Pas 7 vitesh hapet Teatri Shqiptar i Shkupit, ASh-AAA: BDI e ka vendin në bankat e të akuzuarve

TË FUNDIT

Pas shumë shumë premtimesh më në fund u hap Tetari kombëtar shqiptar i Shkupit. Të parët që e shijuan ambientin e ri të objektit teatror, rikonstruimi i të cilit zgjati 7 vjet, ishin përfaqësuesit e BDI-së dhe të punësuarit. Ndërkaq nuk u panë përfaqësues të opozitës shqiptare ASH-AAA, në hapjen zyrtare.
Përfaqësues nga ky koalicion në muret e godinës së teatrit ngjitën fotografi me figurat e Ali Ahmetit, Bujar Osmanit dhe Artan Grubit, me mbishkrimin “shkatërrues të kulturës shqiptare”. Akuzojnë për keqpërdorim të teatrit, ngaqë siç thonë, BDI nuk ka merita, por ka faj për prolongimin e hapjes së dyerve për publikun.

“Ata përveçse nuk kanë asnjë meritë për këtë rihapje kanë edhe faj për vonesën më shumë se shtatë vite. Kanë faj për keqpërdorimin e parave të qytetarëve, për lënien papunë të artistëve dhe pa shfaqje artdashësit. Ata kanë edhe faj të madh kombëtar, faj për shkatërrimin e kulturës shqiptare me çdo veprim dhe vendim. Ju zotërinj shkatërrues të kulturës shqiptare, duhet të jepni llogari dhe të mbani përgjegjësi, për ju nuk ka vend në ulëset e teatrit, por në bankat e të akuzuarve”, thanë nga ASh-AAA-ja.

Menjëherë pas kësaj reaguan nga BDI.

“Bashkimi Demokratik për Integrim konsideron që mungesa e ideve, mospasja e projekteve të realizuara nga ta, nihilizmi kronik ndër vite dhe prirja vandale e opozitës shqiptare i neverisë qytetarët dhe është një nga arsyet për dështimet e tyre të njëpasnjëshme”, thanë nga BDI-ja.

Teatri Kombëtar i Shkupit nisi të rinkonstruohet që nga viti 2014 dhe duhej të përfundonte në vitin 2016. Para kamerës së TV21 në vitin 2017 vetë drejtori Adem Karaga pati thënë se Teatri do të hapet po atë vit.

“Planifikojmë edhe një premierë shtesë që do të shënojë hapjen e objektit. A nënkupton kjo që këtë vit do të hapet teatri? Ne shpresojmë që po”, pati deklaruar Karaga më 10.02.2017.

Prej fillimit të nisjes së punimeve me Ministrinë e Kulturës kanë udhëhequr ministra të partive të ndryshëm, të cilët u patën zotuar për hapjen e teatrit, por pa sukses. E fundit në nëntor të vitit të kaluar premtoi ministrja aktuale nga radhët e LSDM-së.

“Unë kam një lajm të mirë për Teatrin Shqiptar në Shkup, ne kemi punuar shumë dhe ajo që dua të them është se ndërtesa ka marrë një pranim teknik rreth 15 ditë më parë, dhe së dyti, një pjesë e borxheve janë sanuar në mënyrën më ligjore dhe legjitime, kështu që unë pres së shpejti në kushtet e Covid për fat të keq edhe ajo skenë një nga skenat e bukura në qytet të punoj”, pati deklaruar Stefoska më 07.11.2020.

Punët ndërtimore kanë përfunduar në vitin 2019, atëherë pati edhe një përplasje mes LSDM-së, BDI-së dhe Alternativës, se kush është meritor për teatrin ne ri shqiptar, gjë që e mbajti teatrin në dry. Vijuan probleme me kulmin e godinës, e cila pikonte në disa vende kur kishte të reshura. Më pas kishte fatura të rrymës të papaguara, të cilat u shlyen.
Përndryshe që nga fillimi i rikonstruimit të godinës së teatrit janë shpenzuar mbi 10 milion euro. Teatri u rihap me videoprojeksionin e shfaqjes “Bregu i pikëllimit” me rastin e ditëlindjes apo 71 vjetorit të premierës së parë të Teatrit Shqiptar në Shkup.