Edhe pse gjendja politike në Bullgari është mjaft komplekse, duke pasur parasysh se do ketë edhe një herë zgjedhje, Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, pohon se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të punojë edhe me Sofjen dhe me partnerët evropianë, me qëllim që sa më shpejt të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE. Sipas tij, mesazhet që dje i drejtoi shefi i diplomacisë greke Dendiasi, dhe sot ministri i Danimarkës, Kofod, që po qëndron në vizitë zyrtare në Shkup, janë mesazhe të fuqishme të cilat inkurajojnë dhe japin optimizëm se vendi është në rrugën e vërtetë, transmeton TV21.
“Prezenca e ministrit këtu, fjalët e tij të fuqishme për mbështetje, konstatimi i tij se vendi meriton fillim të negociatave, se duhet t’i fillojë negociatat është në të vërtetë një mesazh i fortë që jehon kudo në BE, ndërsa besoj se edhe në Republikën e Bulgarisë sepse nuk është vetëm një çështje e tillë nëse Republika e Maqedonisë së Veriut do ta mbajë konferencën e parë sivjet, por cila është perspektiva e rajonit lidhur me Unionin dhe cili është kredibiliteti i të gjithë këtij procesi”, deklaroi Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme./TV21
