Publikimi i honorarëve nga koha kur Teuta Arifi drejtonte me Komunën e Tetovës ka nxitur debat mes ministrit të ekonomisë Kreshnik Bekteshi edhe kryesuesit të këshillit komunal Besar Durmishi. Për ministrin e ekonomisë me rëndësi është që të publikohen të gjitha të dhënat, por duhet të ketë kujdes me të dhënat personale të qytetarëve dhe për këtë shkak ai mendon se kryetar i komunës, Bilall Kasami, duhet që t’i përvishet punës për të realizuar programin e premtuar.
“Do të kisha dashur të bëj thirrje që z.Kasami të publikojë kontratat në vepër edhe gjatë muajit janar dhe ato të cilat vetëm se janë nënshkruar edhe për muajin shkurt, që qytetarët të mund të bëjnë krahasimin si është bërë menaxhimi i Komunës së Tetovës në të kaluarën dhe si bëhet tani. Sa i përket mënyrës se si menaxhon z.Kasami, mendoj se është kryer më muaji i mjaltit dhe 100 ditëshi. Nuk duhet të merret shumë me atë se çfarë është bërë në të kaluarën, por të realizojë programin me të cilin e ka fituar besimin nga qytetarët e Komunës së Tetovës”, tha Bekteshi.
Kjo deklaratë e Ministrit nga radhët e BDI-së, nxiti reagimin e kryesuesit të Këshillit komunal Besar Durmishi, i cili vjen nga Lëvizja Besa, ndërsa thotë se nuk është muaj mjalti kur një institucion ka 24 milionë euro borxh.
“Nëse për ju borxhi nga ana e eksponentëve të partisë që ju e përfaqësoni 24 milionë euro paraqet muaji mjalti, për ne paraqet problem serioz që kërkon edhe zgjidhje serioze. Nëse për ju shuma prej 7 milionë eurosh që janë në përmbarues shkau neglizhencës dhe keqpërdorimit të parasë së qytetarëve që e ka bllokuar funksionimin e institucionit të qytetarit nuk paraqet muaji mjalti, kjo për ne paraqet papërgjegjshmëri ndaj taksapaguesve tetovarë. Nëse për ju është në rregull pagesa e militantëve partiak nga pagesa e komunës përmes kontratave në vepër në kohën kur të punësuarit e NPK Tetova Tetovë nuk kanë pasur të paguar edhe sigurimin shëndetësor”, u shpreh Durmishi.
Kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami erdhi në krye të Komunës së Tetovës pasi fitoi ish-kryetaren Teuta Arifi nga radhët e BDI-së e cila kishte 8 vite që qeveriste me qytetin. Dje nga kabineti i kryetarit Kasami u publikua një listë me mbi 800 emra të personave që kanë qenë të angazhuar me kontratë në vepër gjatë kohës kur Teuta Arifi ka qenë kryetare.
