Personat me fibrozë cistike, aktivistë dhe qytetarë, me një minutë heshtje dhe duke vendosur kurorë lulesh para Qeverisë, e nderuan Bllagojçe Ilijevskin, i cili ndërroi jetë dje duke pritur ilaçin.
Pas vdekjes së Bllagojçes, institucionet shtetërore përfshirë edhe kryeministrin menjëherë u mobilizuan dhe që sot kanë siguruar mjete për të blerë terapinë për shtatë pacientë që janë në gjendje më kritike shëndetësore. Nga asociacioni për fibrozë cistike vlerësojnë se për tre jave do të arrijë ilaçi Tricafta për këta pacientë.
“Sipas shifrës më të madhe që vetë kompania e ka shitur ilaçin, do të mbulohen shtatë pacientë. Ne shpresojmë që nëpërmjet negociatave do të përfshihen më shumë pacientë dhe nuk do të jenë vetëm shtatë. Ndërkaq për fat të keq ne humbën mbrëmë Bllagojçen, gjërat nuk duhej të ishin kështu mirëpo mendoj se me keqardhje të madhe them, për shkak të kësaj humbjeje, u aktivizuan të gjithë edhe kryeministri dhe qeveria.”- deklaroi Fiki Gaspar – Asociacioni i FC.
Kryeministri Dimitar Kovaçeski fajin për vonesën e sigurimit të terapisë dhe vdekjen e një personi ia lë burokracisë. Ai tha se e ka lutur Ministrin e Shëndetësisë Bekim Sali, të mendojë se a do ta vazhdojë mandatin, edhe pas vdekjes së Bllagojçes.
“I luta, sidomos ministrin e Shëndetësisë që të mendojë dhe të më thotë se a mund ta vazhdojë mandatin e tij, unë vendimin tim për çështjen e kuadrove do ta sjell pas kësaj.”- deklaroi Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.
Ministria e Shëndetësisë nuk e blen ilaçin, por e organizon sistemin thotë Sali, duke u distancuar nga përgjegjësia.
“Ministria e Shëndetësisë nuk do të ishte institucioni më përgjegjës për këtë rast, duke marrë parasysh se ne me kohë kemi raportuar dhe kemi kërkuar ndihmë nga Qeveria dhe Ministria e Financave.”- u përgjigj Bekim Sali – Ministër i Shëndetësisë.
E ministri Sali ishte më i drejtpërdrejtë përmes një shkrimi në facebook, ku fajësoi Qeverinë.
“Është fakt se përkundër kërkesës nga MSh-ja, as Qeveria e RMV-së, as personalisht kryeministri, deri dje nuk kanë vendosur që t’i sigurojnë ato mjete”.
Përndryshe në vendin tonë me këtë sëmundje të rrallë janë të prekur rreth 130 pacientë.
