Kurti pranon raportin për Arlinda Zekajn, Gërvalla e Sveçla nesër në konferencë

0

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se Zyra e Kryeministrit sapo ka pranuar raportet e hollësishme nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme në lidhje me rastin tragjik të Arlinda Zekajt, e cila u vra të dielën në Vitomiricë të Pejës.

Sipas njoftimit, bashkë me ministren Donika Gërvalla dhe atë të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, do të bëhet analizimi i raportit dhe se nesër do të dy ministrat do të mbajnë konferencë për media në ora 09:00.

“Zyra e Kryeministrit sapo pranoi raportet e hollësishme nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme në lidhje me rastin e Arlinda Zekajt. Së bashku me ministrat përkatës do të bëhet shqyrtimi dhe analizimi i tyre në detaje, për historinë dhe rrjedhën e rastit, për secilin lëshim e trajtim të papërgjegjshëm, për neglizhencë e mos reagim, si dhe gjithçka që lidhet me procedurën dhe përgjegjësinë institucionale.

Lidhur me këtë dhe veprimet e mëtejme, zëvendëskryeministrja dhe ministrja Donika Gërvalla dhe ministri Xhelal Sveçla do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media nesër në ora 9:00, në ZKM”, njofton Qeveria në një postim në Facebook, raporton KosovaPress.

Kujtojmë, vrasja e Arlinda Zekajt ka shkaktuar reagime të shumta qytetare dhe institucionale.

Propagandë xhihadiste në TikTok| Arrestohet e mitura shqiptare në Itali, kontakt me ISIS

0

Një vajzë e mitur me origjinë shqiptare, e cila jeton në provincën e Raguzës, në Itali, është vendosur nën masë kujdesi në një komunitet, pas dyshimeve për radikalizim dhe përhapje të përmbajtjeve me karakter xhihadist në rrjetet sociale.

Sipas autoriteteve italiane, e mitura dyshohet se publikonte në TikTok materiale propagandistike në mbështetje të organizatës terroriste ISIS, si dhe përmbajtje me simbolika ekstremiste dhe mesazhe antisemitiste. Aktiviteti i saj në internet tërhoqi vëmendjen e shërbimeve të sigurisë së brendshme italiane, AISI, të cilat njoftuan autoritetet gjyqësore.

Hetimet u intensifikuan pas sekuestrimit të telefonit të saj celular në muajin maj. Sipas Policisë së Shtetit italian, nga analiza e pajisjes u zbuluan materiale që dyshohet se tregonin një proces radikalizimi, përfshirë përmbajtje të lidhura me propagandën e Shtetit Islamik, simbolika të ekstremit të djathtë dhe imazhe që mund të jenë krijuar me anë të inteligjencës artificiale.

Gjatë hetimeve, autoritetet pretendojnë se janë zbuluar edhe kontakte në internet me persona që paraqiteshin si anëtarë të ISIS-it, si dhe me përdorues që promovonin akte terroriste. Në pajisjen e saj dyshohet se gjendeshin video propagandistike që paraqisnin ekzekutime të të burgosurve, materiale në mbështetje të organizatës terroriste dhe udhëzime për vetëtrajnimin dhe prodhimin e eksplozivëve artizanalë.

Sipas të dhënave të bëra publike, hetimet përfshinë edhe verifikime në mjedisin shkollor. Autoritetet raportuan se vajza kishte ndryshuar disa nga zakonet e saj dhe kishte kufizuar shoqërimin me bashkëmoshatarë.

Prokuroria për të Miturit në Katania lëshoi masën e sigurisë, e cila u ekzekutua nga Digos, njësia e policisë italiane që merret me hetimet për terrorizmin dhe sigurinë publike.

Ajo dyshohet për vetëstërvitje me qëllime terroriste. Çështja mbetet nën hetim dhe akuzat ndaj saj duhet të vlerësohen nga drejtësia./TVKlan

“Zgjedhje të turpshme”, Trump kritikon procesin zgjedhor në Brazil

0

Presidenti amerikan Donald Trump i ka cilësuar si “të turpshme” zgjedhjet presidenciale në Brazil, pas fitores së presidentit të majtë, Luiz Inacio Lula da Silva. Deklarata e Trump vjen ndërsa kandidati konservator Flavio Bolsonaro refuzon të njohë rezultatin e zgjedhjeve dhe deklaron se do ta udhëheqë opozitën nga Shtetet e Bashkuara.

