Haaland ‘i rrëmben’ kurorën Cristiano Ronaldos, e mposht në garën e imazhit

0

Erling Haaland po konfirmon se ndikimi i tij shkon përtej fushës së lojës. Sulmuesi norvegjez i Manchester Cityt ka lënë pas Cristiano Ronaldon në renditjen e futbollistëve më të marketueshëm në botë, sipas klasifikimit të fundit të publikuar nga revista SportsPro.

Në listën e vitit 2026, Haaland renditet në vendin e katërt në klasifikimin e përgjithshëm të sportistëve, duke qenë futbollisti i vetëm në dhjetëshen e parë. Në krahun tjetër, Cristiano Ronaldo ka pësuar një rënie të ndjeshme, duke zbritur nga vendi i pestë që mbante një vit më parë në pozicionin e 14-të.

Renditja bazohet në disa kritere, mes tyre fuqia e markës personale, ndikimi, potenciali i rritjes dhe mundësitë komerciale që ofron secili sportist. Në studim janë analizuar 1,202 atletë nga 70 sporte të ndryshme, duke u mbështetur në të dhënat e periudhës korrik 2025 – qershor 2026.

Një rol në rritjen e popullaritetit të Haalandit ka luajtur edhe prania e tij në platformat digjitale. Kanali i sulmuesit në YouTube, i hapur në tetor 2025, ka grumbulluar rreth 4.6 milionë abonentë dhe afro 250 milionë shikime.

Pas norvegjezit, futbollisti i radhës në klasifikim është Kylian Mbappé, në vendin e 19-të, i ndjekur nga Vinicius Junior në vendin e 20-të dhe Lamine Yamal në të 23-in. Lionel Messi pozicionohet në vendin e 27-të.

Duhet theksuar se ky klasifikim nuk përcakton pasurinë apo të ardhurat e sportistëve, por mat fuqinë e tyre si marka dhe potencialin për të gjeneruar vlerë në tregun komercial. Ronaldo, pavarësisht rënies në renditje, vazhdon të mbetet një prej emrave më të njohur dhe me ndikim në sportin botëror.

Mickoski: Qeveria do të mbështesë të gjithë banorët e Bërvenicës, pavarësisht se si kanë votuar!

0

Kryeministri Hristijan Mickoski ka reaguar pas humbjes së kandidatit të VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet lokale në Bërvenicë, përcjell TV21.Mickoski akuzoi kundërshtarët për përdorim të kartës nacionaliste dhe për përfshirjen e kandidatëve që, sipas tij, synonin të tërhiqnin votat. Ai falënderoi qytetarët dhe premtoi se Qeveria do të mbështesë të gjithë banorët e Bërvenicës, pavarësisht se për kë kanë votuar.

“Të vetëm kundër të gjithëve. Ne me program zgjedhor dhe koncept, ata me mbështetjen e demografisë, kartën nacionaliste dhe nga ndonjë kalë trojan për të tërhequr votat. Megjithatë, rritja e votave nga raundi i parë është e qartë dhe e pastër, nga 3.000 në 4.200, ndërsa krahasuar me zgjedhjet parlamentare kemi rritje prej 1.300 votash, por fatkeqësisht jo të mjaftueshme për një fitore të plotë. Faleminderit të gjithë banorëve të Bërvenicës që votuan për ne, por edhe atyre që nuk votuan. Të gjithë banorët e Bërvenicës do ta kenë mbështetjen e Qeverisë. Një Bërvenicë për të gjithë është më shumë se një koncept, është mënyrë e të punuarit”, shkroi Mickoski.

Imeri Stafai pas zgjedhjeve në Bërvenicë: Ne nuk ndërtojmë politikë mbi armiqësi dhe përjashtim!

0

Deputetja e VLEN-it, Saranda Imeri Stafai, ka reaguar pas zgjedhjeve në Bërvenicë, duke theksuar se subjekti që përfaqëson nuk mbështetet në ideologji marksiste-leniniste, përcjell TV21. Ajo tha se VLEN beson në demokraci, pluralizëm, lirinë e mendimit dhe respektin për qytetarët, ndërsa kritikoi ideologjitë që, sipas saj, ndajnë shoqërinë dhe nxisin përjashtimin. “Ne përfaqësojmë një frymë tjetër”, shkroi Imeri Stafai.

