Pas bllokadave, paralajmërohen protesta! Mickoski: E pamë Kovaçevskin në Çair të robëruar nga Ahmeti e Xhaferi

TË FUNDIT

Ka mundësi që VMRO-DPMNE-ja pas bllokadave të Kuvendit, të organizojë edhe protesta. Këtë e paralajmëroi kryetari i partisë, Hristijan Mickoski i cili tha se hapat e ardhshëm do të caktohen sonte në seancën e Komitetit ekzekutiv. Në lidhje me interpelancën e mundshme për Talat Xhaferin pas incidentit në Kuvend, tha se e njëjta është e qartë se do të dështojë, për shkak se Kovaçevski është i robëruar nga Ahmeti dhe Xhaferi, gjë që, siç tha, u pa dje duke bërë së bashku tifo në ndeshjen mes Shkupit dhe Akademia Pandev.

 “Të flasim tani në mënyrë objektive para qytetarëve, interpelanca do të dështojë për shkak se nëse Kovaçevski e akuzon Talat Xhaferin, atëherë do të rrëzohet qeveria. Dje e pamë atë në një stadium në Çair se si bën tifoz në shoqëri të Ali Ahmetit dhe Talat Xhaferit, duke qëndruar i ulur mes tyre, kjo tregon qartë se cili është roli i këtij njeriu dhe pse po themi se është i robëruar. Tani si të bëjmë interpelancë, na mbetet që t’i dëgjojmë se si mundohen këta nga LSDM-ja që ta mbrojnë Talat Xhaferin i cili i shante nga nëna të punësuarit në Kuvend“, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Edhe bllokada edhe paralajmërimi për protesta janë hap i gabuar i VMRO-DPMNE-së për shkak se këtë e bëjnë për arsye politike, u përgjigj kryeministri Kovaçevski.

 “Deri më tani, thosha opozita, megjithatë është e qartë se nuk është opozita, por bëhet fjalë vetëm për VMRO-DPMNE-në, për shkak se shohim se partitë e tjera kanë qasje më serioze se opozita. Këtë e bëjnë për arsye personale dhe politike me qëllim që të sigurojnë pozita brenda partisë. Unë edhe një herë u bëj thirrje të gjithë deputetëve në Kuvend të jenë në nivel të detyrës që e kanë jo para partisë por para qytetarëve”, pohoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Tashmë një javë VMRO-DPMNE e bllokon Kuvendin për të gjitha, siç thonë ata, ligjet e dëmshme. Prej kësaj partie paralajmëruan se do ta bllokojnë edhe zgjedhjen e gjykatësve kushtetues.