Thirrjet nacionaliste në stadiume, Ministria e Bashkësive nis iniciativë me tifo-grupet për t’i ndalur

0

Nxitje të urrejtjes ndëretnike nëpër stadiume të futbollit shoqëria jonë ka parë pothuajse në secilën ndeshje të nxehtë. Edhe atëherë kur nuk kanë luajtur ekipe të dy etniteteve më të mëdha në vend, thirrjet nacionaliste nuk kanë munguar. Ministria për marrëdhënie ndërmjet bashkësive thirri në takim përfaqësues të dy tifogrupeve Komitët dhe Shvercerat, por dhe përfaqësues të Federatës së futbollit të Maqedonisë , Ministrisë së sportit, të policisë e të tjerë.

 “Gjatë ndeshjeve sportive kanë qenë jo korrekt në këndimet apo brohoritjet e tyre me gjërat që janë ofenduese, që nxitin urrejtjen apo që kanë përmbajtje politike, po ashtu me prapavijë të nxitjeve të tensioneve dhe për këtë shkak biseduam shumë haptas me të gjithë dhe ju thamë që jemi të hapur për të ndihmuar në këtë problematikë”, theksoi Agon Ferati, ministër i Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive .

Ministri Ferati tha se vetë partitë politike në disa raste bëjnë nxitje të urrejtjes ndëretnike, sidomos kur afër janë fushatat parazgjedhore. Ai tha se përveç masave ndëshkuese nga autoritet e rendit, ky projekt ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së qytetarëve që mos të bien pre e disa grupeve të vogla të interesit.

 “Rrethanë lehtësuese është ajo që së fundmi nuk kemi ndonjë paralajmërim për zgjedhje të parakohshme dhe kjo na jep mundësi që në mënyrë të qetë të punojmë në këtë drejtim sepse kjo është një çështje që merr një kohë më të gjatë nuk është se vetëm mundet me një takim ose me një vendim të vetëm që të përmirësohen punët. Kjo duhet të zhvillohet në një formë të njëtrajtshme dhe për një periudhë shumë më të gjatë”, tha Agon Ferati, ministër i Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive.

Sipas të dhënave të Ministrisë së brendshme për sezonin 2025 dhe deri në prill 2026, Federata e Futbollit të Maqedonisë ka raportuar 5 ndëshkime për thirrje nacionaliste dhe 3 ndeshje pa publik. Ndërsa, për sezonin futbollistik 2024/2025, Federata e Futbollit të Maqedonisë raportoi 4 dënime për brohoritje nacionaliste dhe një masë me ndalim të pranisë së publikut për 4 ndeshje. Përndryshe, në vitin 2024, policia ka evidentuar 83 raste të prishjes së rendit dhe qetësisë në ngjarje sportive, prej tyre, 57 ishin në ndeshje futbolli. Në raportin e Ministrisë së brendshme thuhet se ndër format e sjelljes ishin edhe pankartat apo thirrjet dhe nxitja e urrejtjes mbi bazë fetare, racore dhe kombëtare.

Delegacion i RMV-së në Arabinë Saudite, morën pjesë në seancën e Këshillit të Shurës

0

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, gjatë vizitës zyrtare në Mbretërinë e Arabisë Saudite, ka marrë pjesë në një seancë të Këshillit të Shurës, përcjell TV21. Pas seancës, Gashi ka vizituar edhe hapësirat e këtij institucioni, duke u njohur nga afër me funksionimin e tij dhe rolin që ka në sistemin parlamentar dhe institucional të Arabisë Saudite. Gashi e ka cilësuar vizitën si një mundësi për të njohur më nga afër punën dhe organizimin e Këshillit të Shurës.

“Gjatë vizitës zyrtare në Mbretërinë e Arabisë Saudite, mora pjesë në seancën e Këshillit të Shurës, pas së cilës pata mundësinë të vizitoj edhe hapësirat e tij. Vizita ishte një mundësi për t’u njohur nga afër me funksionimin e këtij institucioni të rëndësishëm dhe me rolin e tij në sistemin parlamentar dhe institucional të Arabisë Saudite”, ka shkruar Gashi, i cili në Riad po qëndron nën shoqërimin e koordinatorëve të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, atë LSDM-së, Oliver Spasovski dhe të deputetit Adnan Azizi.

Konferencën rajonale për femicidin, mbi 50 mijë gra vriten çdo vit

0

Mbi 50 mijë gra dhe vajza në vit vriten nga partneri intim ose një anëtar i familjes. Kjo u theksua në konferencën rajonale për femicidin në Evropën Juglindore, që nisi sot në Kuvend, përcjell TV21. Sipas të dhënave të prezantuara, në vitin 2024 në botë u vranë 83 mijë gra dhe vajza. Rreth 50 mijë prej tyre u vranë nga partneri ose një anëtar i familjes, që do të thotë mesatarisht 137 gra dhe vajza çdo ditë.

