Ngacmimi online ndaj grave në media, krijohet mekanizëm i ri për raportim

0

Gazetaret dhe gratë në media në Maqedoninë e Veriut tani mund të raportojnë më lehtë dhe më shpejt rastet e ngacmimit online që lidhen me punën e tyre. Vegla e re u promovua nga Rrjeti i Grave në Media “E Barabartë” dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve në Maqedoni. Nga “E Barabartë” thonë se ngacmimi online ndaj gazetareve dhe grave në media është në rritje dhe paraqet pengesë për punën e tyre të lirë dhe të pavarur. Raportimet, sipas tyre, do të shërbejnë edhe për krijimin e politikave dhe mekanizmave më të mirë për mbrojtjen dhe përballimin e këtij problemi. Vegla është në dispozicion në ueb-faqet e “E Barabartë” dhe SPGM-së dhe mundëson raportimin e llojeve të ndryshme të ngacmimeve online.

“Raportoni  pasi kjo na mundëson që luftën ta zhvendosim para institucioneve dhe të kemi ndëshkueshmëri për këta shkelës. Sepse mosndëshkimi shpesh është i pranishëm në diskursin tonë kur flasim për të drejtën dhe drejtësinë, veçanërisht edhe për profesionin tonë. Për shumë vite kemi kërkuar që ndëshkueshmëria të jetë e përcaktuar qartë në legjislacion, që sulmet ndaj gazetarëve të trajtohen si sulme ndaj një personi zyrtar”, tha Pavle Belovski – kryetar i SPGM-së.

“Apeli im është që, pavarësisht se për çfarë lloj shqetësimi bëhet fjalë, i lus gazetaret dhe punonjëset e medias që ta raportojnë atë, sepse ky është hapi i parë për t’u përballur së bashku me këtë problem. Në të vërtetë, kjo mund të ndikojë në punën, sigurinë dhe integritetin profesional të gazetareve dhe punonjëseve të medias”, pohoi Marija Mitevska-  “E barabartë”.

Gashi, Vajc dhe Ondrush: Integrimi në BE duhet të sjellë ndryshime konkrete për qytetarët

0

Integrimi evropian nuk duhet të jetë vetëm proces i harmonizimit të ligjeve dhe përmbushjes së kritereve, por duhet të sjellë ndryshim të sistemit dhe standard më të mirë jetese për qytetarët, tha kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi. Në Forumin Qytetar “Maqedonia e Veriut dhe e ardhmja e Evropës”, Gashi theksoi se qytetarët duhet të përfshihen vazhdimisht në procesin e integrimit evropian dhe se agjenda evropiane duhet të jetë një angazhim afatgjatë dhe mbi partitë.

“Ai është një proces ku duhet të mundësojë ndryshimin thelbesor të sistemit me funksion të një standarti më të mirë jetese për të gjithë ne. Prandaj kur flasim për Bashkimin Evropian do të flasim për arsim më të mirë, për kujdes shëndetësor, vende pune dinjitoze, institucione funksionale, drejtësi të barabartë, luftë kundër korrupsionit dhe krijime të kushteve që të rinjtë shohin kah e ardhmja e tyre”, tha Gashi.

 Eurodeputeti austriak Tomas Vajc sqaroi se integrimi evropian nuk duhet të shihet vetëm si qëllim përfundimtar, por si një proces që duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët. Ai bëri të ditur nevojën për trajtimin e problemeve si ndotja e ajrit, deponitë ilegale, riciklimi, impiantet e pastrimit, minierat dhe pylltaria.

“Unë besoj se vetëm një vend që kujdeset për gjërat themelore – ajrin e pastër, ujin, kushtet e mira të jetesës, lulëzon edhe ekonomikisht. E gjithë kjo ka një ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik. A do të jeni të shëndoshë të shkoni në punë, a jeni i sëmurë sot dhe nuk mund të shkoni në punë. Domethënë drejtëpërdrejtë ndikon për shoqerinë”, pohoi Vajc.

