Kurti: Kosova humbi mbi 40 milionë euro nga BE-ja për shkak të bllokadës në Kuvend

0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se vendi ka humbur mundësinë për të përfituar mbi 40 milionë euro nga Bashkimi Evropian, si pasojë e mosmiratimit të ligjeve në Kuvend.

Kurti i bëri këto deklarata të premten, gjatë Mbledhjes së Dytë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian, në funksionin e Komitetit Drejtues për Planin e Rritjes, ku u diskutua për zbatimin e reformave, projektet ekzistuese dhe programet IPA.

Kryeministri njoftoi se më 15 korrik, Qeveria ia kishte dorëzuar Komisionit Evropian raportin e parë zyrtar për zbatimin e Agjendës së Reformave dhe kërkesën e parë për lirimin e fondeve nga Plani i Rritjes.

“Deri më 30 qershor kemi zbatuar dhe raportuar te KE-ja 20 hapa të reformave, në vlerë prej gjithsej 153,3 milionë euro në fonde të Bashkimit Evropian. Aktualisht, KE-ja është duke kryer vlerësimin. Pas vlerësimit, Komisioni do ta miratojë vendimin për lirimin e fondeve dhe pastaj Kosova do të përfitojë fondet përkatëse sipas këtij vendimi”, tha Kurti.

Ai bëri të ditur se në fillim të javës së ardhshme Kuvendit do t’i përcillen tri marrëveshje ndërkombëtare për programet IPA. Në kuadër të tyre përfshihen dy amendamente për projektet IPA 2021 dhe IPA 2022, si dhe Marrëveshja Financiare IPA 2026–2027, përmes të cilave Kosova pritet të përfitojë 258 milionë euro.

Sipas Kurtit, nga Plani i Rritjes dhe programet IPA, Kosova pritet të përfitojë mbi 400 milionë euro për qeverisje të mirë dhe zbatimin e reformave drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, ai tha se nga 13 reformat e parapara për afatin e 30 qershorit, gjashtë nuk janë zbatuar në kohë. Për pasojë, nga 90.7 milionë eurot e planifikuara për këtë afat, Kosova nuk ka përfituar mbi 40 milionë euro.

“Arsyeja e mospërfitimit të këtyre mjeteve është bllokada në Kuvend, e cila pamundësoi miratimin e ligjeve”, tha Kurti.

Ai shtoi se të gjitha projektligjet e parapara për afatin e 30 qershorit do të procedohen në seancën e radhës të Kuvendit.

Kurti theksoi se vëmendja tash duhet të përqendrohet te zbatimi i 22 reformave që kanë afat deri në fund të dhjetorit, me vlerë prej 131.4 milionë eurosh në fonde të BE-së. Sipas tij, tetë prej këtyre reformave kërkojnë miratimin e projektligjeve në Kuvend, ndërsa bëhet fjalë për gjithsej 10 projektligje me afat deri më 31 dhjetor 2026.

“Këto projektligje janë duke u finalizuar dhe do t’i miratojmë në qeveri brenda këtij afati. Në këtë drejtim kemi punuar edhe me Komisionin Evropian që projektligjet, të cilat kanë për afat 31 dhjetorin, ta kryejnë konsultimin me Bashkimin Evropian në afat më të shpejtë. Nëse Kuvendi do të jetë funksional, reformat dhe mjetet e dedikuara për to nuk do të humben”, u shpreh ai.

Kryeministri tha se, për shkak të bllokadës në Kuvend, nuk do të dështojë zbatimi i reformave të parapara, por do të humbin fondet e dedikuara për to.

Gjatë fjalimit të tij, Kurti foli edhe për situatën institucionale dhe afatin për zgjedhjen e presidentit të ri. Ai deklaroi se, nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.

“Nëse nuk do të arrijmë të zgjedhim president të ri, do të shkojmë sërish në zgjedhje, që do të jenë zgjedhjet e katërta në më pak se dy vite”, tha Kurti.

Ai i cilësoi zgjedhjet e reja si të panevojshme dhe të kushtueshme, duke theksuar se Kosova tashmë ka Kuvend dhe Qeveri të zgjedhur.

