Partitë të gatshme për zgjedhje, por pas koronës, ASH-AAA kërkojnë të mbahen në verë, BESA sa më shpejtë, BDI s’e ka problem

TË FUNDIT

Kreu i LSDM-së Zoran Zaev kërkon që zgjedhjet të mbahen sa më shpejtë të mundet, e si propozim ka hedhur mesin e qershorit, ndërsa oponenti i tij politik, kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski propozon gjysmën e parë të korrikut. Po cili është qëndrimi i partive shqiptare për afatin e zgjedhjeve që duhet të caktohet javën e ardhshme në takimin e liderëve tek Presidenti?

Artan Grubi nga Bashkimi Demokratik për Integrim thotë se nuk e kanë problem kohën.

“Ne kemi porositur një anketë edhe vetë si parti politike, voluminoze, që të shohim vullnetin e qytetarëve dhe kjo na bën të hezitojmë pranimin e zgjedhjeve sa më herët. Në qoftë se nesër shpallet fitore ndaj virusit COVID-19 dhe qytetarët ndihen të lirë për të marrë pjesë në zgjedhje, le të bëhen zgjedhjet edhe në muajin maj, edhe në qershor, edhe në korrik, ne jemi të gatshëm sepse ishim të gatshëm edhe në muajin maj edhe në prill”, tha Artan Grubi, BDI.

Edhe Kreu i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela pohon se periudha më e mirë për zgjedhje është kur të mos ketë më raste të reja me virusin korona.

“Pritjet janë që virolenca ose sëmundshmëria e koronavirusit bie në periudhë të temperaturave të larta prandaj ne si Aleancë për Shqiptarët mendojmë se periudha më e mirë për të mbajtur zgjedhje do të jetë periudha kur temperaturat do të jenë më të larta në vend dhe kjo periudhë për Maqedoninë është fundi i korrikut ose fillimi i gushtit. Pse jo vjeshta? Sepse paralajmërimet janë që pritet valë e re e koronavirusit në vjeshtë?”, tha Ziadin Sela, kryetar i Aleanca për Shqiptarët.

Nga Lëvizja Besa kërkojnë që zgjedhjet të mbahen në afat sa më të shpejtë por pa e rrezikuar shëndetin e qytetarëve.

“Ne fillimisht do të kishim dashur që sa më shpejtë që është e mundur të kalohet kjo situatë, të lirohet restrikcionet që janë vendosur dhe nëse plotësohen kushtet për të mos e vendosur në rrezik jetën e qytetarëve normalisht që do të ishim pajtuar që zgjedhjet të ishin mbahen në afat sa më të shpejtë të mundshëm”, tha Arjanit Hoxha, Lëvizja Besa.

Alternativa më konkrete në qëndrimin e saj.

“Konsiderojmë se pasi tashmë ndodhi shtyrja, atëherë më e përshtatshme do të jetë koha e korrikut, gjegjësisht fundi i korrikut dhe besojmë se ky do të jetë edhe qëndrimi i Alternativës në takimin e radhës të liderëve tek kryetari i shtetit”, tha Skender Rexhepi, Alternativa.

Kreu i PDSH-së dje u shpreh “pro” zgjedhjeve sa më shpejt që mundet për të siguruar pushtet funksional,  por kërkoi që partitë të dakordohen se si do të jenë zgjedhjet sa njerëz do të marrin pjesë në ato tubime, shifra dhe të ngjashme.

Javën e ardhshme, mes 11 dhe 15 majit, krerët e partive kryesore në vend do të mblidhen tek Presidenti në “Vilën Vodno” për tu marrë vesh për një afat për zgjedhje.