Politikanët do ta bëjnë punën e tyre jo vetëm për qytetarët por së bashku me qytetarët, tha eruodeputeti sllovak Branisllav Ondrush.

“Ndryshimi i logos së shenjës evropiane maqedonase. Disa prej jush ndoshta e mbani mend se para 5-6 vitesh logoja ishte “EU for you”, pra BE-ja për ju. Ndërsa delegacioni, para katër vitesh, vendosi ta ndryshojë logon në “EU ëith you”, që do të thotë BE-ja me ju dhe jo për ju. Për mua, si politikan, ky është një ndryshim i rëndësishëm, një simbol i rëndësishëm”, theksoi Branisllav Ondrush, eurodeputeti sllovak.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut duhet të ndryshojë Kushtetutën për të vazhduar procesin e anëtarësimit në BE. Ndryshimet parashikojnë përfshirjen e bullgarëve dhe komuniteteve të tjera në Kushtetutë dhe kërkojnë shumicë prej dy të tretash në Kuvend. Pa miratimin e tyre, negociatat me BE-në nuk mund të avancojnë.

Gjashtë të vdekur pas një shpërthimi në Athinë

0

Gjashtë persona kanë vdekur pasi një ndërtesë banimi u shkatërrua në Athinë si pasojë e një shpërthimi, që sipas autoriteteve ka gjasa të jetë shkaktuara nga rrjedhja e gazit.

Besart Xhaferri, nga forumi rinor i Partisë Demokratike, ka shkruar në rrjetet sociale se në mesin e viktimave janë tre shqiptarë, përfshirë motër e vëlla. Ai ka kërkuar që për këtë rast të reagojë Ambasada e Shqipërisë në Athinë dhe Ministria e Jashtme. Disa media shqiptare, duke u thirrur në burime, po ashtu kanë publikuar emrat e viktimave që raportohet se janë me origjinë shqiptare.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar me pyetje Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë nëse është në dijeni që në mesin e viktimave ka edhe persona me orgjinë shqiptare, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Agjencia AFP raportoi se sipas autoriteteve greke, në mesin e viktimave ishin katër shtetas amerikanë, që po vizitonin Greqinë. Ata po qëndronin në ndërtesën që u shkatërrua nga shpërthimi, e që gjendet afër zonës së Akropolit.

Ata, sipas mediave greke, dhe ndërkombëtare, po përgatiteshin që të ktheheshin në Shtetet e Bashkuara kur ndodhi shpërthimi.

Ndërkaq, The New York Times raportoi se familja amerikane përbëhej nga një çift, së bashku me djalin e tyre dhe të dashurën e tij.

Autoritetet greke nuk kanë bërë publike identitetet e viktimave, moshën apo se prej cilit vend në SHBA ishin.

Dy viktimat e tjera raportohet se janë një i moshuar nga Britania dhe gruaja e tij greke, që jetonin në katin e dytë të ndërtesës trekatëshe, ka raportuar transmetuesi shtetëror grek, ERT.

Shpërthimi ndodhi të premten dhe me gjasë është shkaktuar nga rrjedhja e gazit, tha kryetari i Athinës, Haris Doukas.

Si pasojë e shpërthimit u dëmtuan edhe disa shtëpi në afërsi, si dhe dyqane e makina.

Një gjeneral bëhet ambasador i SHBA-së në Shqipëri, Eric Wendt nga “Beretat e Gjelbra” në diplomaci

0

Eric Wendt ka marrë detyrën e ambasadorit të SHBA-së në Shqipëri. Gjenerallejtënant (në pension) i Forcave Speciale “Bereta e Gjelbër” Wendt, ka punuar më parë si Profesor i Praktikës, duke dhënë mësim Komandim dhe Udhëheqje në Shkollën Pasuniversitare të Marinës.

