Bullgaria dhe Maqedonia po përgatisin festë të përbashkët me rastin e shënimit të 150-vjetorit nga lindja e Goce Dellçevit. Asnjë anëtar i Komisionit për Çështje Historike nuk do të ndryshohet. Të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut janë prioritet i madh.
Këtë e deklaroi kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov, i cili në Kuvendin Popullor foli për rezultatet e takimeve me homologun e tij të Maqedonisë, Dimitar Kovaçevski.
“Po, Dimitar Kovaçevski është kryeministër i RMV-së vetëm një javë dhe me Qeverinë bullgare kaloi 4 ditë, që do të thotë se dëshiron ta kryejë punën. Ne në asnjë rast nuk e injorojmë dhe nuk i japim prioritet pozicionit bullgar. Energjia e re e dialogut do ta diktojë sjelljen tonë ndaj Maqedonisë, shton Petkovi.
“Biseduam edhe për tema që janë të rëndësishme për ne dhe për fokusin e të drejtave të bullgarëve në RMV. Për herë të parë pas një kohe shumë të gjatë, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se nuk sheh asnjë problem që bullgarët të figurojnë në Kushtetutën e RMV-së. Nuk përmendi asnjë kornizë kohore, por këtë e tha për herë të parë. Diçka tjetër që më gëzon është se për momentin nuk flitet për 5+1, por brenda dy javëve do të duhet ta ndryshojmë numrin dhe ai tani është 4+1”, tha më tej Petkov.
Deputetja e GERB-it dhe ish-ministrja e Jashtme, Ekaterina Zaharieva, e këshilloi kryeministrin që ta ulë nivelin e entuziazmit sa i takon kësaj çështjeje, sepse siç tha, qeveritë e mëparshme kanë nënshkruar memorandume mes të dyja vendeve, por prej atëherë nuk ka ndodhur asgjë konkrete.
“Ju nuk e keni ngritur fare çështjen për të drejtat e bullgarëve në Maqedoni, po ta kishin ngritur, ai do t’ju kishte thënë – kjo është përzierje në punët e brendshme. Jo, nuk është përzierje në punët e brendshme, por kjo është e drejta themelore e njeriut dhe obligim i shtetit dhe Qeverisë bullgare që t’i mbrojë të drejtat e qytetarëve bullgarë”, deklaroi Zaharieva.
Por, Kiril Petkov tha se gjatë negociatave për çështjen e ekonomisë dhe infrastrukturës, të dyja palët kanë biseduar edhe për tema të tjera të rëndësishme për Bullgarinë – të drejtat e bullgarëve në RMV dhe pozicioni kornizë.
“Më 4 shkurt do të organizojmë kremtim të përbashkët, kështu që ky është një fakt dhe hap tjetër real”, tha Petkov.
Kryeministri i Bullgarisë dje qëndroi në Bruksel dhe tha se atje janë të inkurajuar nga sinjalet e para që i kanë dhënë Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut.