“Ne tashmë kemi kryetare të Kuvendit dhe kemi qeveri të zgjedhur dhe ky Kuvend mund t’i japë vendit president apo presidente. Duhet ta kuptojmë që në Kosovë nuk kemi zgjedhje presidenciale. Zgjedhjet e reja do të jenë sërish për Kuvend e për qeveri dhe jo për president, pasi zgjedhja e presidentit bëhet nga Kuvendi”, tha ai.

Kurti u bëri thirrje subjekteve politike që të kontribuojnë në funksionalizimin e Kuvendit, duke theksuar se përgjegjësia për miratimin e ligjeve dhe funksionimin e institucioneve është e përbashkët.

Prodhim ilegal dhe i kontaminuar! Arrestohen dy persona, dyshohet se shisnin akull me baktere fekale

0

Për vite me radhë, dy 62-vjeçarë nga Radovishi dyshohet se prodhonin dhe shisnin akull në kushte të improvizuara dhe johigjienike, përcjell TV21. Policia ka kontrolluar katër lokacione që i përdornin personat dhe aty ka gjetur makina për prodhimin e akullit, frigoriferë dhe qindra qese me akull të gatshëm për shitje. Në total, rreth 850 kilogramë akull janë sekuestruar. Por problemi kryesor u zbulua pas analizave laboratorike. Mostrat e akullit dhe të pajisjeve për prodhim nuk i plotësonin kushtet e kërkuara. Në to është konfirmuar prania e Escherichia coli dhe baktereve koliforme, që sipas autoriteteve tregon kontaminim me baktere me origjinë fekale.

“Nga analizat mikrobiologjike dhe kimike u konstatua se vetëm uji i përdorur si lëndë e parë përputhej me parametrat e kërkuar. Të gjitha mostrat e tjera nuk përputheshin me parametrat e kërkuar dhe në to u konfirmua prania e bakterieve Escherichia coli dhe bakterieve koliforme. Me këtë u konstatua se akulli ishte i pasigurt për përdorim dhe i dëmshëm për shëndetin e njerëzve për shkak të kontaminimit me baktere me origjinë fekale”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Hetimi zbuloi edhe një tjetër parregullsi. Uji që përdorej për prodhimin e akullit në hapësirat e bodrumit nuk matej përmes ujëmatësit. Autoritetet dyshojnë se uji sigurohej përmes një lidhjeje të paligjshme me rrjetin e ujësjellësit. T.D. 62 vjeç dhe S.D. 62 vjeç, të dy nga Radovishi, janë arrestuar dhe janë mbajtur në Stacionin Policor në Radovish. Ndërkohë, gjatë bastisjeve është gjetur edhe një pushkë ajrore pa dokumentacion përkatës, ndërsa për objektin ku është gjetur ajo është konstatuar se ishte ndërtuar pa leje. Për rastin, ndaj dy personave është ngritur kallëzim penal për prodhim dhe vënie në qarkullim të produkteve të dëmshme ushqimore.

WP: Arabia Saudite nuk e ka përjashtuar zhvillimin e armëve bërthamore

0

Arabia Saudite nuk e ka përjashtuar zhvillimin e armëve bërthamore, sipas një vlerësimi të klasifikuar të inteligjencës amerikane që ka nxitur shqetësime në Kongres lidhur me marrëveshjen e bashkëpunimit bërthamor të Presidentit Donald Trump me Riadin, raportoi të premten Washington Post.

Vlerësimi u përfshi në dokumentet e klasifikuara që u ofruan ligjvënësve ndërsa ata shqyrtojnë marrëveshjen historike, thanë zyrtarët amerikanë për gazetën. Departamenti i Shtetit thuhet se dha një vlerësim të veçantë që ishte më i sigurt në garancitë saudite dhe mbrojtjet e përfshira në marrëveshje.

