Bekim Zogaj u deklarua pas ndeshjes mes Feronikelit dhe Lincolnit

0

Feronikeli mposhti Lincolnin me rezultat 1:0

Feronikeli mposhti Lincolnin me rezultat 1:0

Mbrëmë është zhvilluar ndeshja preliminare për kualifikime në mes të Feronikelit dhe Lincolnit. Skuadra kosovare arriti fitoi minimalisht dhe kështu siguroi finalen e cila do të zhvillohet të premten, me fillim nga ora 20:45 ndaj skuadrës së Santa Colomës. Kjo ndeshje përfundoi me rezultat 1:0 për Feronikelin.

Një fakt interesant në këtë ndeshje ishte edhe prezenca e referit anësor, Bekim Zogaj. Zogaj ishte për herë të parë në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe për herë të parë po asistone në një ndeshje të garave evropiane, ku po paraqitej një skuadër kosovare.

Ai pas ndeshjes u shpreh tejet i lumtur me faktin se ishte prezent për herë të parë në stadiumin, i cili e mban emrin e legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri

“Ishte një ndjenjë e veçantë për mua, pasi që ishte hera e parë që isha asistent në stadiumin “Fadil Vokrri”. Gjatë ndeshjes nuk kemi pasur asnjë vështirësi, të gjithë lojtarët si dhe pjesëtarët e skuadrave janë sjellë në mënyrë profesionale me mua dhe kolegët e mi. Në lojë nuk pata shumë punë, në cilësinë e asistentit”, u shpreh Zogaj.

Ai tutje vazhdoi duke folur për ndeshjet e kampionatit të Superligës së Kosovës, ku sipas tij nuk mundet t’i vlerësojë pasi që nuk ka qenë prezent asnjëherë në stadiumet kosovare.

“Sa i përket ndeshjeve në Superligën e Kosovës, nuk mundem me i vlerësu ato, pasi që nuk kam qenë në cilësinë e referit asnjëherë në kampionatin kosovar dhe me një ndeshje të cilën e referuam dje është shumë vështirë të vlerësohet cilësia e skuadrave kosovare”, përfundoi Zogaj.

Kujtojmë që në media është përfolur shumë se Zogaj do ta asistojë edhe ndeshjen Feronikeli – Milan, e cila parashihet të luhet me 10 gusht. Megjithatë, Zogaj ka konfirmuar se një gjë e tillë nuk është e vërtetë dhe se ai ka qenë i deleguar nga UEFA vetëm për ndeshjen Feronikeli – Lincoln./kp

Së shpejti premiera e shfaqjes “Nata e Gretës”

0

“Nata e Gretës” së shpejti në teatrin “Adriana”

Pas disa javësh prova është duke u finalizuar shfaqja “Nata e Gretës” e ndërtuar sipas tekstit të Igmar Villqist. Në këtë dramë psikologjike peshën e roleve shumë komplekse do ta bartin dy aktoret e njohura: Gresa Gashi e Arjola Demiri, ndërsa regjisor i shfaqjes është Ben Apolloni, i cili ka bërë edhe kostumet dhe skenografinë.

“Nata e Gretës” rrëfen historinë e një vajze me zhvillim të vonuar, e cila është rritur nga një grua që ka humbur gjithçka në jetë dhe kur regjimi nazist fillon t’i mbledhë dhe djegë llojin e njerëzve çfarë është Greta, kinse për të pastruar racën, gruaja vendos që me çdo kusht ta mbroje vajzën që mos të bie në duar të vrasësve nazist.

Shfaqja është përplot situata dramatike, komike e tragjike. “Nata e Gretës” është shfaqje që prekë thellë në ndërgjegjien e njerëzimit.

Premiera e shfaqjes do të jetë me 1 korrik në Teatrin “Adriana” në Ferizaj, ndërsa me 2 korrik do të jetë edhe repriza e parë. Projekti është mbështetur nga komuna e Ferizajt.

.

Pjesëmarrja historike e Kosovës në kualifikimet e FIBA 3X3 Europe Cup

0

Dy ndeshje do të zhvillohen të dielën

Dy ndeshje do të zhvillohen të dielën

Të dielën, Kosova do të debutojë në kualifikimet e FIBA 3X3 Europe Cup, në Konstanca të Rumanisë. Lojtarët shprehen shumë të lumtur që do të përfaqësojnë Kosovën për herë të parë në një garë të tillë, derisa theksojnë se do të japin maksimumin. Kosova ndodhet në një grup me Slloveninë dhe Andorrën, ku vendi i parë kualifikohet tutje. Garat do të zhvillohen të dielën.