Kur ishte ende në shërbim aktiv si gjeneral me tre yje, u dislokua në Evropë dhe shërbeu si Komandant i Shtabit të Operacioneve Speciale të Organizatës së Atlantikut të Veriut (NATO). Ai ka komanduar të gjitha Forcat e Operacioneve Speciale të caktuara për NATO-n (përfshirë edhe njësitë shqiptare të operacioneve speciale) dhe ka punuar në Shqipëri me drejtues dhe ushtarakë të mbrojtjes.

Shërbimi i tij përfshiu 55 muaj dislokim në operacione luftarake në zona të ndryshme të botës, përfshirë një vit në Afganistan si Zëvendës-Komandant Rajonal, ku përfshihej edhe mbikëqyrja e ushtarakëve nga Shqipëria.
Gjatë më shumë se 34 viteve të shërbimit aktiv, ai ka mbajtur disa pozicione të larta komanduese dhe ka udhëhequr organizata me personel civil dhe ndërinstitucional që shkonin deri në mijëra persona. Ka shërbyer si Shef i Shtabit të Komandës së Paqësorit të SHBA-së.

Siç shkruan ambasada amerikane në biografinë zyrtare, Wendt ai ka punuar për Departamentin e Shtetit të SHBA-së për dy vjet si pjesë integrale e Ambasadës së SHBA-së në Jeruzalem, ku udhëhoqi një koalicion prej tetë vendesh si Koordinator i Sigurisë i Shteteve të Bashkuara për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez dhe raportonte drejtpërdrejt te Sekretari i Shtetit.
Ai ka përvojë të gjerë si drejtues, aftësi të provuara për menaxhimin e organizatave komplekse shumëkombëshe dhe ndërinstitucionale, si dhe ekspertizë rajonale në të gjithë Evropën.

Gjenerallejtënant (në pension) Wendt ka përfunduar studimet Bachelor në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara, dhe studimet Master në Shkollën Pasuniversitare të Marinës, Monterey, Kaliforni.

Ai flet gjuhët arabe dhe koreane. Është fitues i shumë çmimeve dhe dekoratave, përfshirë Shiritin dallues “Ranger”, Shiritin dallues të Forcave Speciale, Shenjën dalluese Parashutist Mjeshtër, Shenjën dalluese Mjeshtër i Këmbësorisë në Luftim, Medaljen e Shërbimit të Shquar të Mbrojtjes, dy herë fitues i Medaljes së Shërbimit të Shquar, tri herë fitues i Medaljes “Ylli i Bronztë”, si dhe Çmimin e Lartë të Nderit të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Gërvalla: S’kam bashkëpunuar me Specialen, po angazhohemi për Apelin

0

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Donika Gërvalla, i ka mohuar akuzat për bashkëpunim me Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke thënë se nuk ka pasur asnjë pikëtakim me Specialen, UNMIK-un apo EULEX-in, as drejtpërdrejt e as tërthorazi. Ajo në një konferencë për media të mbatjur sot ka deklaruar se nuk ka heshtur pas aktgjykimit dënues ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se si ministre është angazhuar për përgatitjen e hapave ligjorë.

“Deklaratat që më lidhin me bashkëpunimin janë bërë bozë. Nuk ka në asnjë hallkë, as me UNMIK-un, as me EULEX-in, as me Gjykatën Speciale, nuk ka asnjë pikëtakim timin, as direkt, as indirekt”, ka thënë Gërvalla në një konferencë për media të shtunën.

Gërvalla ka thënë se nuk ka heshtur lidhur me aktgjykimin ndaj katërshes së UÇK-së, duke theksuar se reagimi i kryeministrit është bërë në emër të Qeverisë, ndërsa ajo, si ministre e Drejtësisë, është marrë me përgatitjet ligjore.

“Sa i përket heshtjes, nuk kam heshtur, jam ministre e Drejtësisë. Kryeministri ka dhënë një deklaratë në emër të qeverisë. Unë me ekipin tim qysh në ditën e parë i jam futur punës me qëllim që të përgatitemi për një betejë sepse çështja e Speciales është betejë ligjore, jo e deklaratave në media. Duhet të jemi profesionistë të mençur, pa shumë bërtima. Duhet të përgatitemi për instancën e ardhshme (Apelin)”, tha ajo.