E nënshkruar në korrik, marrëveshja e Seksionit 123 hedh themelet ligjore që kompanitë amerikane të marrin pjesë në projekte bërthamore civile me vlerë dhjetëra miliardë dollarë në Arabinë Saudite. Administrata Trump ka argumentuar se marrëveshja do të forcojë standardet e mospërhapjes, duke e penguar Riadin të drejtohet nga Rusia ose Kina për bashkëpunim bërthamor.

Megjithatë, marrëveshja krijon një rrugë të mundshme për Arabinë Saudite për të pasuruar uranium në vend. Pasurimi fillimisht do të kufizohet nën 5%, por më vonë mund të rritet deri në 20% pas studimeve shtesë dhe miratimit me shkrim nga Uashingtoni dhe Riadi. Urani i pasuruar në atë nivel mbetet nën nivelin e armëve, por zvogëlon ndjeshëm punën shtesë të nevojshme për të arritur përqendrimet e nivelit të armëve.

Pakti gjithashtu nuk kërkon që Arabia Saudite të miratojë Protokollin Shtesë të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, i cili u ofron inspektorëve akses më të gjerë dhe mjete shtesë për zbulimin e aktivitetit bërthamor të padeklaruar. Në vend të kësaj, Uashingtoni dhe Riadi kanë negociuar një marrëveshje të veçantë dypalëshe mbrojtëse.

Një grup senatorësh demokratë të udhëhequr nga Ed Markey dhe Jeff Merkley e paralajmëruan Sekretarin e Shtetit Marco Rubio të premten se marrëveshja në fund të fundit mund t’i japë Riadit “mjetet për të pasuruar uraniumin dhe ndoshta për të zhvilluar armë bërthamore”. Merkley i tha Washington Post se këmbëngulja e Arabisë Saudite për të ruajtur opsionin e pasurimit vendas ngre pyetje nëse ambiciet e saj janë tërësisht civile.

Departamenti i Shtetit hodhi poshtë sugjerimet se administrata po lehtëson një program ushtarak, duke i thënë gazetës se SHBA-të “nuk mbështesin dhe nuk do të mbështesin një program të armëve bërthamore saudite”. Ministri saudit i Energjisë, Abdulaziz bin Salman, ka këmbëngulur se programi i Riadit do të jetë “paqësor” dhe do të zhvillohet me “nivelet më të larta të përgjegjësisë dhe transparencës”.

Vlerësimi i inteligjencës i ka shtuar shqetësimeve të hershme lidhur me deklaratën e Princit të Kurorës Saudite Mohammed bin Salman në vitin 2018 se Riadi do të kërkojë një armë bërthamore nëse Irani e blen një të tillë.

«Pa dyshim, nëse Irani zhvillonte një bombë bërthamore, ne do të ndiqnim të njëjtën gjë sa më shpejt të ishte e mundur», tha ai në atë kohë.

Ligjvënësit e kanë krahasuar gjithashtu marrëveshjen saudite me marrëveshjen shumë më të rreptë bërthamore të Iranit të vitit 2015, e cila e kufizoi pasurimin e uraniumit të Teheranit në 3.67% për 15 vjet. Trump tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja gjatë mandatit të tij të parë, duke pretenduar se nuk ishte mjaftueshëm e rreptë.

Marrëveshja saudite iu dorëzua zyrtarisht Kongresit më 24 gusht dhe po i nënshtrohet një shqyrtimi 90-ditor. Ligjvënësit mund të kërkojnë ta bllokojnë atë, megjithëse për të anashkaluar një veto presidenciale do të duhej një shumicë prej dy të tretash në të dyja dhomat./WashingtonPost

Mickoski takoi Guterresin në Nju Jork: Konfirmohet bashkëpunimi i shkëlqyer mes OKB-së dhe Maqedonisë

0

Kryeministri Hristijan Mickoski, mbrëmë në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, zhvilloi një takim me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Në takim, siç njoftoi zyra e Guterresit, u theksua bashkëpunimi i mirë ndërmjet Kombeve të Bashkuara dhe Maqedonisë së Veriut.

