LSDM akuzoi VMRO-DPMNE-në se nuk synojnë reforma në Kodin Zgjedhor, por “vjedhje zgjedhore” dhe manipulim me rreth 200 mijë votat e diasporës. Nga partia opozitare thanë se agjenda reformuese po përdoret si alibi dhe se do të mbrojnë votën e qytetarëve nga keqpërdorimet dhe manipulimet.
“Qeverinë teknike e shfuqizoi me forcë dhe pa konsensus. Pasi nuk i kaloi modeli për votimin elektronik të diasporës, u përpoq të shtyjë përpara një model të ri për votim me postë – sërish pa asnjë kontroll dhe pa garantuar vullnetin e qytetarëve. Problemi është te pushteti, te Mickoski, i cili dëshiron të manipulojë me 200 mijë vota”, thonë nga LSDM.
Sipas LSDM-së, e njëjta VMRO që pretendonte se tashmë kishte siguruar marrëveshje me Levicën dhe BDI-në, tani po përpiqet ta zhvendosë problemin te LSDM-ja.
E nga VMRO-DPMNE edhe sot u bënë thirrje partive opozitare, LSDM-së, BDI-së dhe Levicës, që të merren vesh mes vete për Kodin Zgjedhor, ndërsa sigurojnë se DPMNE-ja do të pranojë gjithçka që do të kërkojnë, vetëm që diaspora të votojë në mënyrë elektronike ose me postë.
“Të ulen dhe të merren vesh për një njësi zgjedhore, të ulen dhe të merren vesh për modelin e financimit, të ulen dhe të merren vesh për ankesat dhe mënyrën se si ato do të ishin të pranueshme dhe, përfundimisht, të ulen dhe të merren vesh edhe për modelin e deklarimit të diasporës. Gjithçka që këto parti opozitare do të na propozojnë neve, ne do ta pranojmë”, shtoi Valentin Manasievski, zëdhënës I VMRO-DPMNE-së.
BDI-ja akuzon VMRO-DPMNE-në se është tërhequr nga marrëveshja për votimin elektronik të diasporës, duke kërkuar konsensus ndëretnik dhe ndërpartiak, ndërsa VLEN-i kërkon që diaspora të votojë përmes një forme të sigurt dhe transparente, qoftë elektronike apo me postë.
