Para 1 viti bashkë, tani të ndarë! Ahmeti për Grupin e zjarrit: I mërzitur po, i shqetësuar jo

TË FUNDIT

As përvjetori i vdekjes së Gjergj Kastriot-Skenderbeut nuk i bashkoi.

Ndonëse 1 vit më parë kreu i komunës së Çairit Visar Ganiu, vendosi lule tek përmendorja e Skenderbeut bashkë me Ahmetin dhe bashkëpartiakët e tjerë, këtë vit nuk ishte as i pranishëm.

Kjo për shkak se Ganiu tani është bashkë me “grupin e zjarrit”.

Në deklaratë për media, kreu i integristëve Ali Ahmeti tha se askujt nuk i është ndaluar që të vijë e të shënojë 555 vjetorin e Skenderbeut.

 “Skënderbeun këtu e ka ngritur BDI, vendimi është i Qytetit të Shkupit dhe kjo është vepër kapitale, monumentale dhe është përcaktim ideor, strategjik, politik i BDI-së”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Edhe se kishte pyetje shumë në lidhje me “grupin e zjarrit”, Ahmeti tha se është i lodhur dhe nuk deshi të flasë gjatë mbi këtë temë.

 “Për ditë tani nuk do të flasim për këtë temë. I mërzitur dhimbje shpirtërore po, por shqetësim jo”, pohoi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Nënkryetari i BDI-së Izet Mexhiti kritikoi se në BDI nuk ka më demokraci. Sipas Ahmetit, qasja e tyre është e gabuar, por shtoi se ata vazhdojnë të mbesin shokë dhe bashkëpunëtorë të tij.

 “Jo, nga BDI-ja askush nuk është përjashtuar deri më tani. Këta janë shokë të mi, bashkëpunëtorë të mi, e kanë shumë gabim qasjen, analizat që i bëjnë, do të thotë unë jam Kim Jong-un si e ka emrin ky i Koresë së Veriut. BDI është, unë mendoj një nga partitë më demokratike, më e hapura në këto hapësira dhe akoma më shumë do të punojmë që të jemi sa ma transparent sa ma llogaridhënës, kështu që nuk ka të bëjë kjo me diktaturën”, thesksoi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Pasi nuk arritën të gjejnë zgjidhje në debatin brenda partisë, të dy palët kanë nisur takimet me qytetarët në terren. Ahmeti sonte vazhdon me tubim  në Gostivar, ndërsa “grupi i zjarrit” aktivitetin e radhës e ka nesër Teatrin Kombëtar të Maqedonisë me rininë e Shkupit.