se qytetarët e Tetovës duhet të dinë për parcelat që janë në kuadër të Komunës së Tetovës.
“Ky është program për menaxhimin me tokën ndërtimore. Komuna e ka obligim ta bëjë programin vjetor, të cilin mund ta ndryshojë, të shtojë pika ose t’i tërheqë ato. Kjo nuk domethënë se komuna do t’i shesë tokat, mirëpo qytetarët duhet ta dinë dhe të informohen se cilat parcela janë në programin për shitje. Pasi disa seanca me radhë kam kërkuar nga sektori i urbanizmit që të vendoset në funksion projektori në mënyrë që qytetarët ta dinë, dhe pasi një gjë e tillë nuk bëhet, atëherë detyrohemi ne t’ua tregojmë se cilat janë parcelat”, pohoi Agron Arifi – këshilltar i MMPT.
Por Albi Qamili nga VLEN thotë se Komuna e Tetovës nuk do të shesë tokë me 1 euro për metër katror, ndërsa akuzon se çmimoreja ekzistuese është sjellë nga vetë BDI-ja në vitin 2016.
“Është vërtet qesharake dhe e habitshme kur këshilltarët e një partie, të cilët kanë shitur gjysmën e qytetit me çmime ashtu siç u ka konvenuar oligarkëve të tyre, na akuzojnë sot se po shesim parcela dhe toka me 1 euro për metër katror. Ndërkohë që edhe vetë çmimoreja dhe rregullorja e çmimit janë sjellë kur vetë ata kanë qenë në qeveri – pra, ky ligj është miratuar në vitin 2016 – dhe sot na akuzojnë ne. Kjo nuk është e vërtetë. Duhet të kemi parasysh faktin se gjatë qeverisjes së tyre kanë lënë 13.000 objekte pa leje, ndërsa ne sot gjithçka që bëjmë, e bëjmë me plan. Po u mundësojmë qytetarëve që çdo gjë që ndërtojnë, ta ndërtojnë me plan dhe objektet e tyre t’i kenë me leje”, pohoi Albi Qamili – Këshilltar i VLEN-IT.
Në pikat e tjera të rendit të ditës ishin edhe raporti vjetor i NPK “Tetova” Tetovë, ndërsa si pikë e gjashtë është vendosur edhe mbulimi i humbjeve të NPK “Tetova” Tetovë.
