Mickoski me një sërë takimesh në Nju Jork, integrimi evropian, siguria dhe bashkëpunimi rajonal në fokus

0

Kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë vizitës së tij në Nju Jork, zhvilloi disa takime dypalëshe me përfaqësues të lartë, ku u shkëmbyen mendime për perspektivën evropiane të vendit, bashkëpunimin rajonal, sigurinë dhe sfidat aktuale globale.

Siç njoftuan nga Qeveria, kryeministri Mickoski gjatë ditës së djeshme zhvilloi takim me presidentin e Republikës së Finlandës, Aleksander Stub, me të cilin biseduan për rëndësinë e paqes, dialogut dhe lidershipit të përgjegjshëm, si dhe për respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe forcimin e bashkëpunimit multilateral. Në takim, siç shtohet, u theksua edhe rëndësia e përpjekjeve të përbashkëta për ndërtimin e një Evrope stabile dhe të sigurt.

Fokusi i takimit dypalësh me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte avancimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, thellimi i bashkëpunimit rajonal, si dhe sfidat dhe mundësitë e përbashkëta për zhvillimin e të dyja shteteve.

Kryeministri Mickoski zhvilloi takim dypalësh edhe me kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ku u shkëmbyen mendime për perspektivën evropiane të Maqedonisë, vazhdimin e proceseve reformuese në përputhje me standardet evropiane, avancimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.

Kryeministri Mickoski zhvilloi gjithashtu takim me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, ku u shqyrtuan sfidat aktuale rajonale, mundësitë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe prioritetet e përbashkëta të orientuara drejt një rajoni stabil dhe të sigurt.

Takimet në Nju Jork konfirmojnë përcaktimin e Maqedonisë për një rol aktiv dhe konstruktiv në komunitetin ndërkombëtar, forcimin e partneriteteve dhe thellimin e bashkëpunimit me partnerët evropianë dhe rajonalë.

Maqedonia mbetet e përkushtuar ndaj reformave, integrimit evropian, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe ndërtimit të një rajoni stabil, të sigurt dhe të prosperuar, thuhet në njoftimin e shërbimit për shtyp të Qeverisë.

Vizitat në paraburgim tek Hashim Thaçi, gjykatësi miraton një ndryshim për disa emra që do t’iu hiqet ndalesa

0

Gjyqtari Christopher Gosnell ka marrë vendim me datën 21 shtator për ndryshimin e kufizimeve për vizita tek Hashim Thaçi në qendrën e paraburgimit në Hagë, lidhur me rastin e dytë ku Thaçi akuzohet për ndërhyrje në drejtësi.

Gjykata ka hequr ndalimin për vizitë për Milaim Ahmetiajn, Milaim Cakiqin, Avni Kastratin dhe tre persona të tjerë emrat e të cilëve janë të redaktuar.

Ndërkohë, ndalesa i është vazhduar Artan Behramit, Ismail Sylës, Blerim Shalës dhe Vllaznim Kryeziut.

Për personat ndaj të cilëve ndalimi është hequr, vizitat nuk janë plotësisht të pakufizuara. Ato duhet të jenë nën monitorim aktiv.

Gjatë këtyre vizitave, Administrata duhet të raportojë çdo përpjekje për komunikimin e informacionit konfidencial, dhënien e udhëzimeve lidhur me dëshmitarët dhe shkelje të tjera të rregullave të Qendrës së Paraburgimit.

Rubio: Serbia e përfshirë në çështje potencialisht problematike dhe shpërthyese

0

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se Serbia është e përfshirë në çështje “potencialisht problematike dhe shpërthyese”, të cilat kanë tërhequr vëmendjen ndërkombëtare.

Rubio i bëri këto deklarata më 23 shtator në Nju Jork, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë. Ai nuk specifikoi se cilave çështje u referohej.

“Është e qartë se Serbia është e përfshirë në çështje të caktuara që janë potencialisht problematike dhe shpërthyese dhe që tërheqin vëmendjen ndërkombëtare”, tha Rubio.

Pavarësisht kësaj, kryediplomati amerikan tha se Uashingtoni synon të thellojë partneritetin strategjik me Beogradin.

“Është një partneritet strategjik që duam ta thellojmë dhe synojmë ta bëjmë këtë, ndërkohë që menaxhojmë disa nga çështjet potenciale që mund të shfaqen”, deklaroi Rubio.Ai bëri të ditur se zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit dhe agjencive të tjera qeveritare tashmë kanë vizituar Serbinë.