Guterresi dhe Mickoski diskutuan gjithashtu për integrimin evropian, bashkëpunimin rajonal dhe mbështetjen për multilateralizmin.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, më herët, mbajti fjalim në debatin e përgjithshëm të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Moti i ndryshueshëm! Ditët në vijim më të ngrohta, por me mundësi për reshje lokale

0

Moti sot do të jetë i ndryshueshëm dhe me vranësira. Gjatë paradites do të ketë reshje të herëpashershme lokale shiu. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi verior. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 7 deri në 14°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 15 deri në 21°C.

Në Shkup do të mbajë mot i vranët. Gjatë natës dhe orëve të paradites do të ketë reshje të herëpashershme shiu. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshueshme. Temperatura minimale do të zbresë deri në 11°C, ndërsa maksimalja do të arrijë deri në 20°C.

Sipas DPHM-së, të dielën dhe deri në fund të javës së ardhshme të punës do të vazhdojë moti i ndryshueshëm me vranësira, por më i ngrohtë, me periudha me diell. Në disa vende do të ketë kushte për reshje të shkurtra shiu. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi verior.

Zuckerberg kundërshton ngadalësimin e zhvillimit të inteligjencës artificiale në të gjithë industrinë

0

Mark Zuckerberg, themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i gjigantit të mediave sociale Meta me seli në SHBA, hodhi poshtë thirrjet që kompanitë e inteligjencës artificiale të ngadalësojnë kolektivisht zhvillimin e sistemeve gjithnjë e më të fuqishme, sipas një interviste me NBC News.

“Nuk mendoj se kemi nevojë për ndonjë lloj koordinimi në të gjithë industrinë. Mendoj se çdo laborator duhet të marrë kohën e duhur dhe, kur sheh se ka probleme, thjesht merr kohën e nevojshme brenda kompanisë për t’u siguruar që po vepron në mënyrë të sigurt”, tha Zuckerberg.

Komentet e tij vijnë në një kohë kur disa figura kryesore në industrinë e inteligjencës artificiale kanë bërë thirrje për një koordinim më të madh mbi ritmin e zhvillimit, mes shqetësimeve rreth rreziqeve që paraqesin sistemet gjithnjë e më të afta.

Drejtori ekzekutiv i Anthropic, Dario Amodei, kohët e fundit u bëri thirrje kompanive të punojnë së bashku për të “ecur përpara” në zhvillimin e inteligjencës artificiale, duke marrë mbështetje nga drejtori ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, bashkëthemeluesi i Google DeepMind, Demis Hassabis dhe Elon Musk i xAI.

Zuckerberg argumentoi se kompanitë individuale të inteligjencës artificiale mund të ngadalësojnë ose ndalojnë zhvillimin e tyre nëse hasin shqetësime për sigurinë në vend që të bien dakord për një qasje mbarë-industriale.

Ai gjithashtu theksoi kërkesën e konsumatorëve si një nxitje për kompanitë që të sigurohen që produktet e tyre të inteligjencës artificiale të jenë të sigurta dhe të dobishme.

“Mendoj se ka shumë nxitje komerciale për ta bërë këtë siç duhet”, tha ai.

Facebook përballet me gjobë deri në 10.5 miliardë dollarë

0

Një gjykatë në New Mexico vendosi sot se Facebook mashtroi banorët e shtetit në lidhje me përdorimin e të dhënave të tyre personale në një gjyq që përfshinte skandalin e Cambridge Analytica.

New Mexico është i vetmi shtet që shkon në gjykatë për këtë rast, një nga shkeljet më të mëdha të privatësisë në historinë e internetit. Firma britanike Cambridge Analytica shfrytëzoi të dhënat personale të dhjetëra mijëra përdoruesve të Facebook, të cilat u mblodhën pa dijeninë e tyre, për qëllime politike.

Juria në Santa Fe zbuloi se secili prej 2.1 milion banorëve të shtetit ishte mashtruar, gjë që përbën po aq shkelje të ligjit për mbrojtjen e konsumatorit.

Tani i takon gjyqtarit të përcaktojë gjobën që do t’i vendoset Facebook-ut, e cila mund të jetë deri në 5,000 dollarë për shkelje. Në teori, Facebook mund të urdhërohet të paguajë një gjobë prej 10.5 miliardë dollarësh.

