Pasi e rrahën në Ohër dhe me aeroplan qeveritar bullgar u dërgua në Sofje për trajtim, sekretari i Klubit bullgar “Car Borisi i Tretë”, Hristijan Pendikov, u vizitua nga Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani dhe ai i Bullgarisë Nikollai Millkov.
Osmani edhe një herë e dënoi aktin e dhunshëm ndaj Pendikovit dhe shtoi se i vjen keq për incidentin, për të cilin tha se nuk i pasqyron vlerat e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Siguroi se vendi do të kujdeset që të ketë zero tolerancë ndaj dhunës. Sipas kryediplomatit, bullgarët në Maqedoni do t’i ketë të gjitha të drejtat, liritë dhe privilegjet, duke theksuar se nuk do të lejohet mohimi i komunitetit bullgar, ashtu siç nuk do të lejohet mohimi i popullit maqedonas.
“Ky cikël i provokimeve dhe dhunës patjetër duhet të ndalet sot! Ne do të bëjmë gjithçka si shtet që të kemi zero tolerancë ndaj provokimeve, fyerjeve ndaj komunitetit bullgar, popullit maqedonas, ndaj cilitdo qytetar në RMV. Kemi agjendën tonë pozitive në kuadër të planit aksional mes dy qeverive. Kemi këmbim tregtar vjetor 1 miliardë euro si rezultat i komunikimit të mirë dhe nuk do të lejojmë që provokatorë dhe dhunues të na e rrëmbejnë atë agjendë dhe të na i rrënojnë marrëdhëniet që me mundim i ndërtojmë me Republikën e Bullgarisë”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.
U.d ministri bullgar i Punëve të Jashtme Millkov tha se Bullgaria nuk do të lëshojë pe nga mbrojtja e të drejtave të komunitetit bullgar në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Situata nuk do të duhej të vazhdonte kështu. Nuk mundet dhe Bullgaria fuqishëm insiston që autorët e këtij akti dhe akteve të tjera të ngjashme të dënohen rreptësishtë sipas ligjit, për t’i dhënë fund kësaj atmosfere mosndëshkimi që lind dhunë të re. Dua po ashtu tu them “jo” ringjalljes së “traditave të zeza” që historikisht lidhen me Maqedoninë e Veriut, si djegie, sulme dhe dhunë ndaj njerëzve”, tha Nikolai Milkov, u.d ministër bullgar i Punëve të Jashtme.
Policia të premten ka arrestuar tre persona nga Ohri si të dyshuar se kanë sulmuar fizikisht bashkëqytetarin e tyre në një objekt hotelerik në Ohër.
