Skafanderë dhe maska me filtra janë pajisjet që nevojiten për të hyrë në zonën e kuqe të ish fabrikës Ohis.
Kjo është hapësira ku po punohet në gërryerjen e substancave kontaminuese nga deponia e vogël. Hapësira është e mbuluar me tendë dhe brenda janë vendosur filtra për pastrimin e ajrit.
Procesi ka nisur kah mesi i muajit mars, ndërsa pastrimi i tërësishëm i kësaj deponie pritet të përfundoj për një vjet. Përafërsisht në të ka rreth 3000 tonë HCH, 3000 tonë tokë e kontaminuar dhe 1000 tonë beton.
“Në fuçitë prapa nesh janë të vendosura 450 tonë lindan, që janë të pastruara fillimisht nga deponia e vogël e ish fabrikës Ohis”, raporton gazetarja Alemdina Ismajli.
Përfaqësuesja e Ministrisë së Ekologjisë thotë se përveç HCH-së janë pastruar edhe 150 tonë tokë e kontaminuar dhe se është gjetur edhe sasi e caktuar e zhivës me përqendrim të ndryshëm.
“Deri tani janë pastruar 450 tonë mbetje HCH i pastër apo thënë në popullorçe lindan i pastër edhe pse nuk është lindan por është Hexachlorocyclohexane dhe diku 150 tonë tokë e kontaminuar që është më pak e koncentruar, pra nuk është si HCH”, tha Sozana Andonova nga Ministria e Mjedisit.
Mbetjen që janë në fuçi do të transportohen në faza, procedura e pastrimit, paketimit dhe eksporti janë të sigurta, thotë përfaqësuesi i Ministrisë së Mjedisit Aleksandar Mickovski. Ai shton se fuçitë janë të mbyllura hermetikisht dhe nuk ka rrezik, ndërsa transporti i parë do të realizohet me 3 maj, ku do të kalojë përmes portit të Selanikut, deri në destinacionin përfundimtar në Francë.
“Shtypja atmosferike është më e madhe nga ajo që është brenda në tendë dhe të gjitha emisionet që gjenerohen brenda nuk mund të dalin jashtë dhe ta afektojnë ambientin. Suksesi i këtij sistemi është i vërtetuar me monitorimet e rregullta që bëhen në ajrin e ambientit. Kemi tri vende monitorimi të vendosura rreth deponisë së vogël dhe të njëjtat tregojnë se koncentrimi i materieve ndotëse gjatë procesit të pastrimit nuk janë më të larta se sasia e matur para nisjes së pastrimit”, tha Aleksandar Mickovski nga Ministria e Mjedisit.
Edhe përkundër këtij pastrimi, në Ohis ende mund të ndjehet kundërmimi i erës së keqe, e kjo vjen si pasoje e deponisë së madhe e cila nuk është e mbuluar, thonë nga Ministria e Mjedisit. Suksesi i pastrimit të deponisë së vogël do të ndikojë që të ketë donacione dhe të bëhet edhe pastrimi i deponisë së madhe. Dinamika e punëve varet nga sigurimi i mjeteve financiare, shtojnë nga ky dikaster. Ndryshe problem me deponitë në Ohis është më i vjetër se 40 vjet. Procedura e dislokimit të lindanit financohet nga Fondi Global i Mjedisit, Qeveria e Maqedonisë, Mbretëria e Norvegjisë dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në vend.