Ajo ka kërkuar durim deri në publikimin e aktgjykimit të plotë, duke thënë se atëherë, sipas saj, do të bëhen të qarta faktet dhe do të mund të vlerësohen zhvillimet.

“E kam një shpresë, ata që kanë bërtitur më shumë në këtë lëmi, ata që më së shumti më kanë etiketuar, të paktën para pasqyrës të skuqen që nuk kanë dëgjuar faktet, por kanë zgjedhur t’i përsërisin gënjeshtrat që i kanë vetë në qarkullim”, ka deklaruar ajo.

Tutje ajo ka pohuar se po e analizon projektligjin e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës për Dhomat e Specializuara. Sipas saj, opinioni i kësaj ministrie do t’i niset më pas Qeverisë.

“Shumica e gjërave që lidhen me Dhomat e Specializuara janë cështje të ekspertizës së lartë. Në MD janë ekspertët që po e analizojnë projektligjin e propozuar nga PDK, kur ta kemi gati do të t’ia dërgojmë qeverisë opinionin tonë. Nuk do ta vonojmë, do ta dërgojmë shpejt. Por as nuk do të nxitojmë, e ta paguajmë me gabime të papranueshme”, ka thënë ajo.

Elmazi: Deponia në Radushë u pastrua, tani mbjellim fidanë

0

Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi, njoftoi se është pastruar deponia në Radushë, ndërsa në këtë hapësirë janë mbjellë edhe fidanë, përcjell TV21. Sipas Elmazit, pastrimi i deponisë ishte kërkesë e banorëve dhe një nga premtimet e dhëna gjatë fushatës. Ai tha se synimi është që hapësira të shndërrohet në një zonë të pastër dhe të gjelbër për komunitetin.

Zjarr i madh ka përfshirë një varrezë makinash në Tetovë! Inspektorati heton ndotjen, banorëve u kërkohet të mbyllin dritaret

0

Në një varrezë makinash në Tetovë ka shpërthyer zjarr, ku janë përfshirë goma, akumulatorë dhe pjesë plastike të automjeteve. Zjarrfikësit kanë luftuar me flakët për orë të tëra, ndërsa banorët janë përfshirë në përpjekjet për të mbrojtur objektet përreth. Zjarrfikësit thonë se një pikë karburanti pranë vendit të zjarrit është siguruar dhe aktualisht nuk ka rrezik për të.

 “Ky është një zjarr i përmasave pak më të mëdha sepse brenda zjarrit digjen goma por edhe gjëra tjera që përmban një makinë. Kuptohet që kemi edhe shpërthime brenda zjarrit shkaku i akumulatorëve të ndryshëm që digjen në këtë varrezë makinash. Pompa e benzinës është e siguruar, sepse ka rreth saj zjarrfikës që vlerësojnë situatën por deri tani nuk ka rrezik”, tha Avni Ameti shef i NJTKZ Tetovë.

Në vendngjarje ka dalë edhe Inspektorati Komunal i Mjedisit, i cili po heton nëse zjarri ka shkaktuar ndotje të ambientit. Pas analizave, autoritetet paralajmërojnë masa ndaj pronarëve, nëse konstatohen shkelje të ligjit.

 “Ne si inspektorat komunal momentalisht jemi në vendngjarje ku ndodh zjarri dhe së bashku me inspektorët e ambientit do e inspektojmë nvendin dhe do bëjmë analizat nëse ka ndotje nga zjarri. Në fund pasi të marrim analizat e duhura do marrim masat e mëtejme në bazë të Ligjit”, theksoi Armend Salihi, shef i inepktoratit komunal.

Për shkak të materialeve të gomës dhe mbetjeve të tjera që digjen, si dhe tymit të madh që është përhapur mbi Tetovë, Inspektorati dhe zjarrfikësit u rekomandojnë banorëve të lagjes t’i mbajnë dritaret të mbyllura. Rekomandimi vlen deri në pastrimin e ndotjes.

