Parqet për 1 Maj thuajse bosh, tollovi nëpër vendkalime kufitare

TË FUNDIT

Një grup të rinjsh po bëhen gati për piknik. Ata kanë dalë në parkun e Sarajit për të festuar 1 Majin, por u befasuan nga atmosfera jofestive që këtë vit po mbizotëron.

“Kemi dalë ekstra për 1 Maj, shpresuam se do të kishte më tepër lëvizje, por për shkak të pandemisë dhe Ramazanit, orës policore, siç duket nuk ka shumë njerëz, por gjithsesi mendoj që do të jetë mirë. Edhe koha nuk na premton shumë, por gjithsesi duhet të jemi pak pozitivë, do ta bëjmë një atmosferë më ndryshe”, tha kjo qytetare.

Edhe qytetarët e tjerë që zakonisht 1 Majin e kalojnë në parkun e Sarajit, thonë se është hera e parë që e shohin në këtë gjendje parkun.

“Çfarë të them nuk po kalojmë mirë, sepse pandemia, Ramazan. Plot ka qenë, si sot se kam parë ndonjëherë por… varet tani është pandemia dhe këto kushtet”, u shpreh ky qytetar.

“Po kemi dalë për 1 Maj, që të shihemi me familjen të kalojmë bukur. Është një park i mrekullueshëm, njëri nga më të mirët në Shkup, prandaj jemi këtu”, deklaroi një tjetër.

Edhe Matka nuk e kishte energjinë e zakonshme, të cilën jemi mësuar ta shohim për 1 Maj, po edhe gjatë fundjavave. Grupe njerëzish kishte tek tuk.

Pak makina e pak frekuencë qytetarësh edhe në Banjën e Tetovës. Sikurse në Shkup edhe në Tetovë qytetarët thonë se nuk po festojnë sot siç e kanë traditë me zgara , ngaqë po agjërojnë.

“Shkaku i Ramazanit nuk e festojmë. 1 Maji është për punëtorët, 90% nuk punojnë njerëzit, ku janë punëtorët”.

Derisa parqet janë të zbrazura, e kundërta po ndodh nëpër pikat kufitare në Tabanoc dhe Bllacë, ku shihen kolona të gjata të makinave, ndërsa raportohet se ka pritje deri në një orë. Nga Ministria e Punëve të Brendshme, për TV21 thonë se kolonat e gjata të veturave janë si pasojë se ka probleme teknike në kontrollimin e udhëtarëve.