Spekulimet për rikthim në BDI, Mexhiti nga SHBA: Rrini rahat! VLEN punon me vendosmëri

0

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti ka komentuar spekulimet për rikthimin e tij të mundshëm në Bashkimin Demokratik për Integrim, përcjell TV21. Mexhiti, i cili aktualisht është në SHBA thotë se do të vazhdojë kauzën që ka nisur me VLEN.

“Të dashur bashkëudhëtarë të rrugëtimit tonë, Siç e dini, vendimet gjithmonë i kam marrë bashkë me Ju. Çdo vendim, sado i thjeshtë apo i vështirë, e kemi diskutuar gjërë e gjatë dhe në fund së bashku kemi vendosur. Kur kemi vendosur, unë dhe Ju, i kemi qëndruar me fanatizëm deri në fund çdo beteje, i kemi qëndruar besnik parimeve dhe qëndrimeve tona! Spekulimet nuk mund të përcaktojnë rrugën tonë të përbashkët. Le të flasin. Le të shkruajnë. Le të kalkulojnë. Ne kemi para vetes kauzën tonë. Sepse ia VLEN të punojmë me vendosmëri për një qëllim të vetëm: të bëjmë më të mirën për qytetarët. Rrini rahat! Nga Amerika e lirisë, përzemërsisht, Izeti!”, ka shkruar Mexhiti.

Trump refuzon propozimin iranian për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit

0

Presidenti amerikan Donald Trump ka refuzuar propozimin e Teheranit për të rihapur Ngushticën e Hormuzit brenda shtatë ditësh, duke e mbajtur të hapur përplasjen me Iranin në një moment kur konflikti po ushtron presion mbi çmimet ndërkombëtare të energjisë dhe po sjell kosto politike të ndjeshme brenda SHBA-së.

Sipas “Wall Street Journal”, Trump jo vetëm që është skeptik ndaj qëllimeve të Teheranit, por beson se sulmet amerikane kundër Iranit mund të përsëriten pas zgjedhjeve të mesit të mandatit në nëntor.

Në një gjest simbolik, ai publikoi në Truth Social një hartë ku Ngushtica e Hormuzit shfaqej e riemërtuar “Ngushtica e Trump”.

Propozimi iranian, i paraqitur nga Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi në selinë e OKB-së në Nju Jork, parashikonte një periudhë shtatëditore që do të niste sapo SHBA-të ta pranonin planin, por administrata amerikane e hodhi poshtë duke e konsideruar të pasigurt.

Ngushtica e Hormuzit është kthyer në një pikë kyçe të konfrontimit që nga nisja e luftës më 28 shkurt, kur SHBA dhe Izraeli sulmuan Republikën Islamike, duke rrezikuar një arterie energjetike ku kalon rreth një e pesta e hidrokarbureve të konsumuar globalisht.

Në qershor, Trump dhe presidenti iranian Masud Pezheskian kishin nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit të Islamabadit, i cili parashikonte rihapjen e Hormuzit dhe një kuadër për negociata mbi programin bërthamor iranian, por marrëveshja u shemb shpejt pasi palët i interpretuan ndryshe pikat kryesore. Irani kërkon përfundimin e armiqësive, ndërprerjen e operacioneve ushtarake në Liban e Jemen, lirimin e fondeve të ngrira që vlerësohen mes 100–123 miliardë dollarë dhe heqjen e sanksioneve ekonomike që prej dekadash kanë kufizuar tregtinë e tij ndërkombëtare.

Pavarësisht tensioneve, kontaktet nuk janë ndërprerë plotësisht: Trump konfirmoi se zyrtarë amerikanë dhe iranianë zhvilluan bisedime në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ndërsa Pezheskian përsëriti në intervista për CBS News dhe Fox News se “varet nga Amerika nëse dëshiron apo jo që kjo luftë të përfundojë”.

Qëndrimi i Trump po merr një rëndësi të veçantë ndërsa zgjedhjet e mesit të mandatit afrohen, me çmimet e larta të karburantit dhe koston e jetesës që janë bërë një fushë kyçe e debatit politik në SHBA, duke e vendosur fatin e Ngushticës së Hormuzit jo vetëm si çështje ndërkombëtare, por edhe si faktor vendimtar në politikën e brendshme amerikane.