Nga Radovishi deri në Bullgari me rrugë të shpejtë! Nikolloski: Punimet pritet të nisin në vjeshtë

0

Një rrugë e re e shpejtë pritet të lidhë Radovishin me kufirin bullgar, përmes Strumicës dhe Novo Sellës. Ministri i Transportit Aleksandër Nikollovski njoftoi se për projektin tashmë është shpallur procedura për përzgjedhjen e kompanisë që do të përgatisë dokumentacionin dhe studimet e nevojshme. Ofertat mund të dorëzohen deri më 8 tetor, ndërsa synimi është që kjo lidhje të krijojë një korridor të ri rrugor mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

“Synimi ynë është të ndërtohet një rrugë e shpejtë që do të kalojë nga Radovishi përmes Strumicës, deri në Novo Sellë – kufirin me Bullgarinë, dhe në këtë mënyrë të kemi një lidhje tjetër, përmes autostradës ose rrugës së shpejtë, me Republikën e Bullgarisë”, tha Nikolloski.

Projekti parashikon që dokumentacioni dhe studimet të përfundojnë brenda gjashtë deri në nëntë muaj, pas së cilës do të zgjidhet kompania që do të realizojë punimet. Rruga e shpejtë do të financohet me mjete vetanake të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore. Nikolloski pret që, nëse procedurat zhvillohen sipas planit, punimet në terren të nisin deri në vjeshtë.

“Ajo që dua të them është se do të përdorim mjete vetanake nga Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore. Ndërmarrja është në gjendje të mirë financiare, ka të hyra të mira dhe do të mund ta ndërtojmë këtë projekt. Le të mos jetë premtim, por nëse gjithçka shkon mirë dhe kemi procedurë të mirë për përzgjedhjen, fillimisht të kompanisë konsulente e më pas të kompanisë ndërtuese, pres që deri në vjeshtë të fillojmë punimet ndërtimore në terren”, tha Nikolloski.

Ministri theksoi se traseja e planifikuar nuk do të përfundojë në Strumicë, por do të vazhdojë deri në kufirin me Bullgarinë.

Arrestohet personi i dyshuar për përdhunim të personit të mitur në Tetovë

0

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se është privuar nga liria një 62-vjeçar nga Tetova, i cili dyshohet se ka përdhunuar një të mitur, përcjell TV21.

“Më 25.09.2026 në orën 21:45, pas një videoje të publikuar paraprakisht në rrjetet sociale, në Stacionin Policor të Tetovës është dorëzuar vetë R.N. (62) nga një fshat i Tetovës. Me udhëzim të prokurorit publik nga PTHP Tetovë, personi është privuar nga liria për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale „dhunim i fëmijës që nuk ka mbushur 15 vjet“ sipas nenit 188 të Kodit Penal. Ai është ndaluar në stacionin policor për procedurë të mëtutjeshme dhe për zbardhjen e dokumentimin e plotë të rastit”, thonë nga MPB.

“Ryanair” paralajmëron rritje të ndjeshme të çmimeve të biletave

0

Ryanair paralajmëron rritje të ndjeshme të çmimeve të biletave për sezonin veror të vitit 2027, për shkak të rritjes së çmimit të naftës si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme.

CEO-ja i kompanisë, Michael O’Leary, tha se çmimet e biletave pritet të rriten ndjeshëm, ndërsa Ryanair ka ulur edhe objektivat për numrin e fluturimeve për vitin e ardhshëm, për të reduktuar shpenzimet e karburantit.

Sipas O’Leary, nëse çmimi i naftës rritet nga rreth 80 në 100 dollarë për fuçi, shpenzimet e karburantit të kompanisë do të rriten me rreth 25%.

Ryanair tashmë ka raportuar rënie të fitimit neto prej 34% në tremujorin e parë të vitit fiskal, në 538 milionë euro, ndërsa shpenzimet operative u rritën me 11%.