Partitë startuan me fushatë në ambiente të mbyllura dhe të hapura, pa i respektuar protokollet të cilat në maj ishin propozuar nga ana e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, e të cilat ishin miratuar nga Qeveria.
Dje në Prespë, BDI-ja duke e promovuar kandidatin e tyre për kryeministër, të pranishmit mbanin distancë, por pas përfundimit të ngjarjes vijoi tubimi dhe përqafime pa maska.
Pamja nuk ishte ndryshe as në bregun e Liqenit të Ohrit. Në tubimin që e organizoi VMRO-DPMNE-ja, as publiku, e as folësit dhe deputetët e ardhshëm nuk mbanin distancë.
Zyrtarët policorë që ishin në terren, disa herë ua tërhoqën vëmendjen të pranishmëve për mbajtje të detyrueshme të maskave. Disa i pranuan vërejtjet, e disa shkaktuan probleme.
-“Të gjithë aktivistet e partive gjatë fushatës, por edhe para saj, duhet të zhvillohen vetëm duke e respektuar distancën fizike prej 1.5 – 2 metrave, e cila është rekomanduar dhe mbetet të vlejë gjatë periudhës që vijon. Mbajtja e maskës mbrojtëse apo ndonjë mbulese në gojë dhe hundë është e detyrueshme gjatë realizimit të të gjitha aktivisteve, gjatë dhe para fushatës”, tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.
Deklarata e ministrit të Shëndetësisë, në të cilën i theksoi masat për mbrojtje nga koronavirusi, ishte respektuar në Strumicë gjatë tribunës së LSDM-së.
Folësit dhe publiku ishin me maskë dhe mbanin distancë prej 2 metrave.
Në 24 orët e fundit, MPB-ja ka regjistruar 643 shkelje për mosmbajtje të pajisjeve mbrojtëse.
Në disa takime me qytetarët që i organizuan partitë politike, nuk kishte as mjete për dezinfektim të duarve.