Rubio shprehu gjithashtu gatishmërinë që edhe vetë ta vizitojë këtë shtet.

“Shpresoj që edhe unë të kem mundësinë ta vizitoj”, tha ai.Deklaratat e Rubios vijnë në kohën kur Uashingtoni dhe Beogradi po zhvillojnë dialogun strategjik. Në korrik, SHBA-ja dhe Serbia nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi për infrastrukturën energjetike dhe sigurinë energjetike rajonale.

Ndërkohë, në gusht, ligjvënës republikanë dhe demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve paraqitën një projektligj lidhur me Serbinë.

Në të ngrihen shqetësime për gjendjen e demokracisë dhe sundimit të ligjit, si dhe për marrëdhëniet e Beogradit me Rusinë, Kinën dhe Iranin.Serbia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por prej vitesh nuk ka hapur kapituj të rinj negociues. Ndër çështjet që kanë ndikuar në proces janë sundimi i ligjit dhe mospërputhja e plotë e politikës së jashtme të Beogradit me atë të BE-së.

Serbia, ndër të tjera, nuk u është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.

Rubio, megjithatë, nuk sqaroi nëse këto çështje apo zhvillime të tjera në rajon ishin ato që kishte parasysh kur foli për çështje “potencialisht problematike dhe shpërthyese”. 

Ka dhuruar gjak 168 herë! 80-vjeçari mban rekord në Maqedoninë e Veriut

0

Në aksionin e rregullt për dhurimin e gjakut që u zhvillua në Kryqin e Kuq në Koçan, ishte i pranishëm edhe rekorderi shtetëror dhe lokal në dhurimin e gjakut, Dimitar Velkov – Marjanata.

Në ambientet e Kryqit të Kuq në Koçan, ai nuk u paraqit me duar “bosh”. Me vete solli kujtime të çmuara, artikuj të vjetër gazetash me emrin e tij dhe pa fund rrëfime për dhurimin e gjakut dhe dhuruesit, të cilat dëshmojnë për një kohë, për një humanizëm të madh dhe për një jetë të përkushtuar për t’u ndihmuar të tjerëve.

Marjanata nga Koçani ka dhuruar gjak plot 168 herë!

Ai sot ndau me të rinjtë se për herë të parë dhuroi gjak në moshën vetëm 17-vjeçare, në vitin e largët 1963. Që nga atëherë e deri në pensionim, dhurimi i gjakut ishte pasioni i tij dhe një pjesë e rëndësishme e jetës së tij.

Dimitar Velkov tashmë ka mbushur 80 vjeç dhe sot jeton një jetë të qetë si pensionist. Ajo që ai ka bërë në fushën e dhurimit të gjakut vazhdon të frymëzojë.

Pas çdo dhurimi, na tha Marjanata, qëndron një histori. Pas 168 dhurimeve – një jetë e tërë e përkushtuar ndaj humanizmit.

Albanese zbulon incidentin: Agjent i OpenAI-së hyri në sisteme qeveritare

0

Kryeministri australian Anthony Albanese ka bërë të ditur se një agjent i inteligjencës artificiale i zhvilluar nga OpenAI ka aksesuar informacione publike dhe jopublike në një faqe interneti të qeverisë australiane. Sipas kronologjisë së incidentit, agjenti ka kryer aksesin më 18 qershor. OpenAI e identifikoi rastin gjatë një shqyrtimi më të gjerë të asaj që kompania e përshkroi si “aktivitet të modelit të keqorientuar”. Më 10 shtator, OpenAI i dërgoi një njoftim Services Australia-s, qendrës federale që ofron shërbime të përgjithshme për qytetarët. Pesë ditë më vonë, më 15 shtator, autoritetet australiane e raportuan incidentin te Australian Cyber Security Centre.

Brenda pak ditësh u informua edhe ministrja australiane për Shërbimin Publik, Katy Gallagher. Zyra e kryeministrit Albanese u vu në dijeni për incidentin gjatë fundjavës së 19–20 shtatorit, pak para nisjes së kryeministrit drejt Nju Jorkut për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Më 23 shtator, Albanese e bëri publik incidentin nga Nju Jorku. Kryeministri australian tha se autoritetet janë gjithashtu në dijeni të tre sistemeve të tjera që mund të jenë prekur.