Në konferencë u theksua se femicidi nuk duhet të shihet si problem privat familjar, por si pasojë e dhunës së vazhdueshme me bazë gjinore. Nënkryetarja e Kuvendit, Vesna Bendevska, tha se rajoni ka përparuar në kuadrin ligjor, por mbeten probleme me të dhënat dhe zbatimin e ligjeve. Maqedonia e Veriut ka forcuar qasjen ligjore ndaj dhunës me bazë gjinore, përfshirë ndryshimet e Kodit Penal në vitin 2023.

Yamal: Dua Ligën e Kampionëve me Barcelonën

0

Lamine Yamal ka bërë të qartë se Barcelona nuk dëshiron të mjaftohet vetëm me paraqitjet e mira në fillim të sezonit, pasi objektivi i klubit është të luftojë për trofe të rëndësishëm.

Sulmuesi spanjoll beson se Barcelona ka cilësinë dhe unitetin e nevojshëm për të garuar për tituj, ndërsa Ligën e Kampionëve e sheh si sfidën më të madhe për ekipin e Hansi Flickut.

Duke folur për “On Sport”, Yamal theksoi se në Ligën e Kampionëve shpesh vendosin detajet më të vogla dhe se fati, përvoja dhe koha luajnë një rol të rëndësishëm.

“Gjithçka varet nga fati. Liga e Kampionëve nuk vendoset në një ndeshje të vetme; mund të luash keq dhe ta humbësh titullin. Prandaj të duhet fati, së bashku me përvojën, dhe këto gjëra ndërtohen vit pas viti”.

“Shpresoj që fati të jetë në anën tonë këtë vit. Ne luajmë për ta fituar titullin; nuk jemi këtu vetëm për shëtitje. Duam të fitojmë dhe ta rikthejmë trofeun në Barcelonë dhe, me ndihmën e Zotit, do ta arrijmë fitoren këtë vit”.

Barcelona ka nisur mirë sezonin, ndërsa afrimet e reja janë përshtatur shpejt me skuadrën. Në të njëjtën kohë, raportet mes futbollistëve që kanë qenë prej kohësh pjesë e ekipit janë forcuar edhe më shumë.

Yamal vlerëson pikërisht këtë kombinim si një prej arsyeve për paraqitjet e mira të Barcelonës në fillim të sezonit.

“Jemi në formë të shkëlqyer për momentin dhe mezi presim të vazhdojmë të luajmë futboll argëtues dhe emocionues. Mendoj se ka pasur një ngritje në standard, paraqitje dhe cilësi, si për shkak të lojtarëve të rinj që janë përshtatur mirë, ashtu edhe për shkak të harmonisë mes lojtarëve që ishin tashmë në skuadër, e cila po bëhet më e fortë çdo ditë”.

Nafta bie, benzina shtrenjtohet! Këto janë çmimet e reja të karburanteve

0
Close-up of colorful fuel nozzles at gas station for vehicle refueling.
Colorful fuel nozzles at a gas station ready for vehicle refueling in North Macedonia.

Çmimi i naftës pas mesnate do të lirohet për 4,5 denarë për litër, njoftoi Komisioni Rregullator për Energjetikë, përcjell TV21. Pas mesnate një litër naftë do të kushtojë 100 denarë.

Ndërkaq, benzina BS-95 do shtrenjtohet për 1 denarë, një litër do të kushtojë 100 denarë. Edhe çmimi i benzinës BS-98 do të shtrenjtohet për 1 denarë, një litër do të kushtojë 102 denarë. Vaji ekstra i lehtë do të lirohet për 3 denarë, respektivisht, një litër do të kushtojë 111,5 denarë.

Vlora Çitaku zgjedhet nënkryetare e Kuvendit të Kosovës

0

Vlora Çitaku është zgjedhur nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, pas votimit pa asnjë votë kundër, që u bë sot në parlament.

Numri dy i PDK-së mori 95 vota, ku përfshiheshin edhe ato të Vetëvendosjes, parti kjo që më parë kishte refuzuar ta votojë atë për këtë pozitë.

Çitaku u propozua për këtë pozitën nga shef i grupit parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri.

Me rastin e zgjedhjes në pozitën e re, deputetja e PDK-së mori një urim nga shefja e Kuvendit.

“Urime zonja Çitaku”, tha Albulena Haxhiu.

