Si asnjëherë më parë në 30 vite pavarësi, niveli i besimit në gjyqësor nuk ka qenë më poshtë. Vetëm 4 % e qytetarëve besojnë në sistemin e drejtësisë dhe sundimin e ligjit.
E ndoshta kjo për shkak se lëndët gjyqësore “e të fortëve” nuk procedohen, por zvarriten.
Lëndët e ish-prokurorisë speciale assesi nuk mund të marrin epilog gjyqësor dhe me kalimin e kohës ato vjetërsohen. Gavrill Bubevski, njëri nga ish-prokurorët e Speciales, ndjehet i zhgënjyer që drejtësia nuk po arrin në vendin e vet.
“Ndjenja është e njëjte sikur e të gjithë qytetarëve në vend. Pra thjeshtë drejtësia që duhej ta mundësonte Prokuroria Speciale është e qartë se nuk u arrit, të paktën nga pikëpamja e disa lëndëve të cilat ende nuk kanë përfundimin e tyre”- pohoi Gavrill Bubevski, prokuror.
Si ngjarje që tronditi opinion publik pikërisht në ditët e fundit të vitit, ishte shfuqizimi që bëri gjykata e Apelit, duke kthyer në lëndën “Traget-Fortesa” nga fillimi. Në këtë lëndë Mijallkov ishte dënuar me 12 vite burg për përgjime të paligjshme.
Mijallkov nuk do të vuaj dënimin as për “Titanik 2”, pasi lëndë i është kthyer në fillim, ndërsa vepra e vjetërsohet për 4 muaj.
E si duket Mijallkov e dinte se kështu do të jetë, që nga viti 2018 thoshte se burgu nuk është për të.
“A frikësoheni nga burgu?
Prej burgut?
Këtë pyetje në adresë tjetër.”- thoshte Sasho Mijallkov, më 21 nëntor 2018.
Nga gjithsej 26 lëndët e ish PPS, Mijallkov është i akuzuar në 4 lëndë, pothuajse në të gjitha lëndët akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të dhuratës për ndikim të kundërligjshëm.
Nga ana tjetër lëndët ku humbën jetën shumë viktima, siç janë spitali modular në Tetovë, aksidenti i Besa Trans, aksidenti Llaskarcës, akoma presin drejtësinë tashmë të vonuar.