“Këto zgjedhje janë një turp për popullin brazilian”, tha Trump të martën gjatë një bisede me gazetarët, duke e përshkruar procesin zgjedhor edhe si një “situatë të turpshme”.

Flavio Bolsonaro, 45 vjeç, djali i ish-presidentit të ekstremit të djathtë Jair Bolsonaro dhe aleat i Trump, mbërriti në Shtetet e Bashkuara pasi u largua nga Brazili. Ai është mundur nga Lula në raundin e dytë të zgjedhjeve, të zhvilluara të dielën, pasi kishte kryesuar në raundin e parë.

Senatori brazilian ka denoncuar atë që e quan “mashtrim zgjedhor” dhe ka deklaruar se synon të udhëheqë opozitën nga territori amerikan.

Në një letër të hapur, të shpërndarë për gazetarët nga aleatët e tij pas mbërritjes në Miami me familjen, Bolsonaro pretendoi se ishte “presidenti i vërtetë i zgjedhur i Brazilit”, pavarësisht humbjes në balotazh.

Ai falenderoi Donald Trumpin për mikpritjen në Shtetet e Bashkuara dhe “popullin e mrekullueshëm amerikan që më priti”. Gjithashtu, shprehu mirënjohje për presidentin argjentinas Javier Milei, i cili, sipas raportimit, e ndihmoi të largohej nga Brazili drejt Shteteve të Bashkuara.

Bolsonaro pretendoi se në Brazil po zhvillohet një “fushatë persekutimi e motivuar politikisht, me qëllim mbajtjen time peng”.

“Dua t’u them, jo vetëm 60 milionë votuesve të mi, por edhe popullit brazilian, se unë jam presidenti i zgjedhur dhe se kriminelët që vodhën zgjedhjet braziliane janë pjesë e një organizate kriminale që ka vendosur një tirani”, deklaroi ai, pa paraqitur prova për pretendimet e tij për manipulim të zgjedhjeve.

“I përballur me politizimin e sistemit gjyqësor në Brazil, e solla familjen time në Shtetet e Bashkuara”, tha senatori i krahut të djathtë, duke këmbëngulur se nuk ishte larguar nga vendi, por kishte shkuar jashtë tij për t’u bërë “udhëheqësi që meriton populli im”.

Ai shtoi se do ta drejtojë opozitën nga Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë, Gjykata Supreme e Brazilit urdhëroi dorëzimin e pasaportave të tij në policinë federale, në kuadër të një hetimi për pastrim të dyshuar parash, akuzë të cilën ai e mohon.

Në vendimin për t’u larguar nga Brazili, Bolsonaro ndoqi gjurmët e të atit, ish-presidentit Jair Bolsonaro, i cili gjithashtu u largua drejt Floridës pasi humbi zgjedhjet presidenciale të vitit 2022 përballë Lulës.

Pasi qëndroi pothuajse një ditë larg vëmendjes publike, Flavio Bolsonaro u shfaq sërish të martën vonë në Argjentinë. Prej andej, ai udhëtoi përmes Ekuadorit drejt Miamit, ku mbërriti të mërkurën në mëngjes me avionin privat të një biznesmeni argjentinas.

8 të arrestuar, sekuestrohen rreth 50 mijë euro! Aksion policor për dyshime për krim në operacionet e syve

0

Aksioni i policisë përfundoi me prangosjen e 8 personave, në mesin e tyre ish-drejtorë të Fondit të sigurimit shëndetësor dhe zyrtarë të spitalit privat “Sante Plus”. Gjatë bastisjes në tri qytete janë sekuestruar edhe prova materiale, përveç tjerash 50 mijë euro para të gatshme dhe aparate celulari. Nga Ministria e Brendshme thonë se është shkatërruar një grup i organizuar kriminal, të cilët ju kanë marrë pacientëve para privatisht për operacione të syve edhe pse shërbimet janë mbuluar nga Fondi.

