FORMULA 1: FITUES HAMILTON

0

Në Formula Një, Luis Hamilton është fitues i garës për Çmimin e Madh të Kinës.

Piloti britanik i Mercedes ishte më i shpejti duke dëshmuar se edhe sivjet është favoriti kryesor për titull të kampionit.
Pas këtij triumfi Hamilton rritë epërsinë e pikëve ndaj përcjellësve të tij pasi britaniku ka mbledh 68 pikë, duke e lënë mbrapa Fetelin e Ferrarit me 55 dhe shokun e skuadrës Rosbergun me 51 pikë. Gara e ardhshme zhvillohet pas një jave për Çmimin e Madh të Bahreinit.

lewis-hamilton-2_28355871

Kënga kushtuar Paul Walker, emocionon shikuesit (Video)

0

Seria e fundit e filmit të shumëpritur ‘Furious 7′, është klarakterizuar me shikueshmëri të lartë.
Përveq shikueshmëris, ajo që ka mahnitur e i ka bërë me lot, shikuesit ishte edhe vija melodike e filmit.
Kënga “See You Again” (Do të shihemi sërish) dedikuar aktorit Paul Walker në “Furious 7” ka përlotur të gjithë fansat e aktorit që kanë parë filmin.
Kjo këngë transmetohet në pjesën e fundit të filmit, shoqëruar me pamje nga të gjitha seritë e mëparshme të “Fast and Furious”.

NJË DITË TE VARRI I NOLIT ME PRESIDENTIN RUGOVA

0

Nga Harry Bajraktari

Në vitin 1993 së bashku me presidentin e Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, i cili asaj kohe ndodhej për një vizitë zyrtare në SHBA, në shoqëri te At Arthur Lioninin, Kancelari i Kishës Orthodokse Shqiptare ”Shën Gjergji”, Antony Athanas, veprimtarin dhe biznismenin e njohur i komunitetit shqiptaro- amerikan dhe Dr. Alush Gashin, vizituam varrin e Fan S. Nolit në Forrest Hill Cemetery në Boston, njërit ndër figurat më të spikatura të kulturës shqiptare, politikës dhe diplomacisë dhe themeluesi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, që u bë Kryedioqeza e shqiptarëve ortodoksë të Amerikës.
Presidenti Dr. Ibrahim Rugova, duke njohur mirë veprimtarinë e Nolit dhe të Konicës dhe kontributin e tyre në fushën e letërësisë dhe të kulturës shqiptare, kishte një dëshirë të jashtëzakonshme të vizitonte Bostonin. Një kënaqësi tjetër e tij ka qenë edhe takimi me mikun tim të ngushtë Anthony Athanas, i cili kishte bashkëpunuar ngushtë një kohë të gjatë me Nolin dhe Konicën. Me vemendje të madhe Dr. Rugova e ndiqte fjalën e zotit Anthony Athanas për këta dy kolos të papërsëritshëm të komunitetit tonë në SHBA.
Noli dhe Konica, me punën e tyre intelektuale, bënë që shqiptaro -amerikanët të ngrisnin zërin kundër pushtimit të Shqipërisë nga Perandoria Osmane dhe kundër pushtimeve të tokave shqiptare pas vitit 1912 nga Greqia, Serbia dhe Mali i Zi. Noli ishte takuar edhe me presidentin e atëhershëm të SHBA Wilson para Konferencës së Paqes në Paris, duke kërkuar ndihmën e tij që të ndaleshin pretendimet e fqinjve për copëtimin e mëtejshëm të tokave shqiptare. Noli, ku sot shënojmë 50 vjetorin e vdekjes së tij, ishte njëri ndër themelusit e Organizatës Panshqiptare ” Vatra” në SHBA, udhëheqës i saj dhe editor i gazetës “Dielli”, e cila vazhdon të botohet edhe sot pas 100 vjetësh të themelimit. Komuniteti ynë ka ndjekë dhe po ndjek rrugën e Nolit dhe të Konicës e të intelektualëve të tjerë që asaj kohe selinë e kishin në Boston. Zoti Athanas ka qenë ndërlidhës i brezit të vjetër me brezin më të ri të “Vatrës” dhe të brezave të komunitetit tonë. Ishte një figurë me influencë në Qeverinë amerikane, ngaqë kishte një lidhje të ngushtë me presidentin e Kennedy.
Duke iu falënderuar Nolit dhe Konicës dhe shumë veprimtarëve të tjerë, sot kemi një komunitet të fuqishëm me ndikim në Washington. Ne punuam në vazhdimësi që të kemi një komunitetet veprues, aktiv dhe të koordinuar për çështjen shqiptare. Mendoj se me punën që po bëjmë së shpejti do të jemi të pranishëm në Kongresin dhe Senatin amerikan.

