Vendosja e kornizës për aktivitetet e ardhshme që duhet t’i ndërmarrin Maqedonia e Veriut dhe Greqia, në përputhje me Planin aksionar për bashkëpunim si dhe implementimi i marrëveshjes së Prespës kanë qenë në fokus të bisedimeve mes ministrit maqedonas dhe atij grek për punë të jashtme.
“Është kënaqësi e vërtetë të fillohet viti me këtë vizitë të suksesshme në Greqi. Qëllimet tona të sinqerta janë që ta kalojmë pragun e fqinjësisë së mirë, si narrativ politik korrekt, dhe të vendosim bazë për ndërtimin e një miqësie më të thellë afatgjate mes dy vendeve, si shprehje më e lartë e suksesit të politikës dhe diplomacisë”, tha Osmani.
Integrimi në BE dhe aleanca në NATO gjithashtu kanë qenë temë e dy homologëve.
“Si fqinj i drejtpërdrejt, njëherësh edhe anëtare e BE-së, vlerësoj se është shumë e rëndësishme mbështetja parimore nga ana e Greqisë për nisjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut, pa vonesë”, shtoi Osmani.
“Greqia mund të bëhet aleati dhe miku më i mirë i RMV me atë që vendi jonë ka interes për stabilitet në rajon. Mbështesim përpjekjen tuaj për në BE”, deklaroi Dendijas.
Gjatë takimeve, u nënshkruan tre memorandume për mirëkuptim mes dy vendeve për bashkëpunim në sferën e investimeve dhe tregtisë së jashtme mes ndërmarrjeve Greqia SA dhe Invest Maqedonia e Veriut, për bashkëpunim mes ministrive për punë të jashtme në edukimin e diplomatëve dhe për bashkëpunim në sferën e mbrojtjes civile.
Në agjendën e Ministrit në suaza të vizitës zyrtare në Greqi ishin edhe takimet me Kryetaren e Republikës Helene, Katerina Sakellaropullu, kryeministrin, Kirjakos Micotakis dhe ministri alternativ për çështje evropiane, Miltijadis Varviciotis.