Koordinatori Agon Fehmiu ka folur për përgatitjet dhe garat që e presin në këtë turne shumë të rëndësishëm.

“Të enjten e kaluar kemi pasur grumbullimin e parë dhe po stërvitemi dy herë në ditë, që të përgatitemi sa më mirë për kualifikimet në Rumani. Lojtarët kanë marrë pjesë në ‘Albanian Cup’, që ishte i rëndësishëm për tu përgatitur sa më mirë. Lojtarët janë të përgatitur fizikisht, që është shumë e rëndësishme. Tashmë po përgatitemi sa i përket anës taktike. Të gjithë janë shumë të motivuar dhe kemi një ekip shumë të komponuar. Është një atmosferë shumë e mirë në këtë ekip. Për mua nuk është e rëndësishme vetëm pjesëmarrja. I kam nisur turnetë e streetballit para 20 vjetësh dhe ky është kurorëzimi më i mirë për punën në dy dekadat e fundit. Ky sport tashmë është edhe olimpik, andaj meriton përkrahje më të madhe, sidomos nga Komiteti Olimpik i Kosovës. Ky sport është ekipor, por mund të shkojë në Lojëra Olimpike dhe nuk do të ishte e vështirë pjesëmarrja në gara të tilla të rëndësishme. Sllovenia është në vendin e tretë në botë. Me Slloveninë duhet të përgatitemi maksimalisht. Do të shohim se, edhe me çfarë ekipi do të paraqitet. Nëse shikojmë realisht, Sllovenia është favorite. Por, ne duhet të mundim Andorrën, edhe pse ka përvojë ndërkombëtare. Synimi është një fitore në këtë garë. Ne do të japim maksimumin për të mundur edhe Slloveninë. Ata nuk kanë shumë njohuri për ekipin tonë dhe kjo është përparësi për ne. Pra, loja e parë me Slloveninë është shumë e rëndësishme”, ka theksuar Agon Fehmiu.

Ekipi i Kosovës përbëhet nga Arti Hajdari, Altin Sahiti, Albatrit Berisha dhe Arian Mehmeti, të gjithë me përvojë dhe të përkushtuar për të dhënë maksimumin.  Hajdari ka thënë se do të japin 100 % nga vetja në këto kualifikime.

“Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë. Kemi një ekip të mirë dhe atmosfera në ekip është shumë e mirë. Është një ndjenjë e pakrahasueshme për të përfaqësuar Kosovën në një ngjarje të tillë. Është hera e parë dhe historike që po marrim pjesë në një garë të tillë. Slloveninë e shohim si favorite të grupit, por ne do të japim maksimumin ndaj tyre, derisa besojmë në fitore ndaj Andorrës”, ka deklaruar basketbollisti i njohur.

Arian Mehmeti ka thënë se është krenari të përfaqësosh shtetin në një ngjarje të tillë madhore

“Është një ndjenjë e mirë, sepse kjo është hera e parë. Nuk shkojmë vetëm për pjesëmarrje, por të dëshmuar se dimë të luajmë dhe të kthehemi me paraqitje të mirë. Ne e dimë se çfarë cilësie ka Sllovenia, por ne do të luajmë për fitore, derisa pres fitore ndaj Andorrës”, ka deklaruar Mehmeti.

Altin Sahiti ka pohuar se presin edhe rezultate pozitive

“Përgatitjet kanë shkuar mirë. Gjithsesi do të përgatitemi maksimalisht deri në fillimin e garave. Do të mundohemi të kemi paraqitje sa më të mira. Sllovenia ka një ekip shumë të fortë, kurse Andorra është afër neve. Besoj se do të kemi ndeshje të mirë me Slloveninë dhe fitore me Andorrën. Besimin që na ka dhënë koordinatori dhe Federata e Basketbollit e Kosovës, do të mundohemi ta shpërblejmë në mënyrën më të mirë”, ka deklaruar ai.

Edhe Albatrit Berisha ka deklaruar se do të japin maksimumin për Kosovën.

