Përfundoi gjykimi për Sarkozin, aktvendimi më 1 mars

TË FUNDIT

Procesi gjyqësor kundër ish presidentit francez Nikolla Sarkozi në aferën kundër korrupsionit dhe tregtisë me ndikim përfundoi dje në Paris, kurse vendimi i gjykatës është caktuar për më 1 mars të vitit 2021.

“Ende kam besim në drejtësinë e vendit tonë”, tha Sarkozi, gjykimi i të cilit filloi më 23 nëntor.

Gjykimi përfundoi me qëndrimin e mbrojtjes, ndërsa prokuroria për Sarkozin kërkoi katër vjet burg, dy prej të cilave me kusht.

Prokurori Zhan-Luk Blasho kërkoi të njëjtat dënime për dy të pandehurit e tjerë në të njëjtin gjyq, ish gjykatësin Zhilbert Aziber dhe ish avokatin e Sarkozit Tieri Erzog.

Sarkozi, i cili ishte president nga viti 2007 deri në 2012, po pret edhe një gjykim tjetër në pranverën e vitit 2021. Ai, së bashku me 13 persona të tjerë, do të dalë në gjyq nën akuzën për financim të kundërligjshëm të fushatës së tij presidenciale në vitin 2007.

Para Sarkozit, gjyqi i të cilit konsiderohet si një precedent në Francë, një ish-president tjetër u përball me gjyqin pas largimit nga detyra. Zhak Shirak u gjykua për përvetësim, por jo gjatë presidencës së tij, por derisa  ishte kryebashkiak i Parisit.