Përmbytje masive në Bangkok, shpallet gjendje katastrofe

0

Autoritetet e Bangkokut shpallën gjendje katastrofe në të 50 distriktet e kryeqytetit tajlandez, pasi shirat e rrëmbyeshëm për të tretën ditë radhazi shkaktuan përmbytje të mëdha.

Vendimi u mor nga guvernatori Chadchart Sittipunt, i cili tha se që nga pasditja e së enjtes kanë rënë rreth 300 milimetra shi, duke e bërë situatën kritike.

Rrugët dhe kanalet e qytetit janë përmbytur, ndërsa uji ka hyrë në shumë shtëpi dhe biznese. Banorët raportojnë se niveli i ujit ka arritur deri në bel, duke i detyruar të mbyllin dyqanet dhe të përdorin thasë me rërë për mbrojtje.

“Është më e keqe se përmbytja e vitit 2011”, tha një banore për AFP, duke kujtuar katastrofën e asaj kohe që mori mbi 500 jetë.

Guvernatori paralajmëroi se zonat pranë kanaleve janë më të rrezikuara, pasi “çdo kanal është i mbushur”.

Ai u bëri thirrje pacientëve që varen nga pajisjet mjekësore të marrin në konsideratë një qëndrim të përkohshëm në spital, ndërsa banorëve u rekomandoi të zhvendosin automjetet në vende më të larta. Autoriteti i transportit publik ofroi parkim falas në stacionet e trenave MRT deri më 2 tetor.

Departamenti i Parandalimit dhe Zbutjes së Fatkeqësive paralajmëroi për presion të ulët të ajrit në rajonet lindore, verilindore dhe qendrore të Tajlandës, duke shtuar se ekziston rreziku i përmbytjeve të menjëhershme, rrëshqitjeve të dheut dhe derdhjes së lumenjve.

Dua Lipa me vizitë të befasishme në Pejë, merr pjesë në dasmën e kushëririt

0

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka realizuar së fundmi një vizitë të veçantë në Pejë, ku ka marrë pjesë në një nga ngjarjet familjare.

Siç merr vesh Telegrafi, interpretuesja e hitit “New Rules” ka qenë e pranishme në dasmën e djalit të hallës së saj, Andit, i cili i ka dhënë fund beqarisë.

Dua, e cila rrallë herë viziton Kosovën pa ndonjë angazhim publik, këtë herë është rikthyer në vendlindjen e familjes së saj për një arsye krejtësisht familjare.

Familja e artistes me famë ndërkombëtare ka origjinë nga Peja, ndërsa një pjesë e familjarëve të saj vazhdojnë të jetojnë në këtë qytet.

Ndërkohë, në rrjetet sociale kanë nisur të qarkullojnë fotografi nga dasma, ku Dua Lipa shihet e veshur në mënyrë elegante, teksa shijon atmosferën festive së bashku me familjarët dhe të ftuarit.

Vizita e saj në Pejë vjen kështu në një moment të veçantë për familjen, ndërsa prania e artistes së njohur duket se ka tërhequr edhe vëmendjen e të pranishmëve në ceremoninë martesore.

Kontrolle në lokalet e Shkupit, 8 persona në pranga

0

Një aksion policor i zhvilluar gjatë natës në disa lokale në Shkup ka përfunduar me tetë persona të privuar nga liria, mes tyre edhe tre të mitur, përcjell TV21. Kontrolli u krye nga Sektori për Punë të Brendshme në Shkup, në bashkëpunim me inspektorë të Inspektoratit Shtetëror të Tregut. Gjatë aksionit janë kontrolluar dhe identifikuar gjithsej 37 persona. Në dy prej lokaleve është konstatuar se puna ka vazhduar përtej orarit të lejuar. Ndërsa në një tjetër, policia ka konstatuar se u është shërbyer alkool personave të mitur. Kontrollet zbuluan edhe persona që dyshohet se posedonin droga narkotike, substanca psikotrope dhe prekursorë.

“Sektori për Punë të Brendshme në Shkup, në bashkëpunim me inspektorë të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, gjatë natës ka kryer kontrolle në disa lokale hotelierike në Shkup. Gjatë kontrollit janë identifikuar 37 persona, ndërsa tetë persona janë privuar nga liria, prej të cilëve tre janë të mitur. Në dy lokale është konstatuar tejkalim i orarit të punës, ndërsa në një lokal është konstatuar shërbim i alkoolit ndaj personave të mitur. Gjithashtu, janë konstatuar persona që posedonin drogë narkotike, substanca psikotrope dhe prekursorë“, thonë nga MPB.

