“Pa sistem shëndetësor rrezikohet shëndeti”! Nëse nuk i marrin rrogat, të mërkurën mjekët dalin në protesta

TË FUNDIT

Nëse nesër nuk u lëshohen pagat e janarit, punëtorët shëndetësorë nga Qendra Klinike “Nënë Tereza” kanë bërë të ditur se të mërkurën do të dalin në protestë. Kjo situatë e krijuar me bllokimin e sistemit të Fondit të Sigurimit Shëndetësor, a po e prek edhe shëndetin e qytetarëve? Nënkryetari i Sindikatës së Qendrës Klinike “Nënë Tereza”, Sefedin Aliu vlerëson se mjekët pa paga nuk e kanë motivin e njëjtë për punë.
Sigurisht se po, shërbimet i japin punëtorët shëndetësor e kur punëtorët shëndetësor nuk kanë bukë të hanë… Gjithë këto negativitete sigurisht se reflektojnë edhe në shërbimet e përditshme, pasojnë pastaj pacientët, ne na vjen keq, Sefedin Aliu – nënkryetari i Sindikatës së Qendrës Klinike.

Gjendja ekonomiko-sociale në shëndetësi është shumë e rëndë thotë Aliu. Sipas tij, kolegët mjek hasin në probleme me shkrimin e terapive dhe caktimin e terminëve për intervenime kirurgjike, megjithatë mundohen të kryen detyrimet ndaj pacientëve pasi që ata paguajnë sigurim shëndetësor.

“Asnjëherë në historikun e Maqedonisë, por as nuk është aktuale në rrethinë që… ishim një ditë me disa kolege bisedonim dhe haptas infermierja thotë do të marr fshesën, barazimi i gjilpërës dhe fshesës nuk ka ndodhur asnjëherë dhe ne e kemi këtë. Neto rroga e një infermiereje me shkollim të mesëm profesional është 18.300 denarë. Sidoqoftë edhe ajo të vonohet kur të gjithë ne jetojmë nga ajo, edhe pse para disa kohe ne ishim heronj apo…?”, shtoi Aliu.
E vetëm tre ditë më parë revoltën për vonesën e pagave e shprehu edhe sindikata e pavarur medicinale përmes një proteste përpara Fondit të shëndetësisë, ku njëjtë paralajmëruan grevë të përgjithshme.

“Nëse nuk ndërmerret asgjë, siç janë paralajmërimet e deritanishme, do të ketë grevë të përgjithshme. Nëse në një shtet nuk funksionon shëndetësia, mjerë shteti. Mendoj se më poshtë se kjo nuk mund të shkojmë, tërë kohës jemi të margjinalizuar, është koha që ne të marrim atë që meritojmë dhe vendin e duhur”, tha mjeku Aleksandar Kosteski.

Fondi dhe institucionet shëndetësore nuk përfillin mjekët. Asnjëra nga sindikatat nuk ka arritur të kontaktojë me drejtorët e Fondit edhe pse siç thonë kanë kërkuar disa herë takim. Ka dy javë që është sulmuar sistemi elektronik i këtij institucioni, e drejtorët nuk kanë dalë të prononcohen para mediave.