Pas 28 vitesh udhëtim në këmbë, rreth 50 mijë kilometra të përshkuara dhe 29 shtete të vizituara, aventurieri britanik Karl Bushby është kthyer në vendlindjen e tij, në qytetin Hull të Anglisë, ku është pritur me emocione dhe duartrokitje nga familjarët dhe banorët, përcjell TV21. 57-vjeçari, ish-parashutist i ushtrisë britanike, e nisi këtë aventurë në vitin 1998 nga Kili, duke vendosur dy rregulla të qarta: të mos përdorte asnjë mjet transporti dhe të mos kthehej në shtëpi pa e përfunduar plotësisht udhëtimin.
Karl Bushby has arrived home in Hull after walking 30,000 miles over the last 28 years. He set off from southern Chile in 1998, aged 28, promising to walk all the way home. Sky’s @ShingiMararike caught up with Karl as he headed home to see his mum https://t.co/0ZdrgsUYse https://t.co/FYvZpA39By
— Sky News (@SkyNews) November 2, 2026
Pas përshkrimit të mijëra kilometrave nëpër kontinente, Bushby mbërriti të martën në mesditë para shtëpisë së nënës së tij, Angela, e cila e përqafoi mes emocionesh. Pas 28 vitesh, ai u ribashkua edhe me djalin e tij 36-vjeçar, Adam, ndërsa për herë të parë takoi edhe mbesën 12-vjeçare.
“Të ecja në rrugën e fëmijërisë sime, deri te shtëpia ku kam lindur, ishte një moment i mbushur me emocione të forta”, deklaroi Bushby.
Gjatë udhëtimit të jashtëzakonshëm, ai përshkoi të gjithë kontinentin amerikan, kaloi ngushticën e Beringut nga Alaska në Rusi dhe vazhdoi përmes Azisë Qendrore dhe Evropës.
Ndër sfidat më të vështira ai veçoi kalimin nëpër xhunglën e Darienit, mes Panamasë dhe Kolumbisë, si dhe udhëtimin nëpër Alaskë. Për të hyrë në disa shtete u përball edhe me probleme të shumta me vizat, ndërsa një tjetër sfidë ishte kalimi me not i Kanalit të La Manshit.
Udhëtimi u ndërpre disa herë për shkak të pengesave të ndryshme. Vetëm problemet me vizat, kriza financiare e vitit 2008 dhe pandemia e COVID-19 i morën gjithsej 14 vite nga 28 vitet e aventurës së tij.
Më 5 tetor, Bushby mbërriti në Britaninë e Madhe pasi kaloi me not Kanalin e La Manshit nga Franca. Në bregdetin pranë Doverit e pritën disa familjarë, mes tyre edhe babai i tij.
“Është mirë ta ndiej përsëri tokën britanike nën këmbë pas gjithë këtyre viteve. Nuk ishte e lehtë, por pikërisht ky ishte qëllimi: të dëshmoja se mund të bëj më shumë sesa mendoja se isha i aftë”, kishte deklaruar ai.
Aventurën e tij e ka ndjekur edhe regjisori i njohur gjerman Werner Herzog, i cili po përgatit një dokumentar me titull “Walk of Life”. Ekipi i filmit e ka shoqëruar Bushbyn gjatë kthimit të tij, ndërsa kompania produksionale e ka mbështetur financiarisht dhe logjistikisht udhëtimin për 16 vite.
Edhe pse gjatë vitit të ardhshëm planifikon të mbajë ligjërata për të rrëfyer përvojën e tij, Bushby pranon se përshtatja me jetën e zakonshme mund të jetë një tjetër sfidë.
“E vetmja mënyrë për ta kapërcyer këtë është të gjej një mision të ri, një pasion të ri. Dhe pikërisht këtë planifikoj të bëj”, tha aventurieri britanik.
