Me vetë faktin se nuk morëm pjesë në hapjen e klubit dërguam mesazh se nuk pajtohemi që klubi bullgar ta mbajë këtë emër, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në brifingun e sotëm me gazetarët. Sipas Osmanit, ngjarja që u mbajt të shtunën në Manastir në të cilën mori pjesë delegacioni i lartë qeveritar nga Bullgaria është provokim, kurse ne duke mos reaguar e kemi ruajtur imazhin në botë si shtet demokratik.
“Mendoj se ishte provokim, jo hapja e klubit, por emri i klubit është provokim. Fakti që ne nuk ishim atje, është reagimi ynë se për ne ky emër është i papranueshëm dhe se bëhet fjalë për provokim, përndryshe do të ishim pjesë dhe bashkë me ta do ta hapnim klubin në Manastir. A nuk është reagim fakti që në plotë kuptimin e fjalës u thamë – kjo për ne është e papranueshme?”.
Lidhur me atë nëse është shkelur Marrëveshja, Osmani me qëndrim se kjo nuk është vetëm njollë, por një re mbi marrëdhëniet, duke shtuar se negociatat nuk duhet të ndërpriten.
“Së pari narrativi se ne nuk i respektojmë të drejtat e njeriut nuk kalon. Së dyti: narrativi se jo çdo histori mund të paraqitet si e përbashkët, histori e cila nuk ishte kuptuar nga disa partnerë evropianë për të cilët merrja mesazhe – tani e kemi të qartë se për çka po flisni, sepse vetë ata u ekspozuan ndaj asaj që diplomacia nuk mundej ta shpjegonte me muaj të tërë”.
Me reagim doli edhe opozitarja VMRO-DPMNE, parti e cila në vitin 2011 kur ishte në pushtet vendosi figurën e Vanço Mihajllovit në Muzeun e VMRO-së, por pas një kohe, disa figura, mes të cilave edhe ajo e Mihajllovit ishin hequr, sepse nuk mundej të mirëmbaheshin.
“Me të vërtetë janë të tmerrshme dhe manipuluese përpjekjet e Qeverisë dhe mbështetësve të LSD-së që vëmendja e opinionit publik të defokusohet duke e akuzuar VMRO-DPMNE-në se ka pasur ndonjë lidhje me promovimin e Vanço Mihajllovit, në vend që e gjithë vëmendja të përqendrohet në të vërtetën e vetme – përse Qeveria heshti për promovimin e fashizmit të Bullgarisë në mes të Manastirit dhe përse nuk kërkoi që të ndalohet veprimtaria e shoqatës e cila glorifikon një njeri me të kaluar kontroverse?”.
Eurodeputeti Ilhan Quçuk, konsideron se Bullgaria duhet t’i rishqyrtojë marrëdhëniet e saj ndaj Maqedonisë dhe ta heqë bllokadën për start të negociatave me BE.
“Interesi strategjik i Bullgarisë është të kufizohet me vende demokratike që mund të ofrojnë hapësirë për siguri, prosperitet dhe mundësi. Gjërat e tjera nuk mund t’i shpjegoj. Gjithmonë në mënyrë tendencioze iu jepet zë njerëzve që duan që Maqedonia e Veriut të mos jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Është shumë e vështirë t’u shpjegosh partnerëve evropianë arsyet e ndalimit të rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian”.
Tani për tani, nga pala bullgare nuk ka paralajmërime për heqjen e bllokadës që në qershor të mund t’i startojmë bisedimet aderuese me BE-në. Disa nga partnerët e koalicionit në Qeverinë e Kirill Petkovit hapur e kundërshtojnë këtë dhe kërcënojnë se do ta rrëzojnë koalicionin qeveritar.
