Ngacmimi online ndaj grave në media, krijohet mekanizëm i ri për raportim

TË FUNDIT

Gazetaret dhe gratë në media në Maqedoninë e Veriut tani mund të raportojnë më lehtë dhe më shpejt rastet e ngacmimit online që lidhen me punën e tyre. Vegla e re u promovua nga Rrjeti i Grave në Media “E Barabartë” dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve në Maqedoni. Nga “E Barabartë” thonë se ngacmimi online ndaj gazetareve dhe grave në media është në rritje dhe paraqet pengesë për punën e tyre të lirë dhe të pavarur. Raportimet, sipas tyre, do të shërbejnë edhe për krijimin e politikave dhe mekanizmave më të mirë për mbrojtjen dhe përballimin e këtij problemi. Vegla është në dispozicion në ueb-faqet e “E Barabartë” dhe SPGM-së dhe mundëson raportimin e llojeve të ndryshme të ngacmimeve online.

“Raportoni  pasi kjo na mundëson që luftën ta zhvendosim para institucioneve dhe të kemi ndëshkueshmëri për këta shkelës. Sepse mosndëshkimi shpesh është i pranishëm në diskursin tonë kur flasim për të drejtën dhe drejtësinë, veçanërisht edhe për profesionin tonë. Për shumë vite kemi kërkuar që ndëshkueshmëria të jetë e përcaktuar qartë në legjislacion, që sulmet ndaj gazetarëve të trajtohen si sulme ndaj një personi zyrtar”, tha Pavle Belovski – kryetar i SPGM-së.

“Apeli im është që, pavarësisht se për çfarë lloj shqetësimi bëhet fjalë, i lus gazetaret dhe punonjëset e medias që ta raportojnë atë, sepse ky është hapi i parë për t’u përballur së bashku me këtë problem. Në të vërtetë, kjo mund të ndikojë në punën, sigurinë dhe integritetin profesional të gazetareve dhe punonjëseve të medias”, pohoi Marija Mitevska-  “E barabartë”.