Për kryetarin Marin, Shkupi nuk është Dubai! Miliona denarë “derdhen” nga shatërvanët në Shkup

TË FUNDIT

Nga gjithsej 15, në komunën e Aerodromit 3 shatërvanë janë riorientuar në kënde fëmijësh, gjelbërim dhe hapësirë me fidanë.

Për mirëmbajtjen e tyre, kjo komunë në nivel vjetor shpenzon 6 milionë denarë.

“Për mirëmbajtjen e këtyre shatërvanëve shpenzohen rreth 6 milionë denarë në vjet. Ideja jonë është se nuk duhet të shpenzohen kaq të holla për projekte të këtilla, pasi mundet me më pak para të bëhen parqe më të bukua të cilët nuk do të tërheqin mjete nga buxheti. Do t’i marr për shembull çezmat për pirje të ujit, para se të zëvendësohen me çezme me buton, paguanim nga 20.000 denarë për një fontanë, kurse tani paguajmë vetëm 1.000 denarë”, tha kryetari i Aerodromit, Zllatko Marin.

I pari i Aerodromit shton se sipas marrëveshjes me qytetarët, fontanat e vjetra janë larguar ose janë rirregulluar, kurse të rejat po mirëmbahen.

“Shatërvani ishte katastrofë, kurse kjo hapësirë është bërë është mirë. Kemi ku të ulemi, të pushojmë, fëmijët kanë ku të luajnë, e jo në pluhur, pasi shatërvani ishte në pluhur.
-Nuk kemi nevojë për shatërvan, kështu është shumë mirë. Për çka shërbejnë ato shatërvanë? Për dekor?”, tha ky qytetar.

Marin thotë se Shkupi nuk është Dubai që të ketë kaq shatërvanë. Shton se do të vazhdojë t’i rregullojë edhe ato të vjetërsuarat, siç është ajo prapa Qendrës Tregtare “Biser”. Ndryshe, 35 milionë denarë “derdhen” në nivel vjetor nga fontanat në sheshin “Maqedonia”, sheshin “Filipi 2” dhe nga shatërvanët te parku “Gruaja Luftëtare” që ndodhen në qendër të Shkupit.