“Jemi në javën e dytë të stërvitjeve dhe kanë shkuar shumë mirë deri më tani. Sllovenia ka një super ekip dhe me përvojë. Nuk do të jetë e lehtë, por të japim maksimumin. Ne përfaqësojmë Kosovën për herë të parë në një turne. Kjo është historike dhe do të mundohemi të lëmë gjurmë. Shpresoj në rezultate të mira”, ka thënë Berisha.

Kosova do të luajë ndaj Sllovenisë të dielën nga ora 09:25, derisa ndeshjen e dytë ndaj Andorrës e zhvillon po ashtu të dielën nga ora 10:15. Ky është edhe një projekt i Federatës së Basketbollit të Kosovës për të masivizuar sa më shumë këtë lojë, duke shpresuar se do të do të rritet interesimi dhe krahas basketbollit do t’i kushtohet rëndësi edhe kësaj lojë, shumë të popullarizuar dhe atraktive në botë.

Ndryshimet e grave që ju lënë pa fjalë

0

Efekti i grimit, këto gra duken shumë më ndryshe

Artistja simpatike e kozmetikës, Goar Avetisyan është një eksperte e vërtetë e kozmetikës.

Ajo pëlqen të eksperimentojë me imazhin e saj dhe adhuron t’i bëjë klientët e saj të lumtur.

Disa vajza vetëm duan të nxjerrin në pah bukurinë e tyre natyrore dhe disa janë plotësisht të zhgënjyer me pamjen e tyre dhe Goar i ndihmon ato të mësojnë të duan veten.

Instagrami i saj është plot komente dhe pëlqime, derisa ka mbi 6 milionë ndjekës.

Më poshtë ju sjellim disa kryevepra të saj./21Media

Goar dhe transformimi i saj i ri

Gratë që ishin me fat që punuan me Goar-in

.

Rusisë i mundësohet kthimi në Këshillin e Evropës

0

Nuk ishte pjesë e Këshillit qysh prej aneksimit të Krimesë

Nuk ishte pjesë e Këshillit qysh prej aneksimit të Krimesë

Votimi u zhvillua në orët e para të së martës, pas disa orëve debat në Strasburg.

Për kthimin e Rusisë votuan 118 delegatë, kundër ishin 62, ndërsa dhjetë abstenuan.

Këshilli i Evropës është organi kryesor i të drejtave të njeriut në kontinent, përcjell rtv21.tv

Në vitin 2014, Rusisë iu hoq e drejta e votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si ndëshkim për ankesimin e gadishullit ukrainas të Krimesë.

Rusia u përgjigj në vitin 2016 me bojkotimin e Asamblesë, ndërsa nga viti 2017 refuzoi të paguajë kontributin e saj vjetor prej 33 milionë eurosh në Këshill.

Rusia kërcënoi se do ta linte tërësisht Këshillin e Evropës nëse delegacioni i saj nuk kthehet dhe nuk voton, këtë javë, për sekretarin e ri të përgjithshëm./21Media

Nisin xhirimet e “Fast and Furious 9”

0

Premiera e “Fast & Furious 9” pritet të jetë në 2020

Aktori i njohur dhe shumë i dashur me famë botërore, Vin Diesel ka treguar që kanë filluar xhirimet për pjesën e nëntë të filmit shumë të komentuar “Fast & Furious”.

Këtë aktori e ka bërë përmes një video të publikuar në rrjetin social, Instagram ku shihet afër me aktoren gjithashtu të njohur, Michelle Rodriguez, përcjell rtv21.tv

“Wow, a mund ta besosh Letty? A mund ta besosh, ne sapo përfunduam ditën e parë të xhirimeve, dhe duket për mrekulli”, dëgjohet duke thënë aktori në videon e publikuar.

 

View this post on Instagram

 

First day completed! Blessed beyond words. #Fast9 2020

A post shared by Vin Diesel (@vindiesel) on Jun 24, 2019 at 11:13am PDT

Kujtojmë që “Fast & Furious: Hobbs & Shaw”, do të publikohet më 2 gusht të 2019, i cili është si spinoff me protagonistë Dwayne Johnson dhe Jason Stathman. Ndërsa “Fast & Furious 9”, pritet që premierën ta ketë më 20 maj të 2020./21Media

.