DUKURIA E VJEDHJEVE NË KOMUNËN E FERIZAJT

0

Dukuria e vjedhjeve është bërë një fenomen shqetësues për qytetarët e Komunës së Ferizajt dhe e vlerësoj shqetësimin e tyre, duke u bazuar në disa incidente që kanë ndodhur së fundi në Ferizaj, e kanë zbehur imazhin e qytetit të qetë, i cili një kohë të gjatë ishte prijës për nivel stabil dhe ambient të sigurt. Kemi rastet arrestimeve të fundit që vijnë pas një serie të vjedhjeve të rënda që kanë ndodhur në Ferizaj nëpër disa shtëpi në fshatrat, Zaskok, Cërnillë dhe Gaqkë, dhe rasti më i freskët është kur: Një femër i hyn në banesën e 72 vjeçares dhe i vjedh unazën e arit nga gishti me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme të personit tjetër dhe me qëllim që vetit t’i sjell dobi të kundërligjshme pasurore. Është brengosëse kjo dukuri sepse disa personave u është bërë shprehi vjedhjet, është edhe më shqetësuese për faktin se në këto veprime janë të përfshirë personat e moshës së re, në shumë raste dhe zakonisht janë persona recidivist ( personat që kanë kryer dy apo më shumë vjedhje). Personat që e kryejnë veprën penale të vjedhjes janë personat me kushte ekonomike të dobëta, janë njerëz të pa punë, dhe duke mos pasur një standard jetese për vete dhe për familje, detyrohen të marrin veprime të kundërligjshme. Në Kosovë, njerëzit edhe 16 vite pas luftës duhet të jetojnë me një normë papunësie prej afro 60% në varfëri, nëse njerëzit atje po jetojnë me më pak se dy euro në ditë dhe nuk kanë perspektivë ekonomike për jetën, atëherë është e kuptueshme që kërkojnë rrugën për një botë më të mirë. E dimë që vjedhja është njëra prej krimeve që ndodh më së shumti, e që është për t’u hetuar, është krim i profitit, është krim i vështirë për t’u hetuar, zakonisht nuk ka dëshmitarë. Vjedhja në shoqërinë tonë është ende në nivele të larta, shqetësuese për shtetin, shoqërinë dhe qytetarin. Është një mentalitet social i “fiksuar”, që e konsideron luftën krimit të vjedhjes detyrë vetëm të shtetit. Ky mendim është shumë publik në shoqërinë tonë, sepse sa herë flitet për krimin, mendja e shumicës së qytetarëve shkon tek përgjegjësia e policisë, si institucioni që ekskluzivisht është i detyruar të përballet ligjërisht me krimin e vjedhjes. Me gjithë reformat në polici ajo që çalon, që zbeh efektivitetin e luftës kundër krimit, është “indiferentizmi qytetar”. Sado e mirë të jetë policia dhe politikat e saj antikrim, sado të kualifikuar të jenë trupat e policisë dhe kapacitetet profesionale të saj, efikasiteti i luftës gjithnjë do të jetë i ulët, nëse shoqëria jonë nuk kapërcen plagën e indiferentizmit qytetar. Në asnjë vend të botës, sado të jetë numri i policisë, nuk është e mundur që policia të jetë në çdo rast aty ku ndodh vjedhja. Në vendet e botës bashkëpunimi qytetarë – polici është i nivelit të lartë, sipas maksimës që çdo qytetar është polic dhe çdo polic është qytetar, prandaj çdo keqbërës iu frikohen qytetarëve, për arsye se ata do t’i lajmërojnë organet e ndjekjes. Kjo aleancë në vendet e qytetëruara e ka treguar efektivitetin në luftën kundër të gjitha llojeve të krimeve, që nga ai ordiner deri tek krimi i organizuar. Bashkëpunimi i policisë me mediat dhe qytetarët, është ndoshta ajo “strategji” që duhet përpunuar në shoqërinë tonë. Padyshim, qytetarët kanë të drejtë që bëjnë presion mbi policinë dhe shtetin, të kërkojnë më shumë rend dhe siguri publike. Por kjo nuk mund të arrihet, nëse ne si qytetarë qëndrojmë pasiv. Në këtë kontekst, denoncimi i krimit nuk është akt spiunimi, por gjest i pastër qytetar. Policia e Kosovë duhet të ketë një plan konkret të veprimit lidhur dukurinë e vjedhjeve, të merr hapa të shpejtë, për arsye se kjo dukuri është duke marrë përmasa të mëdha, dhe qytetarë janë të shqetësuar. Të marr masa konkrete dhe të kenë seriozitetin më të lartë, në mënyrë që të rritet besueshmëria e qytetarëve ndaj institucioneve të sigurisë, me qëllim që të rritet bashkëpunimi polici-qytetarë, që të kemi rezultate e dëshiruara.
Arton GAVAZI,magjistër i sigurisë

