Nga gjysma e dytë e shtatorit Parku Kombëtar “Mavrovë” do të pasurohet me një park zbavitës me qëllim që ta zgjerojë ofertën turistike, njoftoi menaxheri i “Mauntain Ekspirians”, Konstantin Ciriviri. Janë paraparë përmbajtje për fëmijë dhe të rritur për argëtim familjar. Por, përfitimi më i madh është se qytetarët që do të vijnë do të mund ta shijojnë natyrën dhe të frymojnë ajër të pastër.
“Funksionalisht, parku përbëhet nga dy njësi: njësia e parë është për të rritur e cila ka edhe pjesë adrenaline, siç janë pengesat mes drurëve me 12 sekuenca dhe një zip linjë në gjatësi prej 80 metrave. Sipërfaqja e përgjithshme e pjesës për të rriturit është 270 metra, kurse pjesa për fëmijët përbëhet nga një zip linjë në gjatësi prej 50 metrave dhe pengesa adrenaline të gjata deri 70 metra”, tha Konstantin Ciriviri.
Kontraktuesit janë kompania “Bozhinovski Inxhenering” nga Tetova e cila është përgjegjëse për pjesën e ndërtimit dhe “Mauntain Ekspirians” e cila do të merret me pjesën zbavitëse. Parku është vendosur te fshati Velebërdo, kurse gjatë periudhës që vijon do të rregullohet edhe rruga me qëllim që të jetë e qasshme për vizitorët. Duke pasur parasysh vendndodhjen territoriale, priten turistë nga vendi, por edhe nga jashtë. Ky është parku i parë i këtij lloji në Parkun Kombëtar “Mavrovë”, kurse i treti në vend.
