Marrëveshja që paga minimale të jetë 18 mijë denarë do të fillojë të zbatohet nga paga e muajit mars ndërsa do të përfshijë rreth 80 mijë të punësuar, që do të thotë rreth 13% të numrit të përgjithshëm të të punësuarve. Me këtë rritje të pagës minimale, Maqedonia më nuk do të renditet te vendet me pagë më të ulët minimale dhe e njëjta do të jetë 62% e pagës mesatare, që është përqindja më e lartë në Evropë. Që të arrihet kjo marrëveshje Qeveria u dakordua që ta mbulojë dallimin në pjesën e kontributeve mes pagës së tanishme dhe asaj që është dakorduar, përkatësisht deri në 18 mijë denarë. Kjo do të ketë ndikim në Buxhet për rreth 16 milionë euro deri në fund të vitit. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, tha se rritja e pagës minimale më së tepërmi i përfshin kompanitë mikro dhe të vogla.
“Arritëm edhe një marrëveshje të rëndësishme për të ndryshuar kriteret për metodologjinë për harmonizimin vjetor të pagës minimale me 50% nga rritja vjetore e pagës mesatare dhe 50% nga rritja e shpenzimeve për jetesë. Kriteri i tretë është risi, lartësia e pagës minimale nuk do të jetë më e ulët se 57% e pagës mesatare të publikuar nga Enti shtetërorë për statistikë”, tha Dimitar Kovaçevski.
Lideri i sindikatave, Darko Dimovski, menjëherë pas arritjes së marrëveshjes për TV21 deklaroi se është harmonizuar edhe kërkesa e dytë për rritje graduale të pagave tjera. Dimovski tha se me këtë paralajmërimi për grevë është prolonguar, por tha se do të insistojnë edhe në kërkesën e tretë për regres për të gjithë të punësuarit.
“Pagë minimale prej 18 mijë denarëve si dhe rritje graduale e gjithë pagave tjera në përputhje me nenin 8 të Ligjit për pagë minimale ku thuhet se nëse rritet paga minimale, pagat tjera duhet të harmonizohen në ose të rriten në përputhje me rritjen e pagës minimale. Kërkesa jonë e tretë që është regresi në sektorin publik ende është e hapur dhe në Qeveri kumtuam se do të shkojmë edhe më tej dhe do të kërkojmë regres ose K-15 për gjithë sektorin publik, d.m.th. këtu flasim për arsim, shëndetësi, armatë, polici dhe punëtorët shëndetësorë dhe kështu me radhë”, tha Darko Dimovski nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.
Vlladanka Trajkovska nga Organizata e punëdhënësve thotë se do të bëhen vlerësime se si rritja e pagave minimale do të pasqyrohet në procesin e punës.
“Ky është vendim i ri për ne me metodologji të re si dhe qasje e re. Për këtë arsye do të duhet në mënyrë shtesë të konsultohemi me anëtarësinë tonë dhe në mënyrë shtesë të dalim me qëndrim të anëtarësisë në lidhje me reperkusionet e pagës minimale ndaj punës së tyre dhe ndaj proceseve të punës produktive në të ardhmen”, tha Vlladanka Trajkovska nga Organizata e Punëdhënësve.
Për momentin paga minimale është 15 200 denarë, ndërsa rritja e dakorduar do ta rritë pagën minimale për 2 800 denarë, përkatësisht rreth 45 euro.
