Paralajmërohen investime në Kodrën e Diellit por shumë vila janë ngritur pa leje, kanë ndërtuar edhe deputetët

TË FUNDIT

Kështu do të duket ski-qendra në Kodrën e Diellit. Kompania italiane “TechnoAlpin” paralajmëron investim gjigand, dy hotele të reja spa dhe rinovim të dy hoteleve ekzistuese. Do të ndërtohen vikend-shtëpi pranë qendrës së skijimit dhe dy shtëpiza malore me 160 vende. Gjithashtu është paralajmëruar ndërtimi i një restoranti për ushqim për me vete, tre parkingje dhe rrugë të reja që do të çojnë në hotelet e reja.

Dëshira për të pasur vikend shtëpi në Kodrën e Diellit ka bërë që shumë individë të uzurpojnë tokë shtetërore dhe të ndërtojnë objekte edhe pse nuk kanë as fletë pronësie për parcelën dhe as leje për ndërtim. Ka mbi 100 vila pa leje, mirëpo a i bën kjo problem investitorit dhe a është i njëjti i informuar për ndërtimet pa leje?

“Vikend lagia nuk është e lidhur me investimin, por ne përkrahim qeverisjen lokale që të zgjidh problemin. Jo vetëm në Kodrën e Diellit, në gjithë shtetin kemi problem me ndërtimet e egra e kjo duhet të zgjidhen në tërë vendin, edhe në kodrën e Diellit, në Mavrovë, në Ohër dhe gjitha qytetet e tjera dhe komunat për fat të keq”, pohoi Naser Nuredini – ministër i Mjedisit.

Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami një muaj më parë në TV21 tha se objektet në fjalë nuk mund të prishen, sepse për të njëjtat është aplikuar për legalizim, e vendim për to do të ketë në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, nga ana e këshillit të formuar në komunë.  Mes tjerash Kasami tha se objekte pa leje kanë edhe funksionarë shtetëror.

“A ka politikan që kanë kërkuar të legalizojnë e kanë ndërtuar pa leje? Po ka. Ish kryetarë të komunës së Tetovës, ish ministra, ish funksionarë? Ka deputetë aktual në Parlament, që kanë kërkesë për legalizim. Sa deputetë janë? Tani… unë po jap informatë se ka deputetë dhe drejtorë që janë në procedurë të legalizimit. Domethënë kanë ndërtuar pa leje. Po, pa leje. Në tokë të shtetit”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.

Pistat e skive, sistemet e borës artificiale, objektet akomoduese, parkingjet, skiliftet, teleferiku, objektet hotelierike, si dhe shtëpizat malore, janë pjesë e planit për zhvillimin e qendrës së skijimit në Kodrën e Diellit. Bëhet fjalë për një investim mbi 180 milionë euro, i cili duhet të realizohet duke filluar nga viti 2023 edhe atë në gjashtë faza investimi, e para prej të cilave kap vlerën e gati 55 milionë eurove.