MUZIKË PËR VESHËT E PRISHTINËS E JO TË BRUKSELIT

0

Arben Manaj

Prononcimet e Ramës dhe Thaçit për llojet e bashkimit të shqiptarëve, në një analizë të fundit janë kundërproduktive, pavarësisht nga objektivi i nënkuptuar dhe i kamufluar i tyre.

Si të tilla, ato çuan ujë në mullirin e diplomacisë serbe dhe retorikën e Vuçiçit dhe nuk ka përse fajësohet as Brukseli që bëri një prononcim të nivelit të ulët, por gjithsesi parimor në bazë të korrektesës politike.

Personalisht, mendoj se kjo deklaratë e Ramës ka pasur si objektiv presionin ndaj Brukselit për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe përfshirjen e saj më seriozisht në proceset integruese, gjeste tejet të vonuara, sidomos liberalizimi i vizave, pasi duket se lobimi panshqiptar në këtë pikë, për momentin ka dështuar dhe nuk po gjen vesh për t’u dëgjuar.

Pavarësisht nga arsyet reale apo subjektive të një mungese vendimmarrje hëpërhë të Brukselit për këtë çështje, e cila do të duhet të bëhet sa më shpejt, për një mijë e një arsye, gjetja e Ramës në duel me Thaçin, për të gjetur këtë formë presioni ndaj Brukselit përmes shantazhit nacionalist bie ndesh me perceptimin që ekziston në qarqet e epërme të vendimmarrjes politike në Union për Ramën, i cili konsiderohet gjerësisht si njeri i paqes, kompromisit, realizimit dhe konstruktivitetit politik në çështjet e Ballkanit.

Praktikisht, eksodi i shqiptarëve, përmes Serbisë dhe Hungarisë, janë forma presioni e ndërgjegjësimi më efektive për vendet e BE-së ndaj mosliberalizimit të qarkullimit të shqiptarëve që nuk duan t’i fusin nga dera, por po i detyrojnë t’u hynë nga dritaret e kontinentit.

Një lëvizje e tillë diplomatike, si këto prononcime atipike nga Shqipëria dhe Kosova, të kujtojnë lëvizjet e çekuilibruara të Ciprasit në lojën disfatiste, diletante dhe të keqkalkuluar që bën ai me Rusinë, për të detyruar BE-në dhe kreditorët ndërkombëtarë, e mbi të gjitha Gjermaninë, që të përfitojnë ende pa bërë detyrat e shtëpisë, siç duhet dhe në kohë.

Frika ime është se Kryeministrit të Shqipërisë ka filluar t’i hyjë vetja në qejf në raport me ndërkombëtarët dhe një arrogancë e tillë nuk është se shkon, siç i shkon në marrëdhëniet me aktorët politikë në Shqipëri.

Për më tepër, kam droje se këshilltarët e tij për çështjet e Kosovës, të gjithë shqiptarë të Kosovës, mund të jenë njohës shumë të mirë të rrethanave politike të Kosovës dhe ish-Jugosllavisë, por jo domosdoshmërish edhe të çështjeve përtej fshatit.

Nëse Rama do të dëgjojë këshilla nga ndihmës që mendojnë se ai është Kryeministër i Kosovës dhe votohet prej shqiptarëve të Kosovës (gjë që teorikisht mund të kishte vlerë për Thaçin apo Mustafën), dhe Rama jo dhe aq nacionalist deri përpara vizitës në Serbi për sytë e shqiptarëve të Kosovës do të duhet të përkëdhelë dëshirat përbashkuese të shqiptarëve të Kosovës, por edhe të Shqipërisë, fatalisht nxitohet.

Është tjetër gjë të bësh presion proporcional ndaj Brukselit për një çështje që e ritheksoj është parimisht e drejtë, e stërvonuar dhe e pandershme për nga historia e vuajtjeve të shqiptarëve të Kosovës për lëvizjen e lirë nëpër Europë dhe është tjetër gjë të provokosh BE-në se mund të bësh njëlloj si Sali Berisha me premtimin e pambajtur të dhënies së pasaportave që mori atë përgjigje që mori atë mot nga ndërkombëtarët.

