Osmani: Kontesti bullgar mund të zgjidhet në janar! Petkov për 6 muaj pret që Maqedonia të tregojë rezultate

TË FUNDIT

Fakti që tani Bullgaria ka Qeveri politike hap rrugën për gjetjen e zgjidhjes për kontestin dhe de bllokimin e rrugës së RMV drejt BE. Këtë e ka deklaruar në intervistë për Nova TV të Bullgarisë, ministri për punë të jashtme, Bujar Osmani. Ka theksuar se në periudhën e fundit raportet dhe besimi mes Bullgarisë dhe Maqedonisë janë përkeqësuar, por megjithatë është e mundshme arritja e marrëveshjes që në muajin e ardhshëm. Sipas tij propozimi i Petokovit për zgjidhje të kontestit gjatë 6 muajve është periudhë e gjatë.

 “Unë kuptoj vetëm një argument, pse deri tani nuk është gjetur zgjidhje – fakti që nuk kishte Qeveri politike. Megjithatë tani me të vërtetë nuk ka arsye pse të jepen afate më të gjata kohore kur ka Qeveri politike, shumicë të qëndrueshme edhe në R. Bullgarisë edhe në RMV dhe mund të ulemi që nesër për të vazhduar bisedimet dhe në janar të kemi zgjidhje”, tha ministri i Jashtëm Bujar Osmani.

Për çështjen e gjuhës maqedonase për të cilin Bullgaria kërkon që të quhet gjuhë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Osmani tha se qëndrimi i Maqedonisë mbetet i njëjtë me atë që është propozuar edhe nga Komisioni evropian – gjuha maqedonase nuk duhet të jetë pjesë e kontestit.

 “Gjuha është çështje që del nga e drejta për vet përcaktim e çdo shteti. Kjo nuk është çështje që duhet të jetë pjesë e kontestit dypalësh ose të jetë pengesë në rrugën për anëtarësim në BE, por vlerësojmë se ky propozim i kryesimit që të dy shtetet të kenë qëndrime uni-laterale deri te Unioni në lidhje me gjuhën, ndërsa Unioni t’i notojë që të dy qëndrimet, vlerësojmë se është zgjidhje që mund të sjellë deri te zgjidhja përfundimtare”, shtoi Bujar Osmani – ministër i Punëve të Jashtme. 

Kryeministri bullgar Kiril Petkov  për kontestin mes Sofjes dhe Shkupit thotë se procesi i deritanishëm duhet të plotësohet në sferat e ekonomisë, kulturës etj.. Ai pret që të arrihet zgjidhje gjatë 6 muajve të ardhshëm.

 “Ne do ta plotësojmë pozitën bullgare me grupe shtesë të punës për ekonominë, infrastrukturën, kulturën, masat dhe politikat për hyrje dhe ndihmë të kapacitetit të Maqedonisë së Veriut  që edhe ata  të mund të bëjnë hap përpara drejt BE-së. Do të thotë se ne japim afat prej 6 muajve që ato grupe të japin  rezultate reale”, potencoi Kiril Petkov – kryeministër i Bullgarisë.

Për intervistën e Osmanit reaguan nga VMRO-DPMNE-ja prej ku thonë se shefi i diplomacisë së bashku me kryeministrin Zaev vazhdimisht shpikin arsyetime për mos fillimin e negociatave.

 “Qeveria dhe Bujar Osmani çdo muaj  thonë se shteti duhet të marrë datë për negociata muajin e ardhshëm. Për shkak të politikave të gjunjëzimit, Bullgaria çdo herë del me kërkesa të reja, ndërsa nuk ka fund që Zaev nuk mund ta arrijë”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Paraprakisht Osmani theksoi se i kanë dorëzuar përgjigje Bullgarisë për tejkalimin e çështjeve të hapura, por nuk zbuloi më shumë detaje.