Kanalizimi derdhet në këtë kanal përballë shtëpive. Rrugët e fshatit plot gropa. Mbeturina gjithandej. Gjatë pranverës dhe verës nuk ka ujë të mjaftueshëm. Kjo është gjendja e fshati Sërbjan në Kërçovë, që gjendet vetëm 5 km larg qytetit.
“Ndodhemi ë fshatin Sërbjan të komunës së Kërçovës në këtë fshat kanalet janë të pa pastruara, kanalizimi derdhet në kanalin i cili kalon përmes fshatit, rrugët janë të pa asfaltuara, në një bisedë me banorët thonë se kjo rrugë nuk është asfaltuar mbi 30 vite, megjithatë ata nuk deshën të flasin para kamerës së TV21”, raporton Salije Sadiku, TV21.
Kohë më parë, kur komuna mbajti takim me qytetarët, Bashkësia lokale e fshatit shprehu një sërë ankesash, si mungesa e ujit për pije, papastërtia, kanalizimi dhe kanali i pa pastruar, ndërsa folën edhe për fushën e sportit të shndërruan në deponi mbeturinash.
“Për të mos pasur humbje të ujit për pije të cilin qytetarët e shfrytëzojnë për ujitje të arave, të pastrohet kanali që është një problem i vogël për ju, mendojmë të pastrohet kanali. Është kanal i hapur sepse banorët po lëshojnë dhe është i gjatë dy kilometra por nuk është i gjithi për t’u pastruar”
Gjatë vizitës së TV21 në këtë fshat, nga Bashkësia lokale nuk pranuan të flasin para kamerës me arsyetimin se janë marr vesh me komunën që së shpejti të realizohen kërkesat e tyre pa mos ngritur pluhur nëpër media. Megjithatë ata prapa kamerës shpreheshin të indinjuar dhe thoshin se kushtet e këqija të jetesës dhe papunësia kanë bërë që shumë të rijnë të largohen në shtetet e perëndimit.