Takohen Ademi dhe O'Connell, diskutuan edhe për përballjen Angli

0

Ademi i dhuroi një fanellë të Kombëtares O’Connell-it

Ademi i dhuroi një fanellë të Kombëtares O’Connell-it

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, priti sot në selinë e tij ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruiari O’Connell, me stafin e tij. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe anëtarja e KE-së, Vjollcë Krasniqi, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu dhe drejtuesit e grupit të tifozëve “Dardanët”.

Fillimisht presidenti Ademi i shprehu falënderime ambasadorit O’Connell për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës. Po ashtu, ai e falënderoi për përkrahjen e dhënë Kombëtares së Kosovës në çdo ndeshje që ka luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri’.

Ndërkaq, ambasadori O’Connell i përgëzoi drejtuesit e FFK-së për punën e deritashme dhe për sukseset e arritura jo vetëm me Kombëtaren A, por edhe me ekipet e tjera të grupmoshave, pastaj për organizimin fantastik të ndeshjeve dhe për sjelljen e shkëlqyeshme të tifozëve.

Tutje, ambasadori O’Connell e vlerësoi si storie të suksesit FFK-në, duke uruar që rezultatet pozitive të Kombëtares, por edhe klubeve do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, teksa premtoi se gjithmonë do të jetë afër Kombëtares së Kosovës, pasi tashmë edhe djali i tij është bërë një fans i madh i Dardanëve.

Gjatë këtij takimi u bisedua edhe për çështjen e vizave dhe për lehtësimin e procedurave për tifozët dhe stafin për shkuarje në ndeshjet e muajit shtator në Angli. Gjithashtu temë bisede ishte edhe ndeshja e kthimit në muajin nëntor kundër Anglisë, e ku të dyja palët vlerësuan se është një rast shumë i mirë i promovimit të kulturës dhe mikpritjes sonë për tifozët anglezë.

U diskutua edhe për organizimin sa më të mirë të ndeshjeve të klubeve, në rast se Feronikeli dhe Prishtina kalojnë në rrethin tjetër të garave evropiane, me ç’rast do të takoheshin me klubet britanike, TNS dhe Glazgou Rangers. Edhe për këtë çështje ambasadori u shpreh i gatshëm të ndihmojë në lehtësimin e procedurave për pajisje me viza, si dhe njëherësh kërkoi që të bëhet një organizim sa më i mirë edhe nga klubet dhe autoritetet lokale që mikpritja për tifozët të jetë në nivelin më të mirë.

Në fund, presidenti Ademi dhuroi një plaketë dhe një fanellë të Kombëtares për ambasadorin O’Connell, derisa dhuratë për ambasadorin kishte përgatitur edhe kryetari i “Dardanëve”, Lulzim Berisha, për çka ambasadori u shpreh tejet falënderues.

Ndeshja Angli – Kosovë, do të zhvillohet më 10 shtator në “St. Mary’s Stadium” në Southampton, në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2020”.

Çifti u martua në spital, 30 sekonda para se të bëheshin prindër

0

Një çift ka festuar dy gjërat më të bukura që i ndodhën në jetën brenda 30 sekondash. Michael Gallardo dhe Marie Margaritondo u martuan dhe u bënë me fëmijë.

Çifti kishte planifikuar martesën, por djali i tyre ndryshoi çdo plan.

Gallardo nuk ishte në shtëpi kur Margaritondo e mori në telefon, duke i thënë se i kishin shpërthyer ujërat.

Ai menjëherë shkoi në shtëpi, mori gruan dhe e dërgoi në spital. Por, mjekët i thanë se meqenëse se nuk ishin burrë e grua, Gallardo  nuk mund të hynte në sallë gjatë lindjes së foshnjës.

Ndaj pyeti stafin: “Ka ndonjë mënyrë për tu martuar tani?” Dhe mjekët i thanë: “Do hyjmë në sallën e operacionit brenda 10 minutash.”

Menjëherë infermieret i erdhën në ndihmë Gallardo për të përgatitur ceremoninë para lindjes së foshnjës.

Ndërsa, Gallardo e kishte lejen e martesës në makinën e tij, sepse e kishte marrë disa ditë më parë.

Çifti u martua në sallën e lindjes dhe fëmija erdhi në jetë 30 sekonda më pas, raporton oranews.

.