“Vetëm kundër të gjithëve”, VMRO-DPMNE: VLEN, LSDM dhe Levica, “Kali i Trojës” në Bërvenicë! Qeveria do të vazhdojë mbështetjen

0

VMRO-DPMNE ka pranuar humbjen në zgjedhjet lokale në Bërvenicë, duke falënderuar qytetarët që votuan për kandidatin e saj, Stojanço Radiçevski. Partia pretendon se ka fituar 1.300 vota më shumë krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare, ndërsa akuzon BDI-në për nxitje të ndarjeve etnike dhe LSDM-në e Levicën për ndarjen e votave në favor të saj. VMRO-DPMNE thotë se respekton vullnetin e qytetarëve dhe se do të vazhdojë të investojë në Bërvenicë.

“Një falënderim i madh për çdo banor të Komunës së Bërvenicës që votoi për kandidatin tonë, Stojanço Radiçevski, i cili në programin e tij premtoi një të ardhme më të mirë, më shumë projekte infrastrukturore dhe rrugë të reja. Në kundërshtim me ndarjet përgjatë vijave etnike nga Bashkimi Demokratik për Integrim, të mbështetur drejtpërdrejt dhe tërthorazi në raundin e dytë nga LSDM, Levica dhe VLEN. Ndërsa ne theksuam fuqinë e unitetit për një Bërvenicë për të gjithë, kundërshtarët tanë shfrytëzuan sa më shumë nacionalizmin dhe bënë thirrje që votimi të bazohej në përkatësinë etnike, në vend të një programi, vizioni dhe projektesh. Pas këtyre zgjedhjeve, qytetarët maqedonas dhe shqiptarë do të presin projekte, jo nacionalizëm. Do të presin rezultate, jo demagogji se nga cila parti politike vjen kryetari i komunës. Për ne, rezultati është më shumë se i shkëlqyer, sepse, krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare, kemi 1.300 vota më shumë. Edhe pse kjo nuk mjaftoi për fitore, VMRO-DPMNE ka shënuar rritje në numrin e votave të fituara. Të nderuar qytetarë, në raundin e parë të këtyre zgjedhjeve të parakohshme lokale, ne i mposhtëm plotësisht kundërshtarët tanë të drejtpërdrejtë, LSDM-në dhe partinë politike Levica, të cilat u renditën në vendin e katërt dhe të pestë. Më vjen keq që VLEN në Bërvenicë humbi mundësinë të ishte ndryshe nga BDI-ja, ashtu siç u bë e qartë edhe se kandidatët e LSDM-së dhe Levicës ishin kuaj trojanë në favor të Bashkimit Demokratik për Integrim, për të ndarë votat. Vetëm kundër të gjithëve. Ne respektojmë rezultatin dhe vullneti i qytetarëve është suprem. Megjithatë, Bërvenica nuk do të harrohet. Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Mickoski do të vazhdojë të mbështesë dhe të investojë në zhvillimin e Bërvenicës.

Jotova fiton zgjedhjet presidenciale në Bullgari

0

Ilijana Jotova është fituese e zgjedhjeve presidenciale në Bullgari, sipas rezultateve të numërimit paralel të votave nga agjencia “Alpha Research”, të publikuara nga Televizioni Kombëtar Bullgar (BNT).

Sipas rezultateve nga 100% e mostrës së përpunuar të numërimit paralel, deri në orën 20:00 sipas kohës lokale, Jotova dhe kandidati për nënpresident, Kiril Vëlçev, kanë siguruar 57,4% të votave.

Kundërkandidatët e tyre, Andrej Gjurov dhe Georgi Kandev, kanë marrë 39,6% të votave.