E meqë jemi te Berisha dhe opozita, është i frikshëm mosreagimi i saj ndaj deklaratave të tilla të Kryeministrit.

Kjo mund të shpjegohet ose me kënaqësinë që i jep dështimi identik i Ramës dhe kritika ndërkombëtare për këtë çështje ose mossinqeriteti i saj për çështjen e bashkimit kombëtar në rrugën më të logjikshme, të mundshme sipas parametrave të pritshme ndërkombëtare të Bashkimit Europian, por edhe diplomacisë ndërkombëtare e më gjerë.

Deklarimet e Ramës janë lajm i mirë vetëm për pozicionin e Vuçiç në politikën e brendshme serbe, por edhe në plan ndërkombëtar, pasi dobëson imazhin e Ramës e Shqipërisë dhe përbashkon qëndrimin e Serbisë me atë të BE-së për një çështje që diplomacia ndërkombëtare lëviz ngadalë, për shkak të rrethanave globale dhe qëndrimeve të aktorëve kryesorë vendimmarrës.

Bashkimi i shqiptarëve ose dy shteteve të një kombi, do të duhet të kalojë vetëm dhe as në ëndrrën më të bukur jashtë sesa përmes integrimit europian, të cilën nuk e ndalon as Serbia e as ata që janë përbetuar se nuk do ta njohin kurrë Kosovën.

Përmendja e rrugës klasike është cektësi diplomatike e Shqipërisë e jo e Brukselit dhe fatkeqësisht as e Serbisë.

URDHËR-ARRESTI PËR JUSTIN BIEBER

0

Një gjykatë argjentinase ka lëshuar një urdhër-arresti për Justin Bieber. Sipas këtij urdhri, nëse këngëtari kanadez futet në vendin e tyre, do të arrestohet menjëherë, pasi ka refuzuar të paraqitet në Argjentinë për t’iu përgjigjur pyetjeve rreth një incidenti të ndodhur në vitin 2013, në një klub nate në Buenos Aires.

Një fotograf argjentinas, Diego Pesoa, ka akuzuar Bieber-in dhe një nga badigardët e tij për një sulm të bërë ndaj tij, teksa ai po përpiqej t’i bënte këngëtarit një fotografi.
Gjykatësi Alberto Julio Banos ka urdhëruar “paraburgim të menjëherëshëm të të akuzuarit”.
Por, edhe pse ky urdhër është bërë publik, Bieber ndodhet milje larg duke shijuar rrezet e diellit të shkretëtirës kaliforniane së bashku me Kendall Jenner.

KA VDEKUR THEMELUESJA E “LIVING THEATER”

0

Judith Malina, aktore dhe regjisore, e cila me burrin e saj, Julian Beck themeluan teatrin “Living Theater”, një trupë aktiviste dhe provokuese për në avancimin e idesë së teatrit në Amerikë.

Lajmi për vdekjen e saj është konfirmuar nga miqtë e saj. Ndërkohë, përgjatë jetës së saj artistike ajo ka lënë gjurmë të mëdha në jetën artistike, duke pas partnerë me zë në shfaqje të ndryshme, trasmetojn mediat botrore.

“ELITA 5” ME PROJEKT TË RI MUZIKOR

0

Bendi, i cili ekziston tashmë e 25 vjet,pas projektit “Më Fal”,mjaft të pelqyer nga njohës dhe adhurues të artit muzikor këto ditë grupi i mirënjohur tetovar Elita 5 është në përgatitje të projektit më të ri muzikor që e ka titulluar “Welcome to Albania”. Për këtë projekt muzikor ka njoftuar vetë grupi, i cili tashmë ka lansuar edhe trailerin e videoklipit, mirëpo nuk kanë dhënë detaje më të shumta, pos asaj se do të vjen së shpejti.

KJO ËSHTË SHQIPTARJA MË E BUKUR NË PLANET (FOTO)

0

E re dhe shumë atraktive, lirisht mund të thuhet se është nga ato modele që të lënë gojëhapur me linjat seksi që ka dhe fytyrën unike. Redona Koci, ka mbaruar studimet e larta për juridik, ndërsa karierën si modele vazhdon ta ushtrojë si profesion të dytë.