Sipas Albanese, ato përfshijnë: Institutin Australian të Shëndetit dhe Mirëqenies; Byronë Australiane të Statistikave dhe Kërkimeve të Krimit të Uellsit të Ri Jugor; Departamentin e Shëndetësisë të Viktorias. Albanese tha se kishte komunikuar me kryeministrat e Viktorias dhe Uellsit të Ri Jugor, Ben Carroll dhe Chris Minns, të cilët do të merrnin informacione të plota nga autoritetet e sigurisë kibernetike.

Çfarë është një agjent i inteligjencës artificiale?

Ndryshe nga një chatbot tradicional, i cili zakonisht i përgjigjet një kërkese të përdoruesit, një agjent i IA-së është një program që mund të veprojë në mënyrë më autonome për të përmbushur një detyrë. Agjentët mund të analizojnë një objektiv, të ndërmarrin hapa të ndryshëm dhe të përdorin mjete të tjera kompjuterike, si ekzekutimi i kodit ose ndërveprimi me aplikacione, me mbikëqyrje të kufizuar njerëzore. Kjo autonomi mund t’i bëjë agjentët më të dobishëm për detyra komplekse, por njëkohësisht krijon edhe rreziqe të reja të sigurisë. Në disa raste, mund të jetë e vështirë të parashikohet saktësisht se cilat hapa do të ndërmarrë një agjent për të arritur objektivin e tij.

Rasti australian vjen në një periudhë kur kompanitë e teknologjisë po përballen me shqyrtim më të madh mbi sigurinë e modeleve të avancuara të inteligjencës artificiale.

OpenAI ka raportuar më herët raste të sjelljes së padëshiruar të modeleve të saj në mjedise testimi, ndërsa edhe kompani të tjera të sektorit, përfshirë Anthropic, kanë dokumentuar rreziqe që lidhen me përdorimin e sistemeve agjentike. Zhvillimi i agjentëve të IA-së po zgjerohet me shpejtësi, nga programimi dhe automatizimi i detyrave deri te ndërveprimi me shërbime online. Pikërisht aftësia e tyre për të ndërmarrë veprime me më pak ndërhyrje njerëzore ka shtuar debatin mbi masat e sigurisë dhe kontrollit që duhet të shoqërojnë këto teknologji.

Operacioni “Filter”/Aksion i madh kundër kontrabandës së cigareve, disa të arrestuar

0

Drejtoria e Doganave është duke zhvilluar operacionin “Filter”, që ka për qëllim shkatërrimin e një sistemi të organizuar dhe kompleks të kontrabandës së cigareve, përcjell TV21. Në aksion janë përfshirë kompani të shpedicionit, transportit dhe importit, persona fizikë, por edhe zyrtarë policorë dhe doganorë.

Drejtoria e Doganave, përmes Sektorit për Kontroll dhe Hetime dhe Njësisë për Hetime, në koordinim me MPB-në, Byronë për Siguri Publike dhe Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, si dhe me prokurorin kompetent publik, ka zhvilluar një hetim të gjerë, me të cilin janë zbuluar disa raste të kontrabandës së organizuar të sasive të mëdha të cigareve dhe shmangies së pagesës së detyrimeve në vlerë prej disa milionë eurosh.

Informacionet e para flasin se mëngjesin e sotëm janë arrestuar 13 persona, ndërsa janë duke u kryer kontrolle në më shumë se 20 lokacione në territorin e Gevgelisë, Vallandovës, Strumicës, Dojranit, Velesit dhe Shkupit.

Informacione më të detajuara për operacionin “Filter” priten nga Drejtoria e Doganave gjatë ditës.

​Xhaka mungon në ndeshjen me Maqedoninë e Veriut, Jashari pritet të marrë rolin e tij te Zvicra

0

Ardon Jashari pritet të jetë një nga ndryshimet kryesore në formacionin e Zvicrës për ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut, pasi Granit Xhaka do të mungojë në këtë kamp përfaqësues.

Sipas mediumit zviceran “Blick”, trajneri Murat Yakin po planifikon ta vendosë Jasharin në mesfushë përkrah Remo Freulerit, duke i dhënë kështu 24-vjeçarit një rol më të rëndësishëm në organizimin e lojës.

Mungesa e Xhakës është një goditje e rëndësishme për Zvicrën, pasi kapiteni është një prej lojtarëve kryesorë në ndërtimin e aksioneve. Për më tepër, Zvicra nuk do ta ketë në dispozicion as Denis Zakarian, i cili është i dëmtuar.