Miratohet në Kuvend deklarata për aktgjykimin e Speciales dhe mbrojtjen e UÇK-së, ja çfarë përmban

0

Kuvendi i Kosovës ka miratuar deklaratën lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Nisma për këtë deklaratë ka ardhur nga Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa përmbajtja e saj është harmonizuar mes të gjitha grupeve parlamentare shqiptare.

Përmes deklaratës, Kuvendi shpreh shqetësim të thellë për aktgjykimin e shkallës së parë. Në të njëjtën kohë, deputetët kanë ngritur shqetësime lidhur me mungesën e transparencës dhe respektimin e standardeve të një gjykimi të drejtë.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se Kuvendi e konsideron të papranueshëm përfundimin mbi ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët, si dhe përgjegjësinë që, mbi bazën e këtij përfundimi, u është atribuuar Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Deklarata e plotë:

Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni përfaqësues i qytetarëve dhe shprehje e vullnetit të tyre demokratik, në seancën plenare të mbajtur më 28.09.2026;

Duke kujtuar se liria dhe pavarësia e Kosovës janë fryt i një përpjekjeje të gjatë për dinjitet njerëzor, barazi dhe të drejtën e një populli për të vendosur vetë për të ardhmen e tij;

Duke rikujtuar se lufta e popullit për liri dhe pavarësi përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës lindi në rrethanat e represionit sistematik dhe krimeve gjenocidale të Serbisë, kur popullit të Kosovës po i mohoheshin të drejtat themelore dhe vetë mundësia për të jetuar i lirë në vendin e tij;

Duke njohur rëndësinë vendimtare të ndërhyrjes së NATO-s për ndalimin e dhunës ndaj popullit të Kosovës dhe për çlirimin e vendit.

Duke theksuar se asnjë aktgjykim nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë. Serbia ushtroi gjenocid e krime kundër njerëzimit; zhvilloi një fushatë të egër terrori dhe spastrimi etnik në Kosovë; masakroi civilë të pafajshëm, vrau fëmijë, gra e të moshuar, dhunë seksuale si armë lufte, dëboi me forcë popullsinë dhe dogji e shkatërroi fshatra e qytete të tëra. Këto krime ishin sistematike, pasojat e të cilave rëndojnë edhe sot mbi mijëra familje.

I bindur se respektimi i shtetit të së drejtës përfshin edhe të drejtën dhe përgjegjësinë për të kundërshtuar, me mjete ligjore dhe institucionale, një aktgjykim që vlerësohet i padrejtë;

Liria dhe pavarësia e Kosovës janë të lidhura ngushtë me sakrificën e brezave, me rezistencën politike dhe paqësore të udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova, me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe me mbështetjen vendimtare të aleatëve tanë perëndimorë, përfshirë NATO-n.

Miraton këtë deklaratë:

1. Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni përfaqësues i qytetarëve dhe shprehje e vullnetit të tyre demokratik, shpreh shqetësimin e tij të thellë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

2. Konsideron si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët.

3. KËRKON nga të gjitha institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, në kuadër të së cilës të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës.

4. Në Kosovën e viteve 1998–1999, ekzistenca e një ndërmarrje të përbashkët kriminale për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova është vërtetuar tashmë me aktgjykime të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ndaj drejtuesve politikë, ushtarakë dhe policorë të Jugosllavisë dhe Serbisë. Ajo u zbatua përmes strukturave të një shteti që kishte nën kontroll ushtrinë, policinë dhe mjetet e tjera të pushtetit. Ky është konteksti historik dhe gjyqësor që duhet të mbetet i qartë sa herë flitet për luftën në Kosovë.

5. Kërkon nga Dhomat e Specializuara të respektojë mandatin në përputhje me vullnetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

6. KUNDËRSHTON çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim luftën e saj çlirimtare apo për të barazuar popullin që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë.

7. E vërteta e luftës çlirimtare, drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre dhe e drejta e të dënuarve për një gjykim të drejtë i përkasin së njëjtës Republikë. Kuvendi do t’i mbrojë të tria pa kompromis.

Në Klinikën Infektive ndërroi jetë një pacient me ethe të Nilit Perëndimor! 7 janë të hospitalizuar, 2 prej tyre në gjendje më të rënduar

0

Një pacient tjetër me ethe të Nilit Perëndimor ka ndërruar jetë gjatë fundjavës në Klinikën Infektive. Bëhet fjalë për një pacient 70-vjeçar nga Komuna e Aerodromit, i cili kishte edhe disa sëmundje të tjera, deklaroi sot drejtori i Klinikës, Dr. Fadil Cana.

Ai tha se pacienti kishte qëndruar 57 ditë në repartin e kujdesit intensiv, por pavarësisht të gjitha masave dhe procedurave të ndërmarra, gjatë fundjavës ndërroi jetë.