INTERVISTA – PËRGJIMI I POLITIKANËVE, YLLI RAKIPI: DUHET TË HAPEN LETRAT

0

Tiranë – Drejtori i Përgjithshëm i RTV “Ora News”, Ylli Rakipi, ka komentuar zhvillimet më të fundit politike në një intervistë me gazetarin Patrik Sadikaj në studion e këtij televizioni. Çështja e ditës, përgjimi i politikanëve, ndërmjet tyre edhe i vetë botuesit Rakipi, siç thuhet nga media, ka qënë tema e parë e diskutimit dhe e dyta, “rënia” e Lazaratit dhe a është vërtet, rreziku që vjen nga bimët narkotike, më i madhi për Shqipërinë.

Sadikaj: Z.Rakipi, a e shihni përgjimin si një çështje vërtet të mprehtë? A është problem që kemi ka shumë politikanë të vënë në përgjim?

Rakipi: Ky është një moment që unë them se duhet ndarë në dy momente të rëndësishme: Së pari, që ky të jetë një problem i rëndësishëm duhet të hapen letrat. Nëse ky është i tillë, siç interpretohet, është e rëndësishme hapja e këtyre letrave.

Po rezervohen në hapjen e letrave, sipas jush?

Deri tani unë nuk e di. Deri tani ne kemi insinuatat që ka krijuar media, së pari. Së dyti, mendohet që është një raport i Komisionit Parlamentar për këtë punë, por duhet të hapen letrat. Nëse ka elementë të tillë, ato duhet të konsiderohen shumë të rrezikshëm, sepse në fund të fundit bëhet fjalë për ekzistencën e një Shërbimi Sekret jo në punën e vet. Nëse ka elementë të tillë, do të thotë që kemi të bëjmë me “Polici politike”.

Z.Meta tha se do të ndëshkohen përgjegjësit, nëse kanë kryer përgjime të paligjshme. Çfarë do të thotë kjo?

Natyrisht, sepse kjo është “Polici politike” dhe është në natyrën e diktaturave. Bile është më keq se diktatura. Gjithmonë nëse është e tillë. Duhet të rezervojmë mendimin që të presim letrat, sepse në diktaturë, jeta e tjetrit ka qënë një nga elementët, që ka mbajtur gjallë diktaturën. Përgjimi i jetës së tjetrit, spiunimi, ngritja e një makine të tërë, e cila ka krijuar si të thuash, krijoi, mbante gjallë diktaturën, mbante emocionin e frikës në maksimum, do të thotë që vazhdimi pastaj në kohën e re, në kohën që ne jemi ende, në tranzicion, në demokraci, i kësaj mënyre, është “Polici politike”; do të thotë që Shqipëria është ende larg të qënit, ende shumë lart të qënit, një vend demokratik, një vend me elementët më të qenësishëm të demokracisë, jo vetëm demokratik, sepse ne sigurisht që jemi të dyshuar për të qënë një vend i demokracisë liberale.

Megjithatë Shqipëria nuk është precedenti i vetëm që ka pasur përgjime të kësaj natyre…Kemi NSA-në në SHBA që ka përgjuar gjithë botën.

Ju keni të drejtë për këtë, por pjesërisht them unë, sepse përgjimet në këtë rast janë përgjime për interesa shtetërore, për interesa të një fuqie të madhe, të “superfuqisë” që ne ende vazhdojmë ta kemi, për fat të mirë, të fuqisë më të madhe në botë këto 60 vjet, Shteteve të Bashkuara; përgjime mes shteteve. Ato që janë përgjime brenda shteteve, janë përgjime të njohura edhe nga ligji, kur ato bëhen me ligj sigurisht; janë shumë të njohura, janë shumë të kontrolluara. Organet e ligjit që janë Prokuroria dhe institucionet e rëndësishme të kësaj natyre hedhin firmën për këtë, për përgjime të kësaj natyre, të cilat kanë të bëjnë me zbulimin e elementëve kriminalë, shumë kriminalë. Pra, janë momente të pranuara dhe të vjetra. Vijnë që nga kohët e vjetra, por në demokraci, në këtë sistem, ato janë gati – gati të sanksionuara, të kontrolluara, në mënyrë që jeta e tjetrit të mos jetë e rrezikuar dhe aq më tepër, siç vjen në ditët tona, këto janë elementë të një Policie politike.

