Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani në rolin e koordinatorit nacional, ka deklaruar se Qeveria është duke e shqyrtuar kërkesën e autoriteteve lokale, që Kumanova të futet në karantinë të tërësishme.
Ai ka vlerësuar se “sigurisht duhet të merret për shembull Dibra”, e cila për një muaj ka qenë në izolim total.
“Komunikova qëndrimin e Qeverisë, se jemi duke i shqyrtuar seriozisht kërkesat e komunës për masa më radikale, për shkak se Kumanova po shihet se në kokë banori ka numër më të madh të të infektuarve. Kemi edhe personel shëndetësor dhe do të duhet sigurisht të ndërmarrim masa dhe të marrim shembull edhe nga qyteti i Dibrës, ku kemi disa ditë pa të infektuar si rezultat i masave radikale”, tha Osmani.
Vendimi do të dalë nga Shtabi komunal që do të mbahet në Kumanovë, ndërkaq Osmani ka shprehur ngushëllime për familjarët që kanë humbur të afërmit si shkak i virusit Kovid-19.
