Pendarovski: Të vazhdohet gjendja e jashtëzakonshme, Tetovë, ushtria do të asistojë në mbajtjen e radhëve në banka

TË FUNDIT

Gjendja e  jashtëzakonshme në vend që  do të  përfundojë  të enjten, ka shumë gjasa të vazhdohet edhe për 30 ditë të tjera. Këtë e deklaroi presidenti i vendit Stevo Pendarovski gjatë një vizite që  bëri në kazermën e Tetovës.

“Me atë çfarë e di deri më tani, që këtë edhe publiku i gjerë e di, nuk ka asnjë fshehtësi  dhe nuk duhet të ketë me këtë pandemi. Mendoj se gjasat janë të mëdha që të shpallen edhe 30 ditë të tjera të gjendjes së jashtëzakonshme”, tha Stevo Pendarovski, President i RMV-së.

Pendarovski foli edhe për asistimin e ushtrisë në pikat kufitare dhe në Prilep, ku po  mbahet rendi nëpër banka. Presidenti tha se, nëse një nevojë të tillë e kërkojnë edhe institucionet tjera,  ushtria është e gatshme që të asistojë kudo qoftë.

“Nëse e kërkon shtabi i krizës, ajo do të pranohet edhe nga njësitë që janë këtu  të vendosura vetëm në atë funksion. Pasi që armata nuk është në rrugë që në mënyrë të pavarur të mbajë rend apo orë policore  për shkak se nuk e ka për obligim në bazë të gjendjes së jashtëzakonshme, por për këtë janë pjesëtarët e MPB-së”, tha Stevo Pendarovski, President i RMV-së.

Nga komuna e Tetovës thonë se tanimë kanë biseduar edhe me udhëheqësit  e bankave, ndërsa edhe ushtria do të jetë në asistencë të tyre.

“Ajo që sipas meje është shumë e rëndësishme, është që rritja e numrit të rendmbajtësve nga bankat edhe uniformat do të jenë në asistencë të punës së tyre”, tha Teuta Arifi, Kryetare e Tetovës.

Nga shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme,  bankat pakësuan numrin e sporteleve dhe mbyllën disa filiale  duke bërë që numri i  qytetarëve  që presin radhë të jetë më i madh.