Kurti: Kosova humbi mbi 40 milionë euro nga BE-ja për shkak të bllokadës në Kuvend

0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se vendi ka humbur mundësinë për të përfituar mbi 40 milionë euro nga Bashkimi Evropian, si pasojë e mosmiratimit të ligjeve në Kuvend.

Kurti i bëri këto deklarata të premten, gjatë Mbledhjes së Dytë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian, në funksionin e Komitetit Drejtues për Planin e Rritjes, ku u diskutua për zbatimin e reformave, projektet ekzistuese dhe programet IPA.

Kryeministri njoftoi se më 15 korrik, Qeveria ia kishte dorëzuar Komisionit Evropian raportin e parë zyrtar për zbatimin e Agjendës së Reformave dhe kërkesën e parë për lirimin e fondeve nga Plani i Rritjes.

“Deri më 30 qershor kemi zbatuar dhe raportuar te KE-ja 20 hapa të reformave, në vlerë prej gjithsej 153,3 milionë euro në fonde të Bashkimit Evropian. Aktualisht, KE-ja është duke kryer vlerësimin. Pas vlerësimit, Komisioni do ta miratojë vendimin për lirimin e fondeve dhe pastaj Kosova do të përfitojë fondet përkatëse sipas këtij vendimi”, tha Kurti.

Ai bëri të ditur se në fillim të javës së ardhshme Kuvendit do t’i përcillen tri marrëveshje ndërkombëtare për programet IPA. Në kuadër të tyre përfshihen dy amendamente për projektet IPA 2021 dhe IPA 2022, si dhe Marrëveshja Financiare IPA 2026–2027, përmes të cilave Kosova pritet të përfitojë 258 milionë euro.

Sipas Kurtit, nga Plani i Rritjes dhe programet IPA, Kosova pritet të përfitojë mbi 400 milionë euro për qeverisje të mirë dhe zbatimin e reformave drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, ai tha se nga 13 reformat e parapara për afatin e 30 qershorit, gjashtë nuk janë zbatuar në kohë. Për pasojë, nga 90.7 milionë eurot e planifikuara për këtë afat, Kosova nuk ka përfituar mbi 40 milionë euro.

“Arsyeja e mospërfitimit të këtyre mjeteve është bllokada në Kuvend, e cila pamundësoi miratimin e ligjeve”, tha Kurti.

Ai shtoi se të gjitha projektligjet e parapara për afatin e 30 qershorit do të procedohen në seancën e radhës të Kuvendit.

Kurti theksoi se vëmendja tash duhet të përqendrohet te zbatimi i 22 reformave që kanë afat deri në fund të dhjetorit, me vlerë prej 131.4 milionë eurosh në fonde të BE-së. Sipas tij, tetë prej këtyre reformave kërkojnë miratimin e projektligjeve në Kuvend, ndërsa bëhet fjalë për gjithsej 10 projektligje me afat deri më 31 dhjetor 2026.

“Këto projektligje janë duke u finalizuar dhe do t’i miratojmë në qeveri brenda këtij afati. Në këtë drejtim kemi punuar edhe me Komisionin Evropian që projektligjet, të cilat kanë për afat 31 dhjetorin, ta kryejnë konsultimin me Bashkimin Evropian në afat më të shpejtë. Nëse Kuvendi do të jetë funksional, reformat dhe mjetet e dedikuara për to nuk do të humben”, u shpreh ai.

Kryeministri tha se, për shkak të bllokadës në Kuvend, nuk do të dështojë zbatimi i reformave të parapara, por do të humbin fondet e dedikuara për to.

Gjatë fjalimit të tij, Kurti foli edhe për situatën institucionale dhe afatin për zgjedhjen e presidentit të ri. Ai deklaroi se, nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.

“Nëse nuk do të arrijmë të zgjedhim president të ri, do të shkojmë sërish në zgjedhje, që do të jenë zgjedhjet e katërta në më pak se dy vite”, tha Kurti.

Ai i cilësoi zgjedhjet e reja si të panevojshme dhe të kushtueshme, duke theksuar se Kosova tashmë ka Kuvend dhe Qeveri të zgjedhur.