Unë personalisht mund t’ju thosha që e njoh këtë mënyrë “komunikimi” në këto 20 vjet në Shqipëri, duke qënë dikur botues i një gazete të rëndësishme në median shqiptare. Më ka ndodhur ta shoh nga afër këtë; më ka rastisur të kem prova. Politika shqiptare, politika më e lartë shqiptare, e ka kryer këtë me një zell të jashtëzakonshëm, për të përgjuar kundërshtarin politik, për të përgjuar njerëz të huaj, qoftë edhe të misioneve të huaja.

Mua më ka rastisur, pa përmendur emra sigurisht, kur kam intervistuar një përfaqësues shumë të lartë të një ambasade perëndimore; në momentet e fundit ai është larguar nga intervista. I ka rënë një telefon, është larguar dhe kur unë kam dalë jashtë, dikush më ka telefonuar dhe më ka thënë “Të iku nga intervista”, sepse ai po komunikonte me eprorin e vet në këtë ambasadë. Domethënë, thjesht përgjohej deri dhe një i huaj, që është shumë e vështirë t’i përgjosh, sidomos të huaj shumë të rëndësishëm që janë instaluar këtu, që e kuptojnë menjëherë që ti i përgjon.

E pikërisht për këtë arsye, hapja e letrave ose më saktë, zbrazja e asaj që është mbushur në atë server apo në skripte të gjetura brenda Shërbimit Informativ, siç pretendohet gjithmonë, mund të krijonte destabilitet, turbullira politike e jo vetëm?

Nuk e besoj shumë…turbullira. Hapja e këtyre letrave, nëse janë,- gjithmonë duhet ta themi këtë frazë, – të tilla, do të dekonspironte një praktikë tepër të gabuar, e cila nuk është se i ka bërë mirë, nuk e ka ndihmuar. Kam ndjekur emisione të ditëve të fundit për këtë problem, dje konkretisht, dhe kam parë – nëse këto lista janë të sakta – një nga emrat në to, ishte edhe emri im.

Ishte zgjedhur kjo mënyrë, të paktën siç u tha, që dikush që komunikonte me dikë, njeri nga të dy zgjidhej.

Në rastin tim, për shembull, mund të them që ajo binte në një kohë kur ishte rreziku i ndërrimit të pushteteve dhe Qeveria e asaj kohe, e viteve ’12 deri në fundin e zgjedhjeve, ishte në dilemë të madhe se çfarë ndodhte për ribashkimin Rama – Meta. Dhe këtu për shembull, në këtë rast, janë kontrolluar indirekt telefonat e këtyre personave, por sigurisht që unë nuk bisedoja me Ramën e Metën. Në fakt, nuk kam qënë në Shqipëri, por bisedoja me njerëz të tjerë, të cilët ishin afër këtyre të dyve. Ose në një rast tjetër, që unë nuk dua ta përmend, po brenda këtu, nesh, botuesi apo pronari dhe Presidenti i një kompanie, që s’kishte lidhje fare me këtë punë, ishte vënë nën kontroll për shkak të bisedimeve me njerëz të politikës sepse ky zakonisht, është një komunikim normal, por pastaj kjo kthehet deri në moment qesharak. Është arritur deri atje sa janë marrë vesh se këta përgjoheshin dhe kanë bërë lojë për të kuptuar të kundërtën.

Këto janë momente që e bëjnë njeriun që përgjon, institucionin që përgjon, njeriun që është i interesuar për përgjime, shumë qesharak. Në fund të fundit, i gjithë ky përgjim, që ka karakter politik të këtij lloji, për të përndjekur, për të parë ç’është ai që është afër meje, brenda meje, afër meje apo ai që mund të jetë nesër kundërshtar, vijnë dhe zëvendësohen me një përfundim qesharak. Për shembull, ti, edhe pse e bën gjithë këtë punë, zgjedhjet nuk i fiton.

Pikërisht këtu doja të dilja. A duket sikur nuk dha rezultat kjo gjë?

Jo, sigurisht. Zakonisht kjo lloj përndjekjeje është ndjenja, emocioni i frikës që shoqëron vlerën e pushtetit. Kur pushteti do të bjerë, me elementë të tillë është shumë vështirë ta mbash gjallë, ta mbash në këmbë. Në vendet që aspirojnë për demokraci dhe që janë drejt demokracisë, siç jemi ne, drejt rrugës së demokracisë, edhe këtu ndodh që këto gjëra nuk ecin, sepse ti…Ja dhe e bëre përgjimin, ja edhe e zbulove para kohe…

Mund të përdoret dhe si presion, përgjimi…

E vështirë. Për rastin që njohim ne, është shumë e vështirë t’i thuash tjetrit: “Ti nuk do të ikësh, sepse unë kam marrë vesh që do të ikësh, por ti nuk ikësh!” Çfarë do të jetë presioni në këtë rast?! Është ankthi për të parë se mos po më lë ky dhe unë ika nga pushteti, por në fund, rezultati është zero dhe është qesharak e mbeten vetëm këto shënime, që e bëjnë institucionin tonë të Shërbimit, e bëjnë institucionin, që jo vetëm nuk merret me punët e veta, krejt qesharak.

