Kreu i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në brifingun e sotëm me gazetarët tha se me përgjegjësinë më të madhe e thotë që propozimi i ri francez është i mirë, përcjell TV21. Osmani tha se ky propozim është mundësia e fundit për të kapur trenin drejt BE-së.
“Me të gjithë përgjegjësinë them se ky është propozim i mirë që e hap rrugën, që na mundëson që ta kapim trenin e fundit për Bashkimin Evropian. Tashmë zyrtarisht janë hapur tema për bashkësi të reja, për union të ri politik, nëse tani ne nuk fillojmë, Shqipëria do të nis me negociatat, ne do të mbetemi. Bullgaria do të shkojë në zgjedhje. Me anketa të tilla, Bullgaria me gjasë nuk do të ketë qeveri në 1 deri 2 vitet e ardhshme. Kjo çështje do të bllokohet në vitet e ardhshme”, deklaroi mes tjerash Osmani.
Ministri Osmani përmendi disa fenomene që do të shtohen, si ikja e të rinjve, në rast se nuk e pranojmë këtë propozim.
“Nëse ne themi jo, nëse Shqipëria i nis negociatat. Nëse populli e kupton se nuk ka ardhmëri, besoni që me mijëra do të nisin të marrin pasaporta nga fqinjët. Mijëra do të marrin vendim që të largohen dhe ta lëshojnë shtetin sepse nuk ka ardhmëri. Do të nisin tensionet ndëretnike. Do të nisin tensione mes kategorive të ndryshme të qytetarëve, do ta kemi dimrin më të rëndë këtë vit, me energjinë, ushqimin, për shkak të krizës globale”, deklaroi mes tjerash Osmani.