“Ne tashmë kemi kryetare të Kuvendit dhe kemi qeveri të zgjedhur dhe ky Kuvend mund t’i japë vendit president apo presidente. Duhet ta kuptojmë që në Kosovë nuk kemi zgjedhje presidenciale. Zgjedhjet e reja do të jenë sërish për Kuvend e për qeveri dhe jo për president, pasi zgjedhja e presidentit bëhet nga Kuvendi”, tha ai.

Kurti u bëri thirrje subjekteve politike që të kontribuojnë në funksionalizimin e Kuvendit, duke theksuar se përgjegjësia për miratimin e ligjeve dhe funksionimin e institucioneve është e përbashkët.

Prodhim ilegal dhe i kontaminuar! Arrestohen dy persona, dyshohet se shisnin akull me baktere fekale

0

Për vite me radhë, dy 62-vjeçarë nga Radovishi dyshohet se prodhonin dhe shisnin akull në kushte të improvizuara dhe johigjienike, përcjell TV21. Policia ka kontrolluar katër lokacione që i përdornin personat dhe aty ka gjetur makina për prodhimin e akullit, frigoriferë dhe qindra qese me akull të gatshëm për shitje. Në total, rreth 850 kilogramë akull janë sekuestruar. Por problemi kryesor u zbulua pas analizave laboratorike. Mostrat e akullit dhe të pajisjeve për prodhim nuk i plotësonin kushtet e kërkuara. Në to është konfirmuar prania e Escherichia coli dhe baktereve koliforme, që sipas autoriteteve tregon kontaminim me baktere me origjinë fekale.

“Nga analizat mikrobiologjike dhe kimike u konstatua se vetëm uji i përdorur si lëndë e parë përputhej me parametrat e kërkuar. Të gjitha mostrat e tjera nuk përputheshin me parametrat e kërkuar dhe në to u konfirmua prania e bakterieve Escherichia coli dhe bakterieve koliforme. Me këtë u konstatua se akulli ishte i pasigurt për përdorim dhe i dëmshëm për shëndetin e njerëzve për shkak të kontaminimit me baktere me origjinë fekale”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Hetimi zbuloi edhe një tjetër parregullsi. Uji që përdorej për prodhimin e akullit në hapësirat e bodrumit nuk matej përmes ujëmatësit. Autoritetet dyshojnë se uji sigurohej përmes një lidhjeje të paligjshme me rrjetin e ujësjellësit. T.D. 62 vjeç dhe S.D. 62 vjeç, të dy nga Radovishi, janë arrestuar dhe janë mbajtur në Stacionin Policor në Radovish. Ndërkohë, gjatë bastisjeve është gjetur edhe një pushkë ajrore pa dokumentacion përkatës, ndërsa për objektin ku është gjetur ajo është konstatuar se ishte ndërtuar pa leje. Për rastin, ndaj dy personave është ngritur kallëzim penal për prodhim dhe vënie në qarkullim të produkteve të dëmshme ushqimore.

WP: Arabia Saudite nuk e ka përjashtuar zhvillimin e armëve bërthamore

0

Arabia Saudite nuk e ka përjashtuar zhvillimin e armëve bërthamore, sipas një vlerësimi të klasifikuar të inteligjencës amerikane që ka nxitur shqetësime në Kongres lidhur me marrëveshjen e bashkëpunimit bërthamor të Presidentit Donald Trump me Riadin, raportoi të premten Washington Post.

Vlerësimi u përfshi në dokumentet e klasifikuara që u ofruan ligjvënësve ndërsa ata shqyrtojnë marrëveshjen historike, thanë zyrtarët amerikanë për gazetën. Departamenti i Shtetit thuhet se dha një vlerësim të veçantë që ishte më i sigurt në garancitë saudite dhe mbrojtjet e përfshira në marrëveshje.

E nënshkruar në korrik, marrëveshja e Seksionit 123 hedh themelet ligjore që kompanitë amerikane të marrin pjesë në projekte bërthamore civile me vlerë dhjetëra miliardë dollarë në Arabinë Saudite. Administrata Trump ka argumentuar se marrëveshja do të forcojë standardet e mospërhapjes, duke e penguar Riadin të drejtohet nga Rusia ose Kina për bashkëpunim bërthamor.

Megjithatë, marrëveshja krijon një rrugë të mundshme për Arabinë Saudite për të pasuruar uranium në vend. Pasurimi fillimisht do të kufizohet nën 5%, por më vonë mund të rritet deri në 20% pas studimeve shtesë dhe miratimit me shkrim nga Uashingtoni dhe Riadi. Urani i pasuruar në atë nivel mbetet nën nivelin e armëve, por zvogëlon ndjeshëm punën shtesë të nevojshme për të arritur përqendrimet e nivelit të armëve.