Aksion i udhëhequr nga Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit është zhvilluar që nga mëngjesi i së mërkurës dhe sipas informacioneve jozyrtare, në mesin e personave të përfshirë në hetim është edhe ish-drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Den Donçev, i cili përmendet si personi i parë i kallëzuar në këtë rast. Po ashtu informacionet jozyrtare për rastin përmendin edhe Ridvan Asani, ish-kryetar i Bordit Drejtues të FSSh-së, Vesna Qamillova, ish-menaxhere e spitalit “Sante”, si dhe Salih Bozkurt, ish-pronar dhe person i autorizuar në spital, Cveten Serafimovski, ish-drejtor i Departamentit të Kontrollit në FSSH; Zhaklina Stamenkova, ish-drejtoreshë e njësisë rajonale të FSSH-së në Shkup; si dhe Irena Popovska, shefja aktuale e njësisë rajonale në Shkup.

Sipas autoriteteve ata dyshohen për disa vepra penale, përfshirë keqpërdorimin e pozitës dhe autorizimit zyrtar, punën e pandërgjegjshme në shërbim, mashtrimin dhe pastrimin e parave. Të dëmtuar dyshohet se janë edhe një numër i madh i pacientëve, të cilët janë trajtuar në këtë spital.

Sulmi rus në stacionin hekurudhor në Dnipro, 14 viktima

0

Të paktën 19 persona janë vrarë nga sulmet ruse në disa qytete të Ukrainës, përfshirë 14 persona në stacionin kryesor të trenit në Dnipro. Sipas kompanisë shtetërore hekurudhore të Ukrainës, një dron rus me motor reaktiv goditi platformën ku një tren po përgatitej të nisej drejt qytetit të Zaporizhzhias.

Guvernatori rajonal, Oleksandr Hanzha, bëri të ditur se të paktën 14 persona të tjerë mbetën të plagosur, gjashtë prej tyre në gjendje kritike. Mes të plagosurve është edhe një djalë 11-vjeçar.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, e dënoi ashpër sulmin, duke e cilësuar atë si “të tmerrshëm”. Në një reagim në rrjetin social X, ai kritikoi vazhdimin e sulmeve ruse, duke ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e masave të marra për të frenuar përshkallëzimin e konfliktit.

Sipas raportimeve të gazetares së Al Jazeera-s, Audrey MacAlpine, Ukraina po përballet me një rritje të sulmeve ndaj infrastrukturës së transportit, përfshirë stacionet dhe linjat hekurudhore. Përveç dëmeve në infrastrukturën energjetike, sulmet po godasin gjithnjë e më shumë objektet që shërbejnë për lëvizjen e njerëzve dhe transportin e mallrave.

Viktima u raportuan edhe në qytete të tjera të Ukrainës. Në Chernihiv, në veri të vendit, dy adoleshentë u vranë nga një sulm rus, ndërsa në Kremenchuk, në pjesën qendrore të Ukrainës, tre persona humbën jetën pas goditjes së një pallati banimi.

Ndërkohë, në Kharkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, një institucion arsimor u dëmtua nga sulmet ruse, sipas kryetarit të bashkisë, Ihor Terekhov.

Autoritetet ukrainase dhe monitoruesit e të drejtave të njeriut në OKB kanë paralajmëruar për rritjen e viktimave civile gjatë luftës. Në një tjetër zhvillim, agjencitë ruse të lajmeve raportuan se forcat ruse kishin goditur një anije mallrash në Detin e Zi, për të cilën pretendohet se përdorej nga ushtria ukrainase.

Ronaldo reagon pas çmimit “BOAT”

0

Cristiano Ronaldo ka reaguar pasi u nderua të mërkurën me çmimin e veçantë “BOAT”, apo “Topi i Artë i të gjitha kohërave”. 

Çmimin inaugurues u dha me vota të tifozëve, ndërsa prapa superyllit portugez mbeti superylli argjentinas, Lionel Messi. 

Ronaldos iu dha çmimi i veçantë për sezonin 2008, ku i realizoi 42 gola dhe e udhëhoqi Manchester Unitedin në atë kohë drejt titullit të Premier Leagues dhe trofeut të Championsit. 

Messi mbeti i dyti duke marrë më së shumti vota për sezonin 2012. 

Ronaldo është pesë herë fitues i “Topit të Artë”, ndërsa Messi ka tri më shumë. 