Rezultatet bazohen në numërimin paralel dhe jo në rezultatet përfundimtare zyrtare

Grabitje në shtëpinë e Eder Militaos gjatë El Clasicos, vidhen sende luksoze mbi 350 mijë euro

0

Shtëpia e mbrojtësit të Real Madridit, Eder Militao, është bërë cak i një grabitjeje gjatë zhvillimit të El Clasicos së fundit, ndërsa hajdutët kanë arritur të vjedhin sende luksoze me vlerë mbi 350 mijë euro.

Sipas gazetës spanjolle “El Mundo”, në mesin e sendeve të vjedhura janë dy orë luksoze të markave Rolex dhe Richard Mille, tri çanta Chanel, si dhe unaza e byzylykë Cartier.

Ajo që e bën edhe më shqetësuese ngjarjen është se familjarët e futbollistit ndodheshin në katin e poshtëm të shtëpisë, duke ndjekur ndeshjen, pa e kuptuar se në katin e sipërm po kryhej grabitja.

Alarmi i sigurisë ishte i çaktivizuar, ndërsa familjarët u njoftuan për atë që kishte ndodhur vetëm pas mbërritjes së policisë.

Militao ka angazhuar tashmë një specialist për të ndihmuar në gjetjen dhe rikuperimin e sendeve të vjedhura, disa prej të cilave kanë edhe vlerë të madhe sentimentale për futbollistin.

Arkin Jahiji shpalli fitore, feston në Bërvenicë

0

Festimet kanë nisur në Bërvenicë, ku kandidati i AKI-së, Arkin Jahiji, së bashku me simpatizantë dhe aktivistë të partisë, kanë dalë për të festuar me daulle pas përfundimit të votimit në zgjedhjet lokale.

Festimi ka nisur ende pa u publikuar rezultatet e para zyrtare nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), i cili pritet të mbajë konferencë për media në orën 21:00.

Fitorja në Bërvenicë, Ali Ahmeti ndjek festën nga selia e BDI-së në Tetovë

0

Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani ka publikuar një fotografi të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, pasi Arkin Jahiji nga koalicioni i AKI-së, shpalli fitore në Bërvenicë, përcjell TV21. Ahmeti shihet duke ndjekur festën nga Selia e BDI-së në Tetovë.

Stojanoska: VLEN luajti rolin e kalit të Trojës në favor të BDI-së!

0

Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanoska, akuzoi koalicionin VLEN se në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Bërvenicë mbështeti kandidatin e AKI-së, në vend që të dëshmonte se dallon politikisht nga BDI-ja.

Gjatë një paraqitjeje në televizionin Sitel, Stojanoska vlerësoi se VLEN, me këtë veprim, shpërndau votat dhe luajti në favor të BDI-së.

“Mendoj se luajtën rolin e kalit të Trojës dhe vepruan në favor të BDI-së, përkatësisht shpërndanë votat e elektoratit”, deklaroi Stojanoska.

“Ultimatumi i popullit”, protesta e pestë për Arlindën, qytetarët me thirrje të ashpra ndaj institucioneve

0

Me pankartat “Ultimatumi i popullit” dhe “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”, e me fishkëllima dhe lëshim të altoparlantit, ka nisur sonte marshi protestues nga sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, në shenjë revolte ndaj vrasjes së grave.

“Burrat vrasin gratë, shteti iu ndihmon”, “Shteti i ka duart me gjak”, ishin disa nga thirrjet në protestë.

Protestuesit me këtë rast vazhduan të kërkojnë dorëheqjen e ministrave të Drejtësisë, Donika Gërvalla dhe atij të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Në marshin drejt Qeverisë, ata lexuan letrën e Arlinda Zekajt që ia kishte dërguar kryeprokurores para se të ndodhë tragjedia. Ndërkohë gjatë gjithë kohës, në të gjitha hapësirat drejt destinacionit ka prani policore për të ruajtur rendin e protestës. 

Protesta e pestë radhazi po mbahet pas vrasjes makabre së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, më 25 tetor, nga kunati i saj.

Kujtojmë, 11 zyrtarë policorë janë suspenduar në lidhje me rastin tragjik në Vitomiricë të Pejës.

Po ashtu, janë suspenduar kryeprokurorja dhe prokurorja e Pejës, ndërsa dorëheqje ka dhënë drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.