Për ta finalizuar këtë moment duhet të themi një gjë, që në fund të fundit, ky institucion raporton diku, raporton tek Kryeministri dhe pretendimi i këtyre që janë marrë me këtë punë duket, nga sa kam kuptuar unë deri tani, që këto raportime nuk janë bërë atje ku duhet të bëhen. Le të themi, tek Kryeministri, tek Presidenti – nuk e di saktësisht, nuk është thënë – apo tek njerëzit e tjerë që duhet ta dinë këtë gjë. Ka momente, kur ti ndjek edhe elementin kriminal, kur ky bie, po themi, në kontakt me Kryeministrin e vendit. Ligji e ndalon përgjimin, e stopon dhe e lajmëron menjëherë atë ose merr Ministrin e Brendshëm apo në raste të tjera që kanë vijuar përgjimet, nëse është e tillë, është e jashtëligjshme.

Do të presim edhe hapjen e letrave për të qënë edhe më të qartë për çështjen e përgjimeve, nëse do të hapen.

Sigurisht. Nëse nuk hapen, këto janë lojëra politike, që nuk i sjellin ndojë favor vendit, nuk e favorizojnë aspak vendin.

Dua të ndalemi edhe në ndërhyrjen e autoritetit të shtetit në Lazarat, në Dukagjin apo dhe në rajone të tjera. Po flasim për Lazaratin, meqënëse ka qënë një pikë e nxehtë. A u zgjidh Lazarati? Se u duk sikur u dha një goditje, por më pas po e tërheqim zvarrë, ndoshta edhe pak politikisht.

Realisht, Lazarati si simbol, si interpretonjës-simbol i së keqes, i drogës në Evropë, sigurisht që u mbyll, u stopua. Dhe tani nuk ka, as ata që s’e duan Shqipërinë, por edhe ata që e duan, të huaj, po kurrkush nuk mund të thotë më tani se është kjo qëndër dhe kjo është gjë e rëndësishme mendoj unë. Nga ana tjetër mendoj se Qeveria duhet ta ndihmojë Lazaratin tani, por edhe Lazarati duhet të fillojë të ndihmojë veten. Lazarati, gradualisht, duhet të fillojë ta shikojë veten si pjesa dërrmuese e qyteteve apo fshatrave të Shqipërisë. duhet të fillojë ta shikojë veten me idenë që gjërat nuk rregullohen, jeta mund të rregullohej në këtë mënyrë për një kohë, sidomos në kohë tranzicioni. Shqipëria ka pasur një kohë të gjatë të tillë. Një tranzicion i stërgjatur. Dhe Lazarati duhet “të shihet” vetë në pasqyrë, për t’ia thënë vetes këtë.

E ka bërë këtë, sipas jush?

Sigurisht që nuk besoj se e ka bërë. Ai është një goxha distrikt, një nga komunat më të mëdha të vendit dhe Qeveria duhet të përpiqet të ndërtojë për Lazaratin, të krijojë ndonjë hapësirë edhe më shumë se për të tjerët, se është si i sëmuri që del nga një gjendje dhe duhet të vazhdojë një terapi. Kjo terapi duhet të jetë serioze dhe e vërtetë. Me gjithë problematikat që ka ky vend, me gjithë mungesën e madhe, me gjithë problemet dhe vështirësitë ekonomike, vende të tilla në të cilat krijohet një produkt i pastrimit dhe kjo gjë e domosdoshme, duhet që ta shohë dhe për të krijuar një terapi. Sesa po e bën këtë qeveria…Ne po shohim se deri tani nuk ka ndodhur. Por nga ana tjetër ka dhe një problem tjetër të rëndësishëm. Në shfaqjen e fundit që unë pashë, aty kishte dhe deputetë të opozitës, që kërkonin largimin e policisë nga aty. Sigurisht që qënia e policisë gjithmonë, nuk është një gjë e mirë.

E ka tepruar pak policia me qëndrimin, ndoshta, të mbipopulluar me “uniforma”?

