Hristijan Mickoski ka qenë në një lokal bashkë me një ish-funksionar në Qeveri dhe me një zyrtar policor. Këtë në konferencën e sotme për shtyp e konfirmoi zëvendësministrja shtesë e Punëve të Brendshme, Sllavjanka Petrovska. Ajo theksoi se nuk bëhet fjalë për rast politik, por për një rast i cili ka të bëjë me ndërgjegjen e atyre të cilët në kohë pandemie i shkelin masat mbrojtëse, duke shtuar se do të ngritet padi penale kundër të gjithëve që kanë vepruar njësoj.
“Nga dëshmitë e dëshmitarëve okularë janë identifikuar katër persona brenda objektit. Kur them dëshmitarë okularë e kam për të punësuarit në këtë objekt. Pas verifikimit të incizimeve, do të kumtohen emrat e tyre por mund të konfirmoj se njëri prej personave është ish-funksionar në qeveri, përkatësisht në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe njëri është nëpunës policor”, tha Sllavjanka Petrovska, zëvendësministre shtesë e MPB-së.
Lideri i opozitares VMRO-DPMNE, dje në emisionin “Click Plus” tha se asnjëri prej kamerierëve nuk e ka paralajmëruar se po e shkel protokollin e miratuar për punë të hotelierëve gjatë epidemisë së virusit korona, përsëri kërkoi falje duke porositur se do të mbajë përgjegjësi.
“Për shkak se protokollet po ndryshohen në bazë ditore, ndryshohen dekretet, është e saktë, unë thash, ky është lëshimi im personal, kërkova falje, është njerëzore, kam gabuar, askush sot nuk është i pagabueshëm dhe jam i gatshëm që të mbaj përgjegjësi sipas ligjit dhe të paguaj gjobë”, tha Hristijan Mickoski, lider i VMRO-DPMNE-së.
Pardje në lagjen Debar Maallo inspektorët dy orë e gjysmë ishin penguar të bëjnë kontroll brenda një kafeneje prej së cilës më vonë ka dalë lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski së bashku me disa persona të tjerë.