Skandali çoi në falimentimin e Cambridge Analytica në vitin 2018.

Irani i propozon SHBA-ve një plan 7-ditor për hapjen e ngushticës së Hormuzit

0

Irani i ka dërguar një propozim të ri Uashingtonit që do të rihapë Ngushticën e Hormuzit dhe do të rifillojë bisedimet mbi programin e tij bërthamor brenda shtatë ditësh nëse SHBA-të heqin bllokadën detare, heqin dorë nga sanksionet e naftës dhe respektojnë një armëpushim që përfshin edhe Libanin, tha Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, në një takim privat në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të enjten, sipas Associated Press.

Sipas pjesëmarrësve në takimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Araghchi tha se propozimi, i cili iu dha SHBA-së përmes ndërmjetësve, paraqet një plan veprimi shtatëditor për t’i dhënë fund luftës dhe se Irani do të ishte gati ta zbatonte atë nëse Uashingtoni e pranonte atë.

“Nëse përmbushen kushte të caktuara, Ngushtica e Hormuzit do të hapet në fund të ditës së shtatë dhe bisedimet do të rifillojnë”, thuhet se tha ministri i jashtëm iranian.

Akuza kundër “disa kombeve evropiane“

Zyrtarët iranianë në Teheran, veçanërisht ata ushtarakë të linjës së ashpër që duket se i kundërshtojnë veprimet e udhëheqjes civile, nuk komentuan mbi detajet e propozimit të Araghchi-t që dolën nga mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, por çmimet e naftës ranë ndërsa Brent ra në 105 dollarë mes raporteve të reja për negociata të reja SHBA-Iran.

Ndërkohë, të premten, Araghchi zhvilloi bisedime me Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, Ed Miliband, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, në të cilat ai akuzoi “disa vende evropiane” për veprimet e tyre “shkatërruese dhe të papërgjegjshme” dhe për “mbështetjen dhe bashkëpunimin” e tyre në “agresionin ushtarak” të SHBA-së dhe Izraelit, “i cili i ka shkaktuar dëme të mëdha Iranit, rajonit dhe botës”.

Mos e ngatërroni qëndrimin e Teheranit me ‘tërheqje strategjike’

Ministria e Jashtme e Katarit tha se të dy udhëheqësit diskutuan “zhvillimet e fundit në rajon, së bashku me përpjekjet për të ulur tensionet dhe për të krijuar një mjedis të favorshëm për dialog, duke kontribuar kështu në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal”.

Ish-kreu i departamentit të kërkimit të inteligjencës ushtarake të Izraelit, Danny Citrinowicz, tha në një postim në X se “Teherani duket se beson se një dritare politike po hapet në Uashington” dhe se “me afrimin e zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA dhe Presidentin Trump që përballet me stimuj të fortë për të ulur çmimet e naftës, Irani sheh një mundësi për të testuar nëse presioni ekonomik dhe politik mund të përkthehet në fleksibilitet amerikan”.

“Por qëndrimi i Teheranit nuk duhet të ngatërrohet me një tërheqje strategjike themelore”, shtoi Citrinowicz.

Stadiumi i ri në Haraçinë, “Shkëndija” pret edhe stadiumin kryesor

0

Me disa lopata çimento të hedhura në mënyrë simbolike, u vu gurthemeli i stadiumit ndihmës të Haraçinës. Këtu pritet të jetë një stadium ndihmës për stërvitjet e Klubit të Futbollit “Shkëndija” përfshirë objektin e zhveshtoreve. Në 10 hektarë pronë publike të urbanizuar nga komuna e Haraçinës për sportdashësit e kësaj zone, në një tjetër projekt është paraparë qendra sportive edhe për basketboll dhe hendboll, por edhe stadiumi kryesorë me tribuna që do të plotësoj standardet e UEFA-s.

