Në Prapashticë është mbajtur për herë të parë Festivali i Flisë, një ngjarje që synon promovimin e gastronomisë tradicionale dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.
U përgatiti një flie gjigante me diametër tre metra, e cila është pjekur sipas mënyrës tradicionale, shtresë pas shtrese, mbi zjarr të hapur. Aktiviteti ka tërhequr vizitorë të shumtë nga vende të ndryshme, të cilët kanë pasur mundësi të shijojnë falas fli, djathë dhe kos të përgatitur nga prodhues vendas.
Përveç ofertës gastronomike, festivali është shoqëruar me program të pasur artistik, duke përfshirë muzikë, valle tradicionale dhe interpretim me lahutë, instrument që bën pjesë në Trashëgiminë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s. Performanca është realizuar nga lahutarja e vetme në trojet shqiptare.
Organizatorët theksojnë se festivali ka për qëllim ruajtjen e traditës, promovimin e kulturës shqiptare dhe zhvillimin e turizmit rural në zonë. Ata bëjnë të ditur se aktiviteti do të vazhdojë deri në orët e vona të mbrëmjes dhe synohet të organizohet çdo vit, duke u shndërruar në një ngjarje tradicionale për Prapashticën.
