Edhe më tej pozitat e Maqedonisë dhe Bullgarisë në lidhje me negociatat janë të ndryshme, por me qasjen e re të bisedimeve duhet të ketë rezultate të caktuara – thotë ministri për punë të jashtme, Bujar Osmani. Ai këtë e theksoi pas takimit të dy delegacioneve të ekspertëve të MPJ-ve të dy vendeve, që u mbajt në Sofje. Këto ditë ministrja bullgare për punë të jashtme, Teodora Gençova, tha se Bullgaria nuk heq dorë nga pozitat e saja rreth çështjeve të identitetit. Nga ana tjetër Osmani thotë se për palën bullgare çështja më e rëndësishme është vendosja e pakicës bullgare në Kushtetutën e RMV.
“Pozita jonë për çështjen më të rëndësishme për ne është e qartë dhe këtë e themi çdo herë, do ta them dhe tani, bëhet fjalë për çështjet e identitetit në kornizën negocuese si zgjidhje evropiane. Për ta është çështja e komunitetit bullgar në RMV dhe tashmë e kemi identifikuar në një mënyrë rrugën në të cilën do të vijojë ky proces. Ndryshimi i fokusit nga ai i tanishmi është pranimi i pakicës bullgare si të ndryshme nga shumica maqedonase, mendoj se është rruga e drejtë nëpër të cilën duhet të udhëhiqet ky proces”, tha Osmani.
Për gjendjen me pakicën maqedonase në Bullgari, për të cilën edhe në intervistën e kryeministrit bullgar për BBC, Petkov, gazetari e rikujtoi se ata nuk respektojnë të drejtat e tyre, Osmani mbetet në qëndrimin se kjo ka të bëjë me rregullimin bullgar të pranimit të pakicave dhe se ne nuk do të intervenojmë në çështjet e brendshme. Në lidhje me provokimet që ndodhin në të dy anët, thotë se këtyre çështjeve duhet tu qasemi me kokë të ftoftë dhe të mos lejohet që të bëhet politikë prej kësaj çështjes. I pyetur për televizionin bullgar TNB, programi i të cilës emitohet në vendin tonë, ndërsa në të cilën transmetohen edhe emisioni ku Goce Dellçev prezantohet si Bullgar, Osmani përgjegjësinë për këtë gjë ia hodhi institucioneve.
“Në lidhje me TNB ne nuk jemi rregullator dhe nuk mundemi të përzihemi në përcaktimet programore të televizioneve. Qëllimi i transmetimit të televizioneve këtu dhe atje është që të shihen aspektet e ndryshme, megjithatë, nëse ka përmbajtje të tilla që mund të jenë kundër politikave të rregullatorit në këtë shtet, mendoj se rregullatori duhet ta bëjë këtë”, tha Osmani.
Pas takimit të parë të delegacioneve të ekspertëve të ministrive që këto ditë u mbajt në Sofje, takimi i radhës është caktuar më 20 shkurt në Shkup. Më 17 shkurt do të mbahet edhe takimi i grupit të katërt të punës për arsim dhe kulturë, ku mes të tjerash duhet të bëhet fjalë edhe për fillimin e transmetimit të Televizionit maqedonas në Bullgari si pjesë e marrëveshjes reciproke.
