Osmani me porosi për 4 shkurt: “Të mos biem pre e provokimeve”

TË FUNDIT

Pas apelit të ministrit të Brendshëm, Oliver Spasovski, kryeministrit Kovaçevski, kreut opozitar Mickoski dhe funksionarëve të tjerë për shënim të denjë të ditëlindjes së Goce Dellçevit, me video-porosi u prononcua edhe ministri i Jashtëm, Bujar Osmani. Ai u dërgoi mesazh të gjithë qytetarëve që të tregojnë pjekuri dhe të mos lejojnë nxitjen e nacionalizmit përmes gjuhës së urrejtjes dhe nënvlerësimit.
Ndryshe, si pjesë e masave të sigurisë, rreth kishës “Shën Spas” në Kalanë e Shkupit, sidomos rreth varrit të Goce Dellçevit ku nesër pritet shumë delegacione të vendosin lule, ka prani të shtuar policore. Është paralajmëruar se do të vijnë edhe delegacione nga Bullgaria fqinje.

“Bëj thirrje për shënim të denjë dhe të qetë të ditës kur e nderojmë idealin e tij për shoqëri të avancuara dhe ndërtim të vlerave civilizuese. Çdo qytetar i Republikës së Bullgarisë ose i çdo vendi tjetër është i mirëseardhur në Maqedoninë e Veriut, por secili duhet të sillet me respekt ndaj vendit tonë dhe popullit maqedonas”, tha Bujar Osmani, ministër i punëve të Jashtme.