Përmbaruesi ma mori dyqanin dhe “u zhduk”/ Protestë para Prokurorisë “kundër përmbaruesve që e varfërojnë popullin”

TË FUNDIT

Vebi Abazi nga Tetova tregon se si një përmbarues ia ka marrë dyqanin në vlerë prej 700 mijë euove për një borxh prej 140 mijë euro dhe se më nuk mund më të bie në kontakt me të.

“Unë po e lus që të marr paratë e veta 140 mijë euro dhe të ma kthejë dyqanin, i cili kushton 700 mijë euro. Ma kanë marrë që tetë muaj, po i dërgoj letra dhe nuk mund ta gjej. Shkoj në zyrë nuk është aty, vijë në Shkup te Oda e Përmbaruesve, vijë këtu çdo javë, më thonë nuk është këtu, te zyra nuk është këtu. Tetë muaj po e kërkoj, kam dërguar disa letra, e lus, ja 140 mijë euro kthema dyqanin që kushton 700 mijë euro.”- thotë Vebi Abazi, qytetar.

Dhjetëra qytetarë dhe aktivistë u mblodhën përpara Prokurorisë publike themelore në Shkup, për të protestuar kundër përmbaruesve. Shprehin revoltën e tyre ndaj drejtësisë që nuk po ndërmerr asgjë. Thonë se Prokuroria i mban lëndët në sirtar.

“Apeli ynë është ndaj prokurorëve, këtu jemi mbledhur me një qëllim që t’i përfaqësojmë ato qindra persona, një pjesë e të cilëve janë shpërngulur nga Maqedonia, një pjesë janë në depresion të thellë, t’i përfaqësojmë sepse një pjesë e Maqedonisë po vdes nga robëria financiare, nga haraçi. Puna me fajdexhinjtë që po ndodh te ne është e patolerueshme, edhe sipas kushtetutës edhe sipas deklaratës për të drejtat e njeriut.”- tha Ana Glilorova, Shoqata Qytetare “Stop Vjedhjes”

Nga shoqata qytetare “Stop vjedhjes” për ndihmë iu drejtuan edhe ambasadores së SHBA-ve në Shkup.

“Po i drejtohemi ambasadores së re të Amerikës në Shkup. Zonja ambasadore, 30 vjet më parë na u premtua demokraci, zgjedhje të drejta, sundim të ligjit, të drejta të njeriut, të drejtën e pronës, ndërsa nuk kemi asgjë nga këto. Po të thërrasim ty, që t’i dalësh zot premtimeve, faleminderit.”- deklaroi
Aleksandar Todorovski, “Stop Vjedhjes”

Përndryshe Avokati i Popullit, Naser Zyberi në Qeveri ka dorëzuar nismë për hartimin e një projektligji për plotësimin e Ligjit për Përmbarim në pjesën e kamatës në procedurat përmbaruese. Me këtë nismë propozohet që kamata ndëshkuese të mos jetë më e madhe se borxhi kryesor.