Kongresi Ndërkombëtar i Shkencës Bazë (ICBS) për vitin 2026 u hap të dielën në Qytetin Shkencor në Huairou të Pekinit, duke u dhënë Medaljen e Shkencës Bazë të parë nëntë shkencëtarëve të fushave si gjeometria algjebrike, fizika e grimcave, elektronika elastike e editimi i gjeneve. Katër prej këtyre studiuesve janë gra, hera e parë për një çmim të rëndësishëm të shkencës bazë.
Afërsisht 1000 pjesëmarrës nga më tepër se 30 vende dhe rajone morën pjesë në ceremoninë e hapjes së kongresit me temë “Përparimi i shkencës për njerëzimin.” Të pranishmit përfshinin katër fitues të medaljes “Fields” – Shing-Tung Yau, Maxim Kontsevich, Martin Hairer dhe Caucher Birkar – e laureatin e çmimit “Turing” Robert Tarjan, së bashku me rreth 80 fitues të çmimeve të tjera të mëdha, si “Shaw”, “Wolf” dhe” Dirac”.
Në fjalën e hapjes, kryetari i kongresit Shing-Tung Yau, i cili e themeloi ICBS-në në vitin 2023, tha që Kina është bërë një qendër për kërkimet bazë falë financimit, politikave dhe mbështetjes së talenteve si kurrë më parë. Ai paralajmëroi se inteligjenca artificiale (AI), ndërsa riformëson matematikën dhe provimin e teoremave, mbetet një mjet dhe nuk mund të zëvendësojë mendimin ndërdisiplinor që qëndron në bazë të revolucioneve shkencore.
Kongresi do të zgjasë deri më 21 gusht dhe gjatë tij do të zhvillohen më shumë se 500 sesione shkencore për tema që shkojnë nga arsyetimi i AI-së gjenerative deri tek informacioni kuantik. Gjatë tij u njoftua gjithashtu Çmimi i Kufijve të Shkencës, që iu dha 111 artikujve origjinalë të studiuesve prej më shumë se 20 vendeve e rajoneve.
