Pagat janë vetëm “maja e Ajsbergut” në arsim! Taravari: Një kamerier ka rrogë më të madhe se arsimtari

TË FUNDIT

Që nga pavarësia e Maqedonisë janë ndërruar 19 ministra të arsimit. Të gjithë kanë eksperimentuar por asnjëri prej tyre nuk ka bërë strategji të mirëfilltë, thotë arsimtari Mamer Kovaçi, duke komentuar cilësinë në arsim, në debatin e organizuar nga Instituti për politikë “Arben Xhaferi dhe Qendra analistike e Aleancës për Shqiptarët. Sipas Kovaçit pagat janë vetëm maja e ajsbergut, ndërsa problemet janë shumë më të mëdha.

“Besoj se duhet të vetëdijesohen edhe elita politike edhe ajo intelektuale në shtet që të mos lejojnë arsimtarin të bëjë bisedë për paga. Mendoni se cilësia në arsim varet nga pagat? Po sigurisht se po, një arsimtar i motivuar sigurisht se jep edhe rezultate më të mira”, tha Mamer Kovaçi, arsimtar.

Aleanca për shqiptarët e përkrah grevën në arsim. Sekretari gjeneral i kësaj partie, Arben Taravari, thotë se sfera e arsimit paguhet shumë më pak se profesionet tjera, duke krahasuar pagën e arsimtarit me atë të kamerierit.

“Në qoftë se mendojmë se shumë shtrenjtë na kushton arsimi, ashtu siç ka thënë edhe presidenti Obama, atëherë shikoni sa kushton injoranca. Në Maqedoni një kamerier i rëndomtë ose një punëtor si bukëpjekës merr rrogë më të madhe sesa një arsimtar ose profesor, në shkollën e mesme, shkollën fillore por edhe në fakultete“, theksoi Arben Taravari, kryetar i Gostivarit.

Aktivisti Blendi Hodai përkrah kërkesën e arsimtarëve për pagë më të lartë, por shton se të njëjtit duhet të veprojnë edhe për të përmirësuar cilësinë në arsim.

“Kërkesat e tyre janë legjitime dhe ne si Forum për ndryshime në arsim përkrahim që të kenë paga më të larta, por në të njëjtën kohë shpresojmë që të reflektojnë dhe të protestojnë për arsim me cilësi më të lartë, se sa kjo që kemi tash”, theksoi Blendi Hodai, Forumi për Ndryshime në Arsim.

Debati i sotëm u organizua në temën “Greva në arsim: domosdoshmëria e rivlerësimit të mësimdhënies dhe investimit në kapitalin tonë njerëzor”, në kuadër të grevës në arsim e cila po zgjat tashmë pesë ditë.