Pas kronikës së TV21 për gjendjen e rrugës së re Saraj-Rashçe, autoritetet menjëherë kanë reaguar.
Ndërmarrja komunale e Sarajit sot herët në mëngjes aktivizoi mekanizmat pastruese për të pastruar mbeturinat që ishin hedhur gjithandej.
Bashkë me punëtorët në terren ishte edhe drejtori i ndërmarrjes publike të komunës së Sarajit, Sabahudin Rrustemi.
“Apeloj tek të gjithë qytetarët për djersën dhe mundin e këtyre punëtorëve që japin maksimumin për të pastruar ambientin për të qenë një ambient i pastër ku në vendet publike të mos hedhin mbeturinat, ku mund të shkaktojnë ndonjë epidemi për atë shkak unë ju apeloj edhe njëherë të gjithë qytetarëve të komunës së Sarajit të kontribuojnë maksimalisht për ruajtjen e ambientit jetësor”, deklaroi Drejtori i ndërmarrjes publike, Sabahudin Rustemi.
Kjo rrugë u ndërtua vitin e kaluar, por banorët e vendeve afër hidhnin mbeturina duke krijuar aty një deponi të egër.
“Pas kronikës së TV21 për deponin që është krijuar në rrugën Rashqe-Saraj sot ndërmarrja publike ka ndërmarr një aksion për të pastruar këtë deponi. Ata thonë se banorët që do të hedhin tani mbeturina do të marrin dënime”, Afrim Jonuzi, gazetar.
Nga komuna thonë se pas pastrimit të tërësishëm, do të mbjellin edhe fidanë dhe do të ketë kontrolle shtesë për mirëmbajtjen e kësaj rruge. TV21 kontaktoi edhe me Higjienën Komunale, nga ku konfirmuan se do t’i bashkëngjiten aksionit për pastrim.
Përgatiti: Afrim Jonuzi
