Për incidentet me flamujt, ASK nuk ka lëshuar ndonjë paralajmërim?

TË FUNDIT

Incidentet me flamujt që janë aktuale këto ditë, ministri për punë të brendshme, Pançe Toshkovski i ka shfrytëzuar që të sulmojë udhëheqësinë paraprake të ASK-së që u vendos nga LSDM dhe BDI, se nuk e kanë kryer mirë punën. Toshkovski thotë se para pak kohe, që do të thotë gati pothuajse para dy muajve kanë dërguar kërkesë që të jepet vlerësim për incidente të mundshme nga 22 dhe 28 nëntori, në ditët e alfabetit shqiptar dhe ditën e flamurit.

“ASK, pas kërkesës së parashtruar nga ana e Sektorit për krim të organizuar në MPB, është marrë përgjigje se nuk ka indice për ngjarje të pakëndshme”, tha Pançe Toshkovski, ministër për Punë të Brendshme.

Sipas Toshkovskit, por edhe sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, edhe pse ASK ka dështuar, Qeveria dhe MPB kanë pasur informacione se diçka po përgatitet.

“Unë paralajmërova skenarë të tilla që moti, që para disa muajve se ka informacione të tilla, se ka përpjekje të tilla dhe kjo nuk do të jetë përpjekja e fundit. Do të ketë edhe përpjekje të tjera për eskalim, për tensione ndëretnike etj. Edhe kjo që ndodhi para disa ditëve u parandalua dhe parashikua nga ana jonë”, tha Mickoski.

“A u paralajmëruam nga ana e të gjithë institucioneve që merren me sigurinë, po u paralajmëruam se mund të ketë ngjarje të pakëndshme”, shtoi Toshkovski.

Edhe pse kishte informacione se ASK nën udhëheqësinë e drejtorit të ri Bojan Hristovski e ka informuar MPB për incidente të mundshme, megjithatë sipas informacioneve të TV21, që u konfirmuan nga përfaqësues të lartë të MPB-së, nuk ekziston ndonjë informacion në formë të shkruar nga ASK për incidente të mundshme. MPB është informuar nga komunikimi i drejtpërdrejtë dhe i përditshëm mes gjithë sektorëve të angazhuara për sigurinë publike. Sipas Toshkovskit, MPB ka qenë e përgatitur për të gjitha sfidat që janë paraqitur më 28 nëntor.