Të nxehtit vdekjeprurës në Evropë, temperatura deri në 45 gradë

0

Paralajmërohet një valë e nxehtësisë

Paralajmërohet një valë e nxehtësisë

Rekordet e temperaturave të larta të cilat zakonisht shënohen në fund të korrikut ose fillim të gushtit, pritet të vijnë në Evropë këtë javë, me një valë të nxehtë të paprecedentë, potencialisht vdekjeprurëse në të gjithë kontinentin, paralajmërojnë meteorologët.

Ekspertët e motit tregojnë që rekordet e mëparshme të temperaturave të qershorit të arrihen ose të tejkalohen në Austri, Belgjikë, Republikën Çeke, Danimarkë, Francë, Luksemburg, Gjermani, Holandë dhe Zvicër, ndërsa pritet që në disa shtete të thyhen rekordet e të gjitha kohërave.

“Parashikimi më i fundit lë pak hapësirë për dyshime. Jemi duke shkuar drejt një rekordi të ri kombëtar”, tha Guillaume Woznica, meteorolog francez, duke treguar se “Meteo-France” parashikon që temperatura maksimale të shkojë në 45 gradë në qytetet jugore të Miesit dhe Carpentrasit të premten.

Temperatura më e lartë në qershor në të kaluarën në Francë është regjistruar më 21 qershor të vitit 2003, kur në termometër ishte shfaqur shifra 41.5 gradë. Temperatura më e lartë e të gjitha kohërave në Francë është shënuar më 12 gusht të vitit 2003 dhe ishte 44.1 gradë.

Temperatura të larta pritet të mbizotërojnë në një pjesë të madhe të Evropës, duke u nisur nga Spanja deri në Republikën Çeke. Kombinimi i ndërprerjes së një stuhie mbi Oqeanin Atlantik dhe presioni i lartë i ajrit në pjesën qendrore të Evropës ka bërë që të depërtojnë masa të nxehta të ajrit nga Shkretëtira e Saharasë.

Shkencëtarët thonë se moti i nxehtë mund të jetë veçanërisht i rrezikshëm kur shfaqet në verën e hershme, para se njerëzit të jenë përgatitur për një gjë të tillë. Nga vala e të nxehtit e vitit 2003 në Evropë kishin vdekur rreth 70 mijë njerëz.

Sipas një raporti të vitit 2015 të Organizatës Botërore të Meteorologjisë, valët e të nxehtit që shfaqen në pjesën e parë të verës kanë ndikim më të madh në shkaktimin e viktimave sesa vapa që mbizotëron në mes ose në fund të stinës së nxehtë./21Media

Haradinaj kërkon që diaspora ta përkrah “Alba Festival”

0

“Alba Festival” mbahet më 29 dhe 30 qershor në Cyrih

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka ftuar të gjithë shqiptarët që jetojnë në vendet evropiane të mbështesin me pjesëmarrje “Alba Festival” që mbahet në Cyrih të Zvicrës.

Haradinaj ka thënë se diaspora ka qenë çdoherë mbrojtëse dhe promovuese e vlerave kulturore dhe shqiptare kudo në botë. Ai ka thënë se këto vlera unike po i shfaqin në skenat botërore vajzat dhe djemtë që asnjëherë nuk harruan origjinën e tyre.

“Në përkrahje të organizimeve të tilla masive, u bëj thirrje shqiptarëve që jetojnë e punojnë në vendet europiane, që ta mbështesin me pjesëmarrje ngjarjen më të madhe “Alb Festival”, që shpalosë vlerat tona në Cyrih të Zvicrës.”, ka shkruar Haradinaj sipër një imazhi të publikuar në rrjetin social, Facebook.

“Alba Festival” do të mbahet më 29 dhe 30 qershor të këtij viti në Cyrih të Zvicrës. Pjesë e këtij festivali do të jenë emra të njohur të skenës muzikor shqiptare dhe artistë shqiptarë me famë botërore.

Artistët shqiptarë që deri më tani kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre janë: Rita Ora, Ledri Vula, Dafina Zeqiri, Lluni, Elvana Gjata, Lluni, Enis Bytyqi, Capital T, Mc Kresha, Ermal Fejzullahu, Lyrical Son, Rina, Lumi B, Gjiko, Butrint Imeri, Dhurata Dora, Kida, Ardian Bujupi./21Media

.