Pakti gjithashtu nuk kërkon që Arabia Saudite të miratojë Protokollin Shtesë të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, i cili u ofron inspektorëve akses më të gjerë dhe mjete shtesë për zbulimin e aktivitetit bërthamor të padeklaruar. Në vend të kësaj, Uashingtoni dhe Riadi kanë negociuar një marrëveshje të veçantë dypalëshe mbrojtëse.

Një grup senatorësh demokratë të udhëhequr nga Ed Markey dhe Jeff Merkley e paralajmëruan Sekretarin e Shtetit Marco Rubio të premten se marrëveshja në fund të fundit mund t’i japë Riadit “mjetet për të pasuruar uraniumin dhe ndoshta për të zhvilluar armë bërthamore”. Merkley i tha Washington Post se këmbëngulja e Arabisë Saudite për të ruajtur opsionin e pasurimit vendas ngre pyetje nëse ambiciet e saj janë tërësisht civile.

Departamenti i Shtetit hodhi poshtë sugjerimet se administrata po lehtëson një program ushtarak, duke i thënë gazetës se SHBA-të “nuk mbështesin dhe nuk do të mbështesin një program të armëve bërthamore saudite”. Ministri saudit i Energjisë, Abdulaziz bin Salman, ka këmbëngulur se programi i Riadit do të jetë “paqësor” dhe do të zhvillohet me “nivelet më të larta të përgjegjësisë dhe transparencës”.

Vlerësimi i inteligjencës i ka shtuar shqetësimeve të hershme lidhur me deklaratën e Princit të Kurorës Saudite Mohammed bin Salman në vitin 2018 se Riadi do të kërkojë një armë bërthamore nëse Irani e blen një të tillë.

«Pa dyshim, nëse Irani zhvillonte një bombë bërthamore, ne do të ndiqnim të njëjtën gjë sa më shpejt të ishte e mundur», tha ai në atë kohë.

Ligjvënësit e kanë krahasuar gjithashtu marrëveshjen saudite me marrëveshjen shumë më të rreptë bërthamore të Iranit të vitit 2015, e cila e kufizoi pasurimin e uraniumit të Teheranit në 3.67% për 15 vjet. Trump tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja gjatë mandatit të tij të parë, duke pretenduar se nuk ishte mjaftueshëm e rreptë.

Marrëveshja saudite iu dorëzua zyrtarisht Kongresit më 24 gusht dhe po i nënshtrohet një shqyrtimi 90-ditor. Ligjvënësit mund të kërkojnë ta bllokojnë atë, megjithëse për të anashkaluar një veto presidenciale do të duhej një shumicë prej dy të tretash në të dyja dhomat./WashingtonPost

Mickoski takoi Guterresin në Nju Jork: Konfirmohet bashkëpunimi i shkëlqyer mes OKB-së dhe Maqedonisë

0

Kryeministri Hristijan Mickoski, mbrëmë në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, zhvilloi një takim me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Në takim, siç njoftoi zyra e Guterresit, u theksua bashkëpunimi i mirë ndërmjet Kombeve të Bashkuara dhe Maqedonisë së Veriut.

Guterresi dhe Mickoski diskutuan gjithashtu për integrimin evropian, bashkëpunimin rajonal dhe mbështetjen për multilateralizmin.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, më herët, mbajti fjalim në debatin e përgjithshëm të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Moti i ndryshueshëm! Ditët në vijim më të ngrohta, por me mundësi për reshje lokale

0

Moti sot do të jetë i ndryshueshëm dhe me vranësira. Gjatë paradites do të ketë reshje të herëpashershme lokale shiu. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi verior. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 7 deri në 14°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 15 deri në 21°C.

Në Shkup do të mbajë mot i vranët. Gjatë natës dhe orëve të paradites do të ketë reshje të herëpashershme shiu. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshueshme. Temperatura minimale do të zbresë deri në 11°C, ndërsa maksimalja do të arrijë deri në 20°C.

Sipas DPHM-së, të dielën dhe deri në fund të javës së ardhshme të punës do të vazhdojë moti i ndryshueshëm me vranësira, por më i ngrohtë, me periudha me diell. Në disa vende do të ketë kushte për reshje të shkurtra shiu. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi verior.