Po mbase ata nuk kanë pasur mundësi çfarë të bëjnë tjetër. Por kur shkon opozita atje dhe kërkon largimin e policisë, nga një distrikt që ende ka problemet e veta atje, këto që thamë, që është shumë e vështirë të kalojë në një gjendje tjetër…

Megjithë pretendimet e qytetarëve, banorëve , policia shpeshherë përfshihet edhe në veprime që nuk i takojnë, rasti konkret, shpërthimi i një momenti trazire për shkak të një ngacmimi të pretenduar nga banorët e Lazaratit.

Edhe kjo nuk përjashtohet. Institucionet tona janë institucione ende të brishta dhe rendi në këtë rast ka problemet e veta të mëdha. Mund edhe të ndodhin këto, por më e spikatura aty ishte prania e deputetëve të opozitës, që bashke më disa banorë aty kërkonin largimin e policisë. Është njësoj sit a kërkosh largimin e policisë në një ngjarje tjetër. Të largohet policia aty se, po themi, në një qytet të madh të Shqipërisë, po ndodh një revoltë e madhe, të thuash të largohet policia. Nëse ajo do të jetë revoltë, le të themi, që do të ketë elementë shkatërrues, policia duhet të jetë e pranishme. Prania e opozitës në këtë rast duhet të jetë disi e kujdesshme. Ka vende plot, ka probleme shumë kjo qeverisje, sa mund të marrësh pikë politike, sat ë duash, por jo në rastet kur po bëhen përpjekje për të vendosur jo vetëm rendin aty. Siç thashë, Qeveria duhet të marrë edhe masa të tjera për një terapi dhe ndihmë për Lazaratin por edhe për zona të tjera që janë realisht tmerrësisht të varfra. Siç janë zonat e veriut, që kanë krijuar vatrat e kultivimit të kësaj bime. Ne jemi gazetarë dhe duhet ta themi, ndryshe nga politikanët, që ka qënë një mënyrë jetese ajo e tyre. Marihuana, kanabisi, janë elementë që në një pjesë të mirë të vendeve po legalizohen. Nuk është se është Shqipëria një vend, që e ka mbytur kjo; nuk është kjo lloji i drogës, që përcakton…Kjo është një bisedë e gjërë.

Nuk ka bos droge këtu, bosë të mëdhenj që janë rreziku i këtij vendi. Kur familjet, vendet më të humbura, kanë mbjellë, qoftë dhe brenda shtëpive të tyre, siç pamë në Lazarat, në mënyra nga më të çuditshmet – jo se duhet nxitur kjo gjë – por bota po sheh, siç janë Shtetet e Bashkuara, që janë vende që e bënë këtë demokraci, këtë sistem që kemi ne tani, edhe ato po shohin edhe për të fituar, për ekonominë e disa shteteve të rëndësishme, pas krizave të mëdha që kaloi ky vend. Pra, nuk duhet parë kjo si një gjë që Shqipëria është e mbytur nga kjo. Kjo ëhstë përdorur nga politika, herë nga njera palë, herë nga tjetra, herë kur ëhstë njera në pushtet, herë kur është tjetra për të qëlluar. E drejtë është ajo që ra një që quhej si simbol, që palët e kishin përdorur.

Nuk e kemi më “kryeqytetin e hashashit”.

Nuk e kemi më, por Shqipëria nuk është e kërcënuar realisht. Kështu mendoj unë. Ndoshta gabohem.

Çfarë e kërcënon më shumë Shqipërinë?

Ekonomia. Gjendja ekonomike nuk është e mirë, jo vetëm sipas shifrave që nxjerrin institucionet, por në vendet e punës. Ka shumë njerëz pa punë, shumë njerëz po kthehen, nga vendet fqinje, që janë në krizë të madhe. Italia është duke rënë në një reçension tjetër, është një vend që e ka ndihmuar shumë Shqipërinë në këtë pikëpamjen e refugjatëve. Greqia po ashtu. Njerëz të panumërt janë kthyer. Pastaj problemi për vendet e punës. Problemi ma i madh është se njerëzit nuk janë të specializuar. Ne nuk kemi hidraulikë, nuk kemi muratorë, nuk kemi elektricistë, ne kemi jurist. Të gjithë këta dergjen rrugëve, vërtiten andej këndej, kurrkush nuk i merr në punë, sepse nuk i duhen, qoftë edhe privatët. Pra, është e vështirë të gjesh fuqi punëtore të kualifikuar. Në këtë pikëpamje , vendi ynë është nën një trysni më të madhe se ç’është trysnia e një krize. Në këtë pikëpamje ka probleme.