“Për stadiumin ndihmës mjetet i kemi siguruar nga ana e komunës, por nga Ministria e sportit presim mbështetje për ndërtimin e tribunave. Ne si komunë kemi siguruar mjetet për ndërtimin e fushës dhe të zhveshtores. Përafërsisht për 2-3 muaj nëse shkon puna si duhet, varet dhe nga kushtet klimatike, stadiumin do ta kemi në dispozicion dhe ekipi ynë i zemrës mund ti zhvilloj stërvitjet këtu”, tha Daut Beqiri – kryetar i Komunës së Haraçinës.

“Po fillojnë punimet për ndërtimin e stadiumit ndihmës Ne si ministri e Sportit do të qëndrojmë pran kryetarit të Komunës, pran sportistëve të Haraçinës, do të mbështesim dhe d të japim kontributin tonë që ky stadium sa më shpejtë të vihet në funksion dhe të jetë në shërbim të sportistëve”, u shpreh Safije Sadiku-Shahini – zëvendësministre e Sportit.

Trajneri i klubit shpreson që stërvitjet e pranverës t’i bëjnë në këtë stadium të ri. Ai iu bën thirrje edhe autoriteteve që të sigurojnë mjete edhe për ndërtimin e stadiumit kryesor ku të luhen ndeshjet nikoqire.

“Për momentin stërvitjet jemi duke i zhvilluar në stadiumin e Maxharit në “Boris Trajkovski” edhe pse atje kushtet janë të mira, por ndryshe është kur ke një stadium tënd, kur ke bazën ku mund të organizohesh edhe më mirë se sa që jemi për momentin. Shpresojmë që edhe kushtet për stadiumin kryesorë do të ofrohen sa më shpejtë dhe Shkëndija e Haraçinës t’i zhvilloj ndeshjet vendase këtu”, potencoi Berat Imeri – trajner i K.F. “Shkëndija” – Haraçinë.

Ky projekt do të kushtoj 34 milionë e 500 mijë denarë ose rreth 560 mijë euro. Përndryshe, klubi Shkëndija është themeluar para 50 vitesh, ndërsa sivjet po garon në ligën e parë të Maqedonisë.

Mickoski nga OKB-ja: Maqedonia e Veriut mbetet e vendosur fuqishëm drejt NATO-s dhe BE-së

0

Kryeministri Hristijan Mickoski, në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, deklaroi se Maqedonia e Veriut ka një orientim të qartë strategjik – NATO, partneritetin strategjik me SHBA-në dhe anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.

Mickoski theksoi se në një kohë të konkurrencës së shtuar globale, ndryshimeve në teknologji, energjetikë dhe siguri, shtetet e vogla varen veçanërisht nga një rend ndërkombëtar i bazuar në rregulla. Sipas tij, institucionet ndërkombëtare duhet të sigurojnë respektim të barabartë të rregullave dhe parashikueshmëri më të madhe për shtetet e vogla.

Duke folur për integrimin evropian, ai deklaroi se vendi nuk kërkon një rrugë më të lehtë, por një proces të bazuar në kritere të qarta dhe të matshme. Në të njëjtën kohë, Mickoski theksoi se Maqedonia e Veriut ka detyrim të zbatojë reformat brenda vendit, të forcojë sundimin e ligjit dhe institucionet, si dhe të rrisë besimin e qytetarëve.

Në pjesën që lidhet me infrastrukturën, kryeministri theksoi rëndësinë e zhvillimit të përshpejtuar të Korridoreve 8 dhe 10, duke vlerësuar se ato janë pjesë e vizionit më të gjerë evropian për lidhjen e Detit Adriatik, Detit Jon dhe Detit të Zi me Evropën Qendrore dhe Azinë.

Mickoski iu referua gjithashtu sigurisë energjetike, infrastrukturës digjitale, inteligjencës artificiale, migracionit dhe ndryshimeve klimatike. Ai bëri thirrje për reformimin e Kombeve të Bashkuara, me qëllim që organizata të jetë më efikase në parandalimin e konflikteve, mbrojtjen e dinjitetit njerëzor dhe ruajtjen e rendit ndërkombëtar.

Në fund të fjalimit, Mickoski deklaroi se, megjithëse Maqedonia e Veriut është një vend i vogël, ajo nuk lejon që madhësia e territorit të saj të përcaktojë madhësinë e ambicieve të saj.