“Futbolli i takon tifozëve. Faleminderit gjithë tifozëve në gjithë botën. ‘Topi i Artë’ për lojtarin më të mirë në histori është çmim edhe për ju”, ka shkruar Ronaldo të enjten në llogarinë e tij në platformën “X”. 
Edhe Federata e Futbollit e Portugalisë e ka uruar Ronaldon për çmimin e fituar. 

Revizioni i kredisë hungareze, revizorët vlerësuan pozitivisht shpërndarjen e 250 milionëve euro

0

Enti Shtetëror i Revizionit me vlerësim pozitiv për shpërndarjen e 250 milionë eurove nga kredia hungareze për kompanitë. Revizioni ka treguar se pjesa më e madhe, ose mbi 100 milionë euro, është orientuar drejt veprimtarisë së prodhimit. Sipas destinimit të investimeve, më së shumti është investuar në objekte ndërtimore dhe pajisje.

“Shpërndarja sipas veprimtarive tregon një karakter të theksuar zhvillimor, ku fokusi kryesor është vendosur te prodhimi vendor, me 281 projekte të miratuara në vlerë prej 6.292.415 mijë denarësh, përkatësisht plot 44% të shumës së përgjithshme të kredisë. Sektori i tregtisë ka përfituar 3.499.227 mijë denarë përmes 194 projekteve, përkatësisht 25% të mjeteve; transporti merr pjesë me 129 projekte në vlerë prej 1.451.457 mijë denarësh, përkatësisht 10% të mjeteve; ndërtimtaria me 63 projekte në vlerë prej 988.498 mijë denarësh, përkatësisht 7% të mjeteve; ndërsa hoteleria dhe gastronomia me 37 projekte në vlerë prej 852.327 mijë denarësh, përkatësisht 6% të mjeteve”, njoftojnë nga Enti Shtetëror i Revizionit.

Edhe pse projektet më të shumta i kanë përfituar kompanitë e vogla, pjesa më e madhe e parave nga kjo shumë u takon kompanive të mëdha.

“Në strukturën e 767 projekteve të miratuara, me vlerë të përgjithshme prej 14.256.936 mijë denarësh, ndërmarrjet e vogla kryesojnë për nga numri, me 455 projekte të miratuara (59% e pjesëmarrjes), në vlerë prej 3.565.574 mijë denarësh (25% pjesëmarrje financiare). E analizuar nga aspekti i vlerës, pjesa më e madhe e mjeteve të miratuara është e përqendruar te subjektet e mëdha, ku për realizimin e 94 projekteve (12% e numrit të përgjithshëm të projekteve) janë miratuar kredi në vlerë prej 4.720.384 mijë denarësh, që përbën 33% të pjesëmarrjes në vlerën e përgjithshme”, njoftojnë më tej nga EShR-ja.

Revizioni ka përfshirë kontrollin e 123 projekteve zhvillimore, me vlerë prej rreth 119,3 milionë eurosh, të cilat, sipas tyre, përbëjnë 52% të mjeteve të përgjithshme të tërhequra deri në shkurt të vitit 2026. Në raport thuhet se, bazuar në dëshmitë e siguruara, është marrë siguri e arsyeshme për dhënien e një konkluzioni pozitiv se aktivitetet e Bankës Zhvillimore janë në përputhje, në të gjitha aspektet materiale, me legjislacionin përkatës të zbatueshëm dhe aktet nënligjore, aktet e brendshme dhe kontratat.

Kantieri i pishinës alarmon prindërit! Dyshime për përdorim të narkotikëve dhe mungesë të masave të sigurisë

0


“Ky kantier ndërtimi është kthyer në një strehë për narkomanët, ndërsa fatkeqësia më e madhe është se e gjithë kjo ndodh brenda oborrit të shkollës fillore „Kirili dhe Metodi“, aty ku po ndërtohet pishina e kësaj shkolle”, raporton gazetari i TV21, Senat Zylbehari.

Prania e lëndëve narkotike dhe mungesa e kushteve elementare të sigurisë në këtë shkollë kanë alarmuar prindërit. Megjithëse informacioni se kioskat dhe objektet ndërtimore shfrytëzohen për dukuri negative erdhi përmes mediave, drejtoresha e shkollës, Sihana Kaba Kasami, pretendon se rasti është denoncuar menjëherë në polici.

Por nga Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë jepet një tjetër version rreth denoncimeve zyrtare.