Sipas Canës, vetëm një rast i ri i konfirmuar është pranuar më 25 shtator. Aktualisht në Klinikë janë të shtruar shtatë pacientë, dy prej të cilëve kanë gjendje më të rënduar klinike dhe janë transferuar në kujdesin intensiv. Të gjithë pacientët janë të rritur dhe kanë sëmundje shoqëruese. Pacienti i fundit është nga Rosomani, ndërsa të tjerët kryesisht nga Shkupi.

Lidhur me përqindjen e vdekshmërisë krahasuar me numrin e rasteve të konfirmuara në vend, Cana tha se nuk do ta konsideronte të lartë, duke theksuar se statistikat janë brenda niveleve të raportuara edhe në vende të tjera.

Deri më tani, në Klinikën Infektive janë hospitalizuar gjithsej 67 pacientë me formë neuroinvazive të sëmundjes. Prej tyre, 10 kanë vdekur, 50 janë shëruar, ndërsa shtatë pacientë vazhdojnë të jenë të hospitalizuar.

Mickoski në Ditën Ndërkombëtare të Boshnjakëve: Boshnjakët janë pjesë e pandashme e shoqërisë sonë multietnike

0

Kryeministri Hristijan Mickoski, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Boshnjakëve, u ka uruar festën të gjithë pjesëtarëve të komunitetit boshnjak, përcjell TV21.

“Diversiteti ynë është forca jonë, ndërsa bashkëjetesa, respekti i ndërsjellë dhe mirëkuptimi janë themelet mbi të cilat ndërtojmë shtetin tonë”, shkroi sot në një postim në Facebook kryeministri.

Në postim thuhet se boshnjakët janë pjesë e pandashme e shoqërisë sonë multietnike, me identitetin, traditën dhe kontributin e tyre të pasur kulturor në zhvillimin e shtetit.

“Ju uroj shëndet, sukses dhe mirëqenie, me bindjen se së bashku do të vazhdojmë të ndërtojmë një shoqëri me mundësi të barabarta, respekt dhe besim”, ka porositur kryeministri.

Haradinaj: Kurti nuk ka qëllim zgjedhjen e presidentit, por shkuarjen në zgjedhje të reja

0

Kuvendi i Kosovës duhet t’i shfrytëzojë këto ditë për t’i dalë në mbështetje ish-krerëve të UÇK-së, tha deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj.

Sipas tij, edhe nëse s’ka dakordim për presidentin dhe shkohet në zgjedhje të reja, Kuvendi duhet që deri më 6 tetor t’i bashkohet zërit të qytetarëve se “dënimi i Gjykatës Speciale ndaj katërshes së UÇK-së nuk ishte në emrin tonë”.

Aktualisht, në Kuvend është proceduar projektligji për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, ndërkaq në seancën e sotme pritet të miratohet një deklaratë në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

“Gjykata e konfirmoi se më 6 tetor mbyllet afati për të zgjedhur presidentin. Kjo i bie se janë shumë pak ditë dhe kuptohet, gjithë kjo kohë është djegur qëllimshëm nga LVV-ja dhe Kurti. Këto ditë të mbetura janë të rëndësishme për krijimin e institucioneve dhe për t’iu përgjigjur zërit të qytetarëve, i cili veçse po rritet çdo ditë e më shumë, jo vetëm në Kosovë. Vendim dënues për udhëheqësit e UÇK-së është i papranueshëm, i padrejtë, për shkak se UÇK-ja ka bërë luftë çlirimtare dhe s’është në emrin tim dhe as në emrin tonë. Kuvendi duhet t’i shfrytëzojë këto ditë, edhe nëse nuk i krijon institucionet, që t’u bashkohet qytetarëve”, tha ai.

Haradinaj, duke hyrë në Kuvendin e Kosovës, akuzoi kryeministrin Albin Kurti se qëllimi i tij nuk është zgjedhja e presidentit, por shkuarja në zgjedhje të reja.

“Qëllimi ka qenë shkuarja në zgjedhje dhe jemi në zgjedhje, përderisa çdo gjë shkon drejt zgjedhjeve. Do të ishte e turpshme me i lënë këto ditë pa i shfrytëzuar, të paktën me u bërë bashkë me popullin, jo në emrin tonë… Ne kemi dhënë ofertën tonë me ndihmu krijimin e institucioneve, edhe pse e kemi ditur se është lojë e Kurtit. Ai i ka ftuar në takime dhe ka tallur dhe i ka lënë pa marrëveshje. Nuk jemi pjesë e lojërave të tij dhe nuk do të bëhemi”, përfundoi ai.