Edhe një javë fillon sesioni i provimeve, por studenti Visar Neziri nuk e di se si dhe ku do t’i mbajë provimet. Kjo sepse fakulteti ku studion, ai i Mjekësisë në Shkup ende nuk ka publikuar zgjidhjen.
Provimet i ka paraqitur në formë online, ndërkaq nuk ka mundësi të zgjedhë datën e tij, sepse tash do të ketë vetëm një afat të provimeve.
“Në e-mail te të gjithë studentëve ka ardhur njoftimi se provimet duhet të paraqiten në mënyrë elektronike. Kjo është vazhdimësi e asaj më herët që ka qenë, por çfarë ndryshime do të ketë më tutje, nuk ka asnjë informacion. Më parë, te paraqitja e provimeve kemi pasur dy afate, kurse tash kjo nuk është e caktuar dhe nuk dihet saktë se si do të mbahen”, tha Visar Neziri, student i mjekësisë.
Ndryshe nga Visari, studenti Senad Doshlaku që studion arkitekturë në Universitetin e Tetovës e di se provimet do t’i mbajë në universitet, por nuk e di se kur do t’i mbajë të njëjtat se ende nuk janë publikuar datat e provimeve.
Senad Doshlaku, student i arkitekturës:
-“Provimet do t’i mbajmë në mënyrë fizike në hapësira të objektit të universitetit. Kuptohet duhet të marrim maska dhe doreza dhe ta ruajmë distancën”.
TV21: Do të ketë mundësi që ta mbani distancën?
-“Po, besoj se do të mundeni pasi studentat që jemi në grup do të ndahemi në një numër të caktuar dhe kjo do të jetë më e sigurtë. Kjo do të dallojë prej herave tjera që provimet i kemi mbajtur me më shumë studentë apo tërë grupi, kësaj radhe do të jetë numri më i reduktuar”.
Ndryshe nga këto drejtime që kërkojnë provime me demonstrim në terren, fakultetet tjera është njoftuar se do t’i mbajnë provimet në formë elektronike ashtu siç i kanë mbajtur ligjeratat.
Se çfarë do të ndodh me studentët e mjekësisë, ende nuk ka vendim as Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Ministri Arbër Ademi.
“E dimë se në disa programe studimore dhe në disa lëndë të caktuara nuk ka pasur mundësi të organizohen këto provime dhe nuk kemi insistuar që të organizohen provime në lëndë të cilat është e pamundshme. Në kurri të cilësisë, në kurriz të kualitetit tash ashtu siç po ndryshojnë rrethanat mund të ndryshojnë edhe masat tona”, tha Arbër Ademi, ministër i arsimit dhe shkencës.
Në universitete studentët nuk pritet të kthehen vetëm gjatë provimeve. Drejtimet e Bikomisë pritet t’u rikthehen edhe ushtrimeve, për faktin se njësitë mësimore nuk kanë mundur t’i demonstrojnë në formë online. Ligjeratat që nga muaji mars janë zhvilluar në formë online, për shkak të masave për parandalim të virusit korona.
