Ministri i Financave Fatmir Besimi ka kërkuar hua nga Fondi Monetar Ndërkombëtarë. Sipas Besimit paratë e marra do të shfrytëzohen për mbështetje të buxhetit dhe financim të nevojave buxhetore, ndërsa norma e interesit do të jetë rreth 1%.
“Kjo linjë kreditore është e disponueshme për vendet anëtare me baza të shëndosha ekonomike, ndërsa shfrytëzohet për situata pasigurie siç është aktualisht kriza ekonomike lidhur me inflacionin dhe krizën energjetike, veçanërisht si rezultat i luftës në Ukrainë”, tha Besimi.
Nënkryetarja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Dimitrieska-Koçoska, akuzon se njoftimet për huamarrje të re të qeverisë do ta gjunjëzojnë Maqedoninë. Thotë se Qeveria LSDM-BDI ka futur shtetin në borxhe të mëdha ku pas 3 vitesh borxhi do të arrijë 7.9 miliardë eurosh.
“Me këtë ritëm, totali i huamarrjes së Qeverisë për një periudhë 6-vjeçare e ka tejkaluar huamarrjen 10-vjeçare të qeverisë së mëparshme të VMRO-DPMNE-së. Sa për krahasim, 3.2 miliardë euro në 6 vjet, kundrejt 2.9 miliardë euro për 10 vjet. Por pse hynë në borxhe? Në vitin 2020 ata morën hua për të ndihmuar vendin në kushtet e krizës shëndetësore dhe ekonomike. A patën sukses? Jo.”
Sipas VMRO-DPMNE-së në vitin 2021 kemi pasur rritje ekonomike prej vetëm 4%, që është arritja më e dobët në rajon, ndërsa në vend nuk ka pasur asnjë investim kapital. Besimi po merr pjesë në takimet pranverore të FMN-së dhe të Bankës Botërore, së bashku me guvernatorën Anita Angelovska- Bezhoska.