Përtej kësaj, rreziku shtohet nga vetë infrastruktura e shkollës. Gropa e pishinës gjendet vetëm pak metra larg hapësirave ku lëvizin nxënësit, pa asnjë mbrojtje fizike, ndërkohë që vetë drejtoresha pranon se fokusi ka qenë vetëm te siguria e pishinës.

Lidhur me praninë e policisë në shkollë, drejtoresha thotë se angazhohen dy zyrtarë policorë, ndërsa nga policia sqarojnë se nuk bëhet fjalë për policë enkas vetëm për këtë shkollë, por për patrulla që mbulojnë objektet shkollore në rajon.

Statistikat e Qendrës për Punë dhe Politikë Sociale flasin për trajtimin e pesë nxënësve të shkollave fillore të Tetovës si konsumues të lëndëve narkotike gjatë dy viteve të fundit – shifër kjo që tregon se rreziku është real.

Xi Jinping shpreh ngushëllime për aksidentin e trenit në Spanjë

0

Presidenti kinez Xi Jinping i dërgoi të enjten një mesazh ngushëllimi mbretit të Spanjës, Felipe VI, lidhur me përplasjen vdekjeprurëse të një treni me shpejtësi të lartë në provincën spanjolle të Toledos.

Xi tha se u trondit thellë kur mësoi për përplasjen tragjike dhe daljen nga shinat  të trenit me shpejtësi të lartë në provincën Toledo të Spanjës, që solli një numër të madh viktimash. Në emër të qeverisë dhe popullit kinez, ai shprehu ngushëllimet e tij më të thella për viktimat dhe simpati të sinqertë për familjet e tyre, duke u uruar të plagosurve shërim të shpejtë. 

Po atë ditë, edhe kryeministri kinez Li Qiang i dërgoi një mesazh ngushëllimi homologut të tij spanjoll Pedro Sánchez.

Sela i reagon Gashit: “Vasal që mohon identitetin e vet”

0

Lidhja Shqiptare (LSH), e kryesuar nga Ziadin Sela, ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, lidhur me zgjedhjet në Bërvenicë, duke kundërshtuar cilësimin e dëshirës për fitore të një kandidati shqiptar si “provincializëm”. Nga LSH-ja vlerësojnë se deklarata e Gashit është e papërshtatshme dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të Bërvenicës që të mobilizohen për zgjedhjet e së dielës.

Njoftimi i plotë i Lidhjes Shqiptare:

Kauza Kombëtare nuk është provincializëm, por Afrim Gashi është vasal që mohon edhe identitetin e vetë.

Sot dëgjuam deklaratën më skandaloze, më të turpshme dhe më poshtëruese të një funksionari shqiptar, i cili rri ulur në një kolltuk që u fitua me shumë sakrificë e gjak të derdhur.

Afrim Gashi sot e quajti provincializëm dëshirën e shqiptarëve për fitoren e kandidatit shqiptar në Bërvenicë, duke shtuar se ai uron “të fitojë më i miri” dhe lutet që të përfundojnë ndarjet në baza etnike.

Afrim Gashit, i cili i ra pishman edhe për atdheun e tij, mohoi gjuhën shqipe. Nuk i pengon nacionalizmi i Mickoskit dhe VMRO-së, festa e tyre për “fitoren maqedonase” në Kërçovë e Bërvenicë në zgjedhjet e kaluara, por i pengon vetëm dëshira e shqiptarëve për fitore aty ku janë shumicë dhe meritojnë fitore.

Lidhja Shqiptare dënon ashpër këtë retorikë të Gashit dhe koalicionit ku ai bën pjesë dhe fton shqiptarët e Bërvenicës që t’i japin përgjigjen e duhur atij dhe Mickoskit të dielën.

Përkatësia kombëtare dhe e drejta e shqiptarëve për të qeverisur me Bërvenicën është e drejtë hyjnore, njerëzore dhe demokratike, sepse shqiptarët aty janë shumicë.

Motra e vëllezër, mobilizohuni masivisht, lini dallimet politike e lojërat e vasalëve, sepse të dielën duhet të fitojë kandidati shqiptar dhe qytetarët shqiptarë të Komunës së Bërvenicës.

Ziadin Sela, kryetar i Lidhjes Shqiptare