Në këto rrethana, Jashari pritet të marrë më shumë përgjegjësi në mesfushë. Ai tashmë ka përvojë me Kombëtaren zvicerane dhe është aktivizuar edhe në fazën e eliminimit direkt të Kupës së Botës, duke luajtur kundër Kolumbisë dhe Argjentinës.

Sipas formacionit të parashikuar nga “Blick”, Jashari do të luajë në një dyshe me Freulerin. Ky i fundit pritet të ketë rolin më të tërhequr dhe të mbulojë pjesën më të madhe të detyrave mbrojtëse, duke i dhënë Jasharit më shumë hapësirë për të marrë përgjegjësi në organizimin e lojës.

Ndërkohë, në sulm pritet të ketë ndryshim tjetër për shkak të mungesës së Breel Embolos, me Winsley Botelin që mund të marrë vendin e tij.

Zvicra do ta nisë fushatën e saj të re në Ligën e Kombeve të shtunën në Shkup, ndaj Maqedonisë së Veriut.

Erdogan i kërkon Zelenskyt ndalimin e sulmeve ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi

0

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i ka kërkuar homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, që të ndërmerren hapa për ndalimin e sulmeve ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi, duke i cilësuar ato si të “pashpjegueshme”. Gjatë takimit mes dy liderëve, Erdogan theksoi se Turqia është e gatshme të kontribuojë në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës mes Ukrainës dhe Rusisë përmes një paqeje të qëndrueshme. “Turqia është e gatshme të bëjë gjithçka që mundet për t’i dhënë fund luftës Ukrainë-Rusi me një paqe të qëndrueshme”, deklaroi presidenca turke, duke shtuar se Ankaraja do të vijojë përpjekjet për ringjalljen e negociatave të drejtpërdrejta mes palëve.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve ishte siguria e lundrimit në Detin e Zi. Sipas presidencës turke, Erdogan u shpreh se duhet të ndërmerret një hap konkret për garantimin e sigurisë së anijeve tregtare dhe se të dyja palët duhet të veprojnë me përgjegjësi.

Turqia, e cila është anëtare e NATO-s dhe ka ruajtur kanale komunikimi si me Moskën, ashtu edhe me Kievin që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, ka bërë vazhdimisht thirrje për ndalimin e sulmeve në Detin e Zi.

Ankaraja ka bërë të ditur se u ka paraqitur Rusisë dhe Ukrainës propozime për ndalimin e sulmeve, përfshirë masa që lidhen me sigurinë e anijeve tregtare. Disa prej sulmeve kanë prekur edhe anije me pronësi turke dhe, sipas autoriteteve turke, kanë shkaktuar viktima mes qytetarëve të saj.

Turqia ka kërkuar gjithashtu që të krijohen kushte për transportin e sigurt të drithërave nga rajoni i Detit të Zi. Nga ana tjetër, Zelensky u ka thënë më herët liderëve të mbledhur në samitin e Platformës së Krimesë, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, se Ukraina është e gatshme të shqyrtojë një armëpushim detar në Detin e Zi.

Sipas presidentit ukrainas, një marrëveshje e tillë mund të bazohet në propozime të paraqitura nga Egjipti, India dhe Turqia, në kuadër të përpjekjeve për të ulur tensionet dhe për të garantuar sigurinë e lundrimit në këtë zonë strategjike.

Zbardhet rasti me videon e djegies së flamurit të Maqedonisë, një i mitur nga Tetova përfundoi në polici

0

MPB-ja njofton se është zbardhur rasti lidhur me një video të publikuar në TikTok, në të cilën shihet djegia e flamurit të Maqedonisë, përcjell TV21. Nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë bëjnë të ditur se më 22 shtator, gjatë monitorimit të rrjeteve sociale, policia ka identifikuar videon dhe ka nisur veprimet për përcaktimin e autorit.

“Pas ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve operative, më 23.09.2026 është përcaktuar identiteti i autorit të profilit. Bëhet fjalë për një të mitur nën moshën 14-vjeçare nga Tetova. Në ambientet e Policisë, në prani të prindit dhe përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale Tetovë, me të miturin është zhvilluar bisedë zyrtare, me ç’rast ai e ka pranuar veprën. Me pëlqimin e prindit, për nevojat e procedurës dhe fotodokumentimin e provave, është siguruar telefoni celular nga i cili është publikuar videoja“, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Sipas Policisë, i mituri ka përmendur edhe tre të mitur të tjerë që kanë marrë pjesë në ngjarje. Ata do të ftohen në stacionin policor për zbardhjen e plotë të rastit. MPB-ja njofton se pas dokumentimit të plotë të rastit, në Prokurorinë Themelore Publike në Tetovë do të dorëzohet parashtresë përkatëse.

Për tetë muaj, 34 viktima më pak dhe 863 persona më pak të lënduar në aksidente trafiku

0

Gjatë periudhës janar–gusht të këtij viti, në aksidente trafiku kanë humbur jetën 62 persona, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kanë humbur jetën 96 persona. Kjo është 34 viktima më pak, përkatësisht një ulje prej 35,42%, tregojnë të dhënat nga evidencat e Ministrisë së Punëve të Brendshme për tetë muajt e parë të vitit 2026.

Ndërkohë, numri i përgjithshëm i personave të prekur nga aksidentet është ulur nga 4.731 në 3.868. Bëhet fjalë për 863 persona më pak të vdekur dhe të lënduar, përkatësisht një ulje prej 18,24%.

“Këto shifra janë një konfirmim i qartë se qasja sistematike në përmirësimin e sigurisë në komunikacion jep rezultate konkrete”, theksojnë nga MPB-ja.

Numri i përgjithshëm i aksidenteve të trafikut është ulur nga 5.485 në 4.840, përkatësisht me 11,76%. Numri i aksidenteve me pasoja fatale është ulur nga 82 në 54, ose me 34,15%, ndërsa numri i aksidenteve me lëndime të rënda trupore është ulur nga 594 në 528, përkatësisht me 11,11%.

Numri i aksidenteve me lëndime trupore është ulur nga 2.291 në 1.896, ose me 17,24%, ndërsa numri i aksidenteve me dëme materiale nga 2.518 në 2.362, përkatësisht me 6,20%.

Numri i personave me lëndime trupore është ulur nga 3.949 në 3.116, ose me 21,09%, që paraqet 833 persona më pak. Numri i personave me lëndime të rënda trupore është pothuajse në të njëjtin nivel – 686 në vitin 2025 dhe 690 në vitin 2026.

Rëndësia e këtyre rezultateve, siç theksojnë nga MPB-ja, është edhe më e madhe duke pasur parasysh se prej vitesh numri i viktimave në trafik mbetej në nivel të lartë.

Në periudhën nga viti 2010 deri në vitin 2025, në aksidente trafiku çdo vit kanë humbur jetën nga 116 deri në 198 persona, ndërsa në vitet 2019 dhe 2025 janë regjistruar nga 132 viktima.

“Kjo tregon se për një periudhë të gjatë nuk ishte arritur ulje thelbësore dhe e qëndrueshme e numrit të viktimave. Ndryshimi pozitiv në vitin 2026 është rezultat i një qasjeje të integruar që përfshin sistemin “Qyteti i Sigurt”, ndryshimet ligjore, kontrollet e shtuara policore dhe aktivitetet e vazhdueshme parandaluese”, thonë nga MPB.

Me fillimin e sanksionimit përmes sistemit “Qyteti i Sigurt” më 1 shkurt 2026, u vendos një model i ri i veprimit. Shkeljet detektohen automatikisht, rastet përpunohen në mënyrë elektronike, ndërsa njoftimet dërgohen përmes SMS-ve dhe postës elektronike.

Nuk bëhet fjalë vetëm për futjen e një teknologjie të re, por për ndryshimin e mënyrës së zbatimit të rregullave të trafikut, përkatësisht nga kontrollet e herëpashershme drejt veprimit të vazhdueshëm, të parashikueshëm dhe joselektiv.

Në këtë mënyrë rritet siguria se shkelja e detektuar do të procedohet, zvogëlohet hapësira për veprime subjektive dhe ndikohet në mënyrë parandaluese në sjelljen e pjesëmarrësve në trafik.

“Rezultatet në tetë muajt e parë tregojnë se kjo qasje po sjell ndryshim real në rrugë. Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë me avancimin dhe zgjerimin e sistemit “Qyteti i Sigurt”, me kontrolle të shtuara dhe masa të orientuara drejt uljes së aksidenteve të trafikut, përkatësisht më pak të lënduar dhe më pak jetë të humbura njerëzore”, thuhet